Home KRYESORE Çfarë do ndodhë tani me call-center? Flasin administratorët e kompanive në Shqipëri

Çfarë do ndodhë tani me call-center? Flasin administratorët e kompanive në Shqipëri

Administratorët e Call-Center në Shqipëri kanë folur për pasojat e ligjit italian.

Agron Shehaj, administrator i Intercom Data Service parashikon që në Shqipëri sektori do të shkojë drejt tkurrjes në rastin më të keq, në rastin më të mirë nuk rritet, ose do të zgjerohet më me vështirësi.

Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe administratore e Albacall tha se “hyrja në fuqi e këtij ligji, me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së”, thotë ajo.

Diego Pisa, administrator i Teleperformance, pohon se në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. “Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhë më”, thotë ai.

Ndërsa operatorët e mëdhenj pritet t’i mbijetojnë kësaj vale shtrënguese, do të jetë më e vështirë për të vegjlit.

Gentian Drenova nga Unioni i Shoqërive të Call Center pohoi se me amendimet në ligjin italian tregu do të formalizohet dhe shumë nga bizneset e vogla do të mbyllen dhe gjithashtu kërkesa për shërbime nga Italia do të bjerë.

Në Shqipëri numërohen mbi 800 kompani call center me mbi 25 mijë të punësuar.

Sipas të dhënave nga tatimet, për punëdhënësit më të mëdhenj, janë tre ndërmarrje call center që renditen në mesin e 10 kompanive që kanë më shumë të punësuar.

Ato janë Intercom Data Service (IDS), me rreth 3 000 të punësuar, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance), me përkatësisht rreth 2100 dhe 1800 të punësuar.

Tregi Marketing Group, Fiber, Professional Marketing Albania, Infocall, Fastcall renditen gjithashtu në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me nga 500-800 punonjës secila.

Call Center është sektori i katërt më i madh në vend, përsa i përket numrit të të punësuarve, pas tregtisë-shërbimeve, ndërtimit dhe industrisë që punon me material porositësi (fason), sipas të dhënave nga tatimet dhe Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e INSTAT.

Ky sektor ka sot rreth 7% të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave nga tatimet e INSTAT./opinion.al

Share: