Home KRYESORE FESTIVALI QË NUK ISHTE FESTIVAL!

FESTIVALI QË NUK ISHTE FESTIVAL!

Nga Enriko Ceko

Prej shumë vitesh festa e muzikës shqiptare, Festivali i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, nuk qenka më e tillë dhe arsyeja kryesore është se cilësia e këngëve që paraqiten para publikut është mjaft e ulët, shtuar këtu edhe disa arësye të tjera si mungesa e përgjegjësisë shtetërore për këtë veprimtari shumë të rëndësishme të artit dhe kulturës tonë kombëtare, paaftësia, korrupsioni në art në përgjithësi dhe në muzikë në veçanti, etj. Kjo bën që Festivali i Këngës në RTSH jo vetëm të mos shikohet më si festë e muzikës shqiptare por as edhe thjesht si një spektakël i radhës ku mund të paraqitet me paçavuret e veta kushdo.

Kjo sepse pritshmëria e publikut shqiptar është shtuar shumë vitet e fundit dhe kjo është një dukuri mjaft pozitive, e cila u vu re këto ditë të festivalit, ku mjaft qytetarë të thjeshtë të këtij vendi u shprehën me indinjatë për cilësinë e munguar të kësaj veprimtarie, ndër më të rëndësishmet kulturore në vend.

Prej vitesh festivalet e këngës në RTSH shfaqin vetëm pak shkëndija që shuhen menjëherë dhe asgjë nuk mbahet mend pas pak ditësh, as edhe një motiv, as edhe një rresht nga poezia, as një emër këngëtari, poeti e kompozitori, asgjë, asgjë, ndërsa qytetaria pret që nga viti në vit festivali të jetë më i mirë, më cilësor, më edukues dhe më me vlera qytetare e moderne.

Për këtë festë të muzikës shqiptare, që nuk ishte aspak festë, çdo gjë, çdo element ka vlera, kështu që nuk bëhet fjalë vetëm për aftësitë vokale të këngëtarëve, apo për kalimet interesante nëpër nota e orkestrimet me vegla e kakofoni të padëgjuar më parë. Jo. Kjo s’ka të bëjë fare me muzikën, me modernen, me artin. Janë të tëra, skena, regjia, dirigjentët, orkestra, prezantuesit, veshjet e këngëtareve dhe të të tjerëve, skenari e loja e prezantuesve dhe këngëtarëve, hapsira tjetër e kohës që vihet në dispozicion në mediat audiovizive në ditët e festivalit për këtë çështje, etj, etj.

Dhe, për hir të së vërtetës, në të tëra këto aspekte kishte defekte, gabime, gafa madhore e aspekte teknike konceptuale negative, duke filluar që nga qëndrimi skenik, nxjerrja e tingujve dhe fjalëve, mënyra se si këngëtarët përdorin teknologjinë, etj, që “plotësoheshin fare mirë” me megalomaninë e pajustifikuar të atyre që merren me organizimin e festivalit, megalomani që mund të jutifikohet vetëm me mbështetjen qeveritare për kryerjen e veprimeve dhe mosveprimeve të kësaj natyre.
Konkretisht.

1. Këngëtarët nuk dinë se si të mbajnë mikrofonin, i cili ka një kënd të caktuar ku përplaset zëri, në mënyrë që ai të dalë sa më mirë, kuptohet kur këndohet drejtpërsëdrejti. Kjo nuk falet në një veprimtari të tillë kombëtare, ku këngëtarët e përdredhin mikrofonin si të ishte akullore, kastravec apo banane ose diçka tjetër e kësaj natyre apo forme me shije të papërcaktuar, por që mesa duket u pëlqen këtyre që e mbajnë kështu mikrofonin, sidomos femrave “këngëtare”.

2. Të gjitha këngët pa asnjë përjashtim kanë probleme si në konceptim ashtu dhe në interpretim dhe kjo vetëm në kuadrin e asaj se kompozitorët, poetët, këngëtarët dhe orkestruesit e këngëve duhet që të paraqiten me diçka që nuk është bërë më parë. Kjo është edhe arsyeja që asnjë prej këngëve nuk mbahet mend një ditë pas festivait, sepse e reja, modernia, risia janë diçka krejt tjetër dhe shumë të ndryshme nga thirrjet e tejzgjatura me piskama e klithma e pasthirrma që mesa duket janë vendosur në këto këngë vetëm për të krijuar efekte afatshkurtëra, si një qëllim në vetvete, a thua se pjesa më e rëndësishme e këngës është pasthirrma e këlthitja e teksti i këngës na qenka thjesht një element plotësues.

3. Këngët pa përjashtim këndoheshin nga këngëtarë jo cilësorë që në më të shumtën e rasteve këndonin me vibrato të tmerrshme dhe me këlthitje në çdo rresht të poezisë (nëse mund të quhen poezi), kur dihet fare mirë se kënga shqiptare ka një veçori shumë të madhe krahasuar me këngët greke e sllave dhe kjo karakteristikë është që këngëtari në më të shumtën e kohës i bie notave “në kokë” (siç shprehemi ne që merrem me muzikë) dhe vetëm në shumë pak raste e momente të caktuara të këngës mund të bëhen disa vibrato jo të theksuara apo ndonjë klisando e këlthitje, gjithmonë kjo e justifikuar edhe me fjalën përkatëse të poezisë.

E theksoj se një nga karakteristikat e këngës së lehtë shqiptare është që këngëtarët të këndojnë çdo notë duke i rënë në kokë, një tipar i ngashëm ky edhe me muzikën angleze, por kurrsesi vibrato e klisando e këlthitje në çdo fjalë, që janë tipare kryesisht të këngës sllave e deri diku edhe të muzikës greke popullore apo edhe të kultivuar. Nëse ne nuk jemi në gjendje të bëjmë dallimin midis këngës shqiptare dhe asaj sllave e greke dhe nëse ne nuk jemi në gjendje të gjejmë atë që e bashkon muzikën shqiptare me këngën e vërtetë evropiane të rrymave të ndryshme pop, rock, hardrock, pophouse, houserock, etj, atëhere më mirë ta mbyllim këtë çështjen e festivalit dhe të mos organizojmë më të tilla ngjarje pa asnjë vlerë, se sa të kopjojmë në të tëra aspektet, por kryesisht nga ana vokale, këngëtarët sllavë e grekë.

4. Vendosja e veglave muzikore në momente të caktuara të këngëve le shumë për të dëshiruar, sikundër edhe përdorimi i zërave të ndryshëm gjatë këngës në shoqërimin e këngëtarit. Kishte këngë në të cilat kakofonia e veglave nuk shkonte fare me romanticitetin e teksteve dhe në disa këngë veglat muzikore nxirrnin tinguj të fortë atje ku këngëtari ulte zërin, sepse duhet të tregonte një farë intimiteti të këngës e ndjenjave që ajo përcjell, gjë që prishej nga forca e veglave. Në disa këngë tejzgjatja e lojës së veglave muzikore dhe thirrjet e këngëtarëve me zë operistik duket qartë se ishin vënë në këngë për efekt minutazhi e për të treguar forcat fizike të këngëtarëve se sa dhënien e emicioneve të një kënge të muzikës së lehtë te spektatori.

5. Në aspektin e këngëtarëve mund të thuhet pa asnjë pikë dyshimi se të tërë ata janë pa asnjë përvojë elementare sepse duhet fare mirë që kur fillon të këndosh të merret frymë thellë, në mënyrë që frymëmarrja të ndihmojë jo të pengojë për të çuar këngën deri në fund. Nëse nuk merret frymë thellë në fillim të këngës pa nxjerrë ende notat e para të saj, këngëtari shfaq mungesë përqendrimi dhe situata mund të shkojë edhe me keq në paaftësinë për të çuar deri në fund rreshtat e poezisë së këngës dhe kjo ndihet shumë sepse në asnjë nga këngët nuk dëgjoheshin fjalët e fundit të rreshtit të poezisë, sidomos kur rreshti mbaron me zanore dhe kjo sepse këngëtari nuk ka fuqi të këndojë sepse nuk di se si dhe ku të marrë frymë në fillim dhe gjatë këngës, dukuri që janë të pafalshme sot edhe në veprimtari amatore kalamanësh. Kjo bën që kënga të dalë tërësisht nga kontrolli dhe kjo jo vetëm për shkak të mangësive në teknikën e frymëmarjes por edhe për shkak të mungesës së intonacionit.

6. Në më të shumtën e këngëve fjalët nuk kuptohen ose tekstet janë ndërtuar në atë mënyrë që të mos kuptohet mesazhi që përcillet në publik, sepse kënga në fakt teorikisht duhet të përmbajë brenda një histori nga jeta jonë, jeta e njerëzve të thjeshtë dhe jo ndonjë renditje të fjalëve pa asnjë lidhje midis tyre, vetëm për të treguar se fjalët shoqërojnë melodinë, pasi në rastin e këngës së muzikës së kultivuar, ka shumë rëndësi lidhja midis tekstit dhe muzikës e jo dhënia e përparësisë së njërës apo tjetrës. Shtuar këtu edhe dukurinë që trajtuam më sipër që këngëtarët u hanë pjesën e fundit të tëra fjalëve pothuajse në të tërë rreshtat e poezisë, gjë që nuk është normale në këngët shqiptare.

7. “Këngëtarët” (këngëtarë u thënçin) nuk kanë aftësi vokale. Këta që “këndonin” ose më saktë bënin sikur këndonin, nxjerrin frymë e jo muzikë, ata gulçojnë, e thërrasin vend e pa vend dhe kjo bën që në veshin e dëgjuesve melodia të shkojë me humbje. Në fund të këngëve këngëtarët kanë pa përjashtim dridhje zëri, që vjen nga mungesa e përvojës, mosmarrja frymë atje ku duhet dhe nga ngarkesa emocionale, pavarësisht nga dëshira me të cilën ata e këndojnë këngën. Kjo bën që mënyra e të kënduarit të jetë më shumë një lloj recitimi me disa tinguj muzikorë aty-këtu, kombinuar shumë suksesshëm me stonime, që dominuan pothuajse tërë festivalin, gjë që tregon papjekuri totale jo vetëm të këngëtarëve, por edhe të krijuesve të këngës dhe atyre që i kanë përzgjedhur këto këngë për t’u paraqitur para publikut.

8. Mungon emocioni dhe lidhja e intimitetit të muzikës e poezive së këngëve me lojën e interpretuesve. Këngët nuk kanë asgjë të përbashkët më jetën e thjeshtë të qytetarëve të këtij vendi. Kjo jo se poezitë nuk flasin për ngjarje jetësore, por sepse këto ngjarje jetësore janë shumë specifike e jo të përbashkëta për ne shqiptarët. Kjo shëmti muzikore duket sikur u thotë qytetarëve se nuk na duhen më këngët për nënat e baballarët, mjekun e mësuesin, bashkëshorten e fëmijët, apo për punën e dashurinë, por jeta qenka vetëm tradhëti, mashtrime, pisllëqe e thika pas shpine. A thua se shqiptarët paskan qenë maskarenjtë e maskarenjve të lësaj bote.

9. E kam theksuar edhe disa herë të tjera në shkrime të ndryshme se këngëtarëve që dalin në festivale vitet e fundit u mungon “stamina”. “Stamina” është aftësia për të përqendruar vëmendjen, forcat, energjitë, në një njësi të caktuar kohe për të kryer një punë me qëndrueshmëri dhe në rastin tonë në realizimin e këngës. Kjo tregon jo vetëm aftësitë fizike e teknikën e këngëtarit, por edhe aftësitë mendore dhe intelektuale. Shkurt në këtë aspekt mendoj se këngëtarët kanë mangësi serioze trunore. Një njeri me mend në kokë nuk del përpara publikut në sallë dhe në transmetim drejtpërsëdrejti përpara mijëra qytetarëve me këto mangësi katastrofike.

Si nuk doli një këngëtar me përvojë e një regjizor, aktor apo koreograf që t’u mësonte këtyre diletantëve delirantë si hapet goja, si mbahen e kontrollohen emocionet, si duhet të përqendrohesh për të ruajtur intonacionin dhe regjistrin e zërit, se si lëvizet në skenë e si komunikohet në skenë me publikun, etj. Kjo bëri që në festival kishte shumë mendjemadhësi, megalomani, veprime të pakontrolluara, shprehje e fjalor jo të zgjedhur në skenë nga ana e prezantuesve dhe të tjerëve në skenë, së bashku me problemet e regjisë televizive.

10. Në disa këngë u vu re se orkestrimi ishte i mirë, por jo gjatë tërë këngës. Kishte këngë që fillonin mirë dhe më tej u ikte shprehia që vjen nga kombinimi i veglave muzikore dhe në disa të tjera fillimi ishte shumë për të dëshëruar dhe kënga rregullohej disi nga mesi dhe më tej përsëri kënga binte në hullinë e mosrakodrimit të të tërë elementeve të saj, kryesisht të veglave me njëra tjetrën. Shtuar këtu edhe problemet madhore me foninë.

11. Në këtë festival pati ngatërrim të koncepteve të baladës, këngës ritmike, këngës së shtruar, etj, dhe me këtë dua të them se atje ku nuk pritet këngëtari shpërthen pa asnjë motiv dhe atje ku nuk është e konceptueshme nga askush, dëgjohen tinguj e vegla pa lidhje me kontekstin e pjesës/këngës që luhet në skenë, shtuar këtu edhe ndërhyrjet e kompleksit, të pastudiuara e të pa motivuara, duket nga nxitimi për të vënë kompleks në disa këngë, që të duken më të plota.

12. Në disa punime kishte mungesë totale të vlerave artistike që përmbledh një këngë, apo mungesa e mangësi në disa prej elementeve të rëndësishëm që përbëjnë këngën. Motivet e disa këngëve të kujtojnë krijimet e disa dhjetëra viteve të shkuara apo diku diku edhe ndonjë notë franceze e italiane, pavarësisht se ato ishin mbuluar me një të luajtur të ndonjë vegle muzikore.

13. Këngët më të mira? Sa pak, për të mos thënë aspak. Në festivalet e dikurshme këngët e mira që mbaheshin mend sapo mbaronte festivali ishin më shumë se gishtat e dy duarve, e në disa raste edhe me gishtat e këmbëve bashkë, ndërsa te ky i fundit vetëm një a dy këngë mund të quhen me vështirësi këngë, por në asnjë mënyrë këngë shqiptare, sepse asnjë prej tyre nuk spikati me motivet e këngëve tona burimore, ose të paktën nuk u kuptua nga ana e publikut. Ritmi, melodia, natyra e këngës shqipe janë mjaft të rëndësishme në një festival kombëtar të RTSH-së. Melodia e thjeshtë, mënyra e ndërtimit të këngës me nota e akorde që kalonjnë mjaft lirshëm nga njëri te tjetri, gjë që e bën këngën të kapshme dhe të lehtë për t‘u interpretuar, janë karakteristikat më të mira të këngëve tona. Por kjo nuk u pa pothuajse në asnjë këngë të këtij festivali.

14. Anormale është mungesa në juri e profesionistëve të muzikës së lehtë shqiptare, por zaten kur në festival mungojnë këngët e vërteta shqiptare nuk ka se përse të duhen profesionistët në juri. Këtu të paktën organizatorët e festivalit kanë qëlluar në shenjë. Më mirë figura apo emra të mëdhenj po asnjë profesionist i muzikës së lehtë, që të bëjmë ç’të duam me çmimet.

15. Skenari i festivalit, asnjë emocion dhe asnjë efekt, kombinuar rekuizitën tepër ekstravagante për publikun qytetar shqiptar, ngritje në piedestal të personit/individit si në aspektin e prezantuesve dhe në aspektin e disa këngëtarëve, që të sjell ndjenjën e mbylljes së televizorit apo kalimin në një kanal tjetër.

Kështu pra, vetëm me një a dy këngë mbi mesataren dhe me disa sekuenca të këngëve të viteve të shkuara, shtuar këtu edhe fundshpinën e tylosur, veprimtaria në fjalë mund të jetë çdo gjë, por kurrësesi nuk mund të quhet festival i këngës shqiptare. Padyshim që kjo veprimtari ishte një mënyrë mjaft e dukshme se si mund të shpërdorohen paratë e taksapaguesve në Shqipëri dhe se si tallen ata që organizojnë festivalin … me vehten e tyre, se me qytetarët vështirë të tallesh sot.

Kjo ngjarje e shëmtuar në jetën artistike dhe kulturore në vend e ka pak dorëheqjen e atyre që u morrën me organizimin e këtij festivali, që në fakt vetëm festival nuk ishte.

Share: