Home KRYESORE Zgjedhjet e vitit 2017 dhe pritshmëritë e sipërmarrjes

Zgjedhjet e vitit 2017 dhe pritshmëritë e sipërmarrjes

Nga Kasem Seferi

Debati elektoral po afron me shpejtësi dhe, në publik, të gjithë aktorët duhet t’i kushtojnë më shumë vemendje se asnjëherë tjetër më parë pjesëmarrësve në debat (nëpërmjet sipërmarrësve të panjollosur dhe jo monopolistëve të vetëdemaskuar të ekraneve televizive) të shpjegojnë ”përse” në çdo fushë të veprimtarisë publike sipërmarrja është ndeshur me dukurinë e monopolit dhe favoritizimit të individëve, ose grup individëve pranë pushtetit.

Në këtë kontekst, sipërmarrja shqiptare ka qenë pasqyrë e mohimit dhe/ose përjashtimit të manifestimit të aftësisë dhe të gadishmërisë së saj në lidhje me perceptimin dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.

Thënia “laissez faire”, si synim ka pasur themelimin e një shoqërie të tregut të lirë, duke hequr të gjithë ligjet që i parandalojnë njerëzit më të zellshëm dhe më efiçentë prej atyre që janë konkurrentë më pak të zellshëm dhe më pak efiçentë në lidhje me rritjen ekonomike të ekonomisë së vendit.

Për ta kuptuar më mirë dhe për ta hapur tregun për sipërmarrësit shqiptarë, debati publik duhet të bëjë të qartë për çdo qytetar rolin e veçantë të sipërmarrësit:

si person që e merr me mend riskun e pasigurisë; si furnizues të kapitalit financiar;
si një njeri të së resë; si një vendim – marrës;
si një lider në një ose disa fusha të veprimtarisë ekonomike;
si një menaxher të pasurisë; si një organizator dhe bashkërendues të burimeve ekonomike;
si një pronar biznesi/biznesesh; si një punëdhënës i faktorëve të prodhimit;
si një kontraktor; si një pajtues i palëve të kundërta;
si një caktues të zot të burimeve midis disa përdorimeve alternative; dhe
si një person që realizon fillimin e një biznesi të ri.

I zgjedhuri së fundi si President i SHBA, Donald Trump është një prej tyre

Zgjedhja e politikave ekonomike dhe atyre fiskale në interes të grupeve të caktuara të interesit; kontrolli i pamjaftueshëm mbi veprimet negative të qeverisjes; dhe ,veçanërisht, mungesa e bashkëpunimit të qeverisë me sipërmarrësit; mospërmbushja e kërkesave të ligjit, pothuajse, në të gjitha nivelet; niveli i kalbur i sistemit të drejtësisë, pothuajse e kanë bërë të pamundur ecjen normale të sipërmarrjes shqiptare.

Ofertat korruptuese të funksioneve politike bazuar mbi lakminë, janë të pashkëputura nga kërkesat korruptuese të aktorëve ekonomikë. Mungesa e stabilitetit makroekonomik dhe mosmbledhja e të ardhurave fiskale të parashikuara, krijoi mundësinë e të fituarit “shpejt” në kushtet e një buxheti të pamjaftueshëm (me defiçit të konsiderueshëm) orientuar në ato sektorë që premtuan mitëmarrje më të mëdha.

Prania e korrupsionit i ka bërë sipërmarrësit shqiptarë të vetëdijshëm se do t’u kërkohet mitë/rentë para se ata të mund të nisin një sipërmarrje. Zyrtarë të korruptuar kanë pretenduar gjithnj pjesë nga fitimet e investimit të sipërmarrjes.

Prandaj sipërmarrësit shqiptarë korrupsionin e interpretojnë si një lloj tatimi që e ka zvogëluar nxitësin e tyre për të investuar, që e ka ulur investimin dhe vonuar rritjen ekonomike në një shkallë domethënëse.

Të lejosh çdo sipërmarrës të zgjedhë se si dëshiron të bashkëpunojë në ndarjen shoqërore të punës, nuk do të thotë që ta lesh tregun në lirinë e tij natyrore. Të lejosh konsumatorët të përcaktojnë atë çfarë duhet të prodhojnë sipërmarrësit, do të thotë se shqetësimi i vërtetë i politikanëve dhe ekonomistëve duhet të përqendrohet mbi ato veprime të qeverisë, që synojnë t’i orientojnë sipërmarrësit t’i venë në punë faktorët e prodhimit krejt ndryshe nga ajo mënyrë që duhet t’i bindet vetëm diktateve të një tregu të deformuar.

Sipas perceptimeve, informaliteti ka përmasa dramatike. Meqenëse një dukuri e tillë simbolizon shfaqjen e pakënaqësisë së tatimpaguesve kundrejt barrës së rëndë tatimore që u rëndon mbi shpatulla, për arsye se zëri i tyre nuk dëgjohet nga qeveria preferojnë daljen nga sistemi zyrtar për t’u strukur në informalitet që të heqin qafe barrën e rëndë tatimore.

Në këto kushte, tatimpaguesit e rregullt që kanë marrë hua nga bankat tregtare nuk kanë qenë në gjendje të shlyejnë detyrimet e tyre në masën dhe në kohën e duhur, duke rritur sasinë e huave të këqia dhe të riskut bankar të huadhënies. Pasojat janë të dukshme: është “penalizuar” kreditimi i ekonomisë.

Informaliteti është shkaku i vërtetë i pasigurisë së bankave tregtare për të kredituar komunitetin e biznesit dhe jo sikundër përpiqen ta “argumentojnë” disa me rënien e kërkesës konsumatore që natyrisht ka pjesën e saj.

Gjithashtu, informaliteti është një nga arsyet kryesore përse rreth 20 përqind e depozitave të shqiptarëve investohen jashtë kufijve të Shqipërisë. Madje me një përqindje interesi fare të thjeshtë, që varion nga 1 deri 1.5 për qind, ndërkohë që sipërmarrja shqiptare, ekonomia shqiptare, rritja ekonomike dhe zhvillimi i vendit kanë pasur aq shumë nevojë për këto para.

Rritja ekonomike mund të shpëtojë njerëz në masë nga varfëria, puna e vështirë dhe e mërzitshme, gjë që asgjë tjetër nuk e ka bërë; rritja ekonomike krijon, gjithashtu, burime për të mbështetur kujdesin shëndetsor, arsimin dhe të tjera qëllime të zhvillimit, në të cilat është e angazhuar bota në këtë shekull.

Shkurt: pikpamja se, rritja ekonomike, në qoftë se nuk është e mjaftueshme, është një kusht i domosdoshmëm për zhvillim më të gjërë dhe për zgjerimin e fushës së veprimit të individëve për të qenë krijues dhe prodhimtarë.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: