Home KRYESORE Mediat italiane: Shqipëria, “Las Vegasi” i call center, si të rinjtë shqiptarë...

Mediat italiane: Shqipëria, “Las Vegasi” i call center, si të rinjtë shqiptarë po e fitonin betejën

Prej muajsh, mediat italiane po ziejnë nga lajmet për problemet që po kalojnë kompanitë call center në Itali dhe rrezikun e humbjes së 80 mijë vendeve të punës. Shqipëria fajësohet hapur për këtë situatë, pasi ka ulur ndjeshëm çmimet e shërbimit, duke i bërë kompanitë që kanë aktivitetin në Itali jokonkurruese.

“Për të kuptuar se sa po vuan sektori, mjafton të shohësh se çfarë ndodh në anën tjetër të Adriatikut, ku – në Shqipëri – call center po lulëzojnë, duke ofruar të njëjtat shërbime, me çmime të ulëta. Çmimet kaq të ulëta i kanë bindur tashmë kompani të ndryshme italiane që të prishin kontratat për të emigruar në Shqipëri”, shkruan ‘La Repubblica’ në një artikull të tetorit të këtij viti. Më herët, kjo gazetë kishte publikuar një artikull me titullin “Në call center shqiptare, ku po punësohet gjithnjë e më shumë, ndërsa në Itali ka shkurtime”.

“Mirë se vini në Las Vegasin e call center, thuhet ndër të tjera në artikullin e ‘La Repubblica’.

Rreth njëzet qendra të mëdha e të mesme të thirrjeve telefonike, kryesisht me pronësi italiane, punojnë për porositë e Vodafone Group, Sky, Enel, Fastweb, ACEA apo ndonjë institucion publik, dhe mbi treqind kompani më të vogla, shpesh mikroskopike, punojnë si nënkontraktorë. Ky është praktikisht biznesi kryesor i ekonomisë shqiptare, me një peshë të madhe në prodhimin e brendshëm bruto, dhe punëson mbi 25 mijë punëtorë të cilët çdo ditë vënë kufje dhe mikrofon për të folur në telefon me Italinë. Një ushtri e djemve dhe vajzave të cilët, me pavetëdije, janë duke luftuar në luftën e call center. Dhe ata janë duke e fituar.

Në artikull merret si shembull Fiber ICT, që ka 6 seli në Tiranë dhe 600 të punësuar. Ajo është në pronësi të një biznesmeni italian, Daniele Volpe, i cili tregon se “dëshira për të ecur para e shqiptarëve është shumë e madhe dhe janë një popull kryesisht i ri dhe me një shkallë shumë të lartë të arsimit”.

Operatorët e Fiber janë pothuajse të gjithë të diplomuar ose studentë, që flasin mesatarisht tri gjuhë dhe fitojnë (me kontrata me afat të caktuar dhe kombinime të 4, 6 dhe 8 orë), nga një minimum prej 250 eurosh në muaj (plus bonus) në një maksimum prej 500 eurosh për profesionistët. Duke pasur parasysh koston e jetesës në Shqipëri (qiraja minimale e një banese, është rreth 70 euro në muaj), me 500 euro ju mund të mendoni edhe për fillimin e një familjeje.

“Por kjo nuk është vetëm çështja e kostove më të ulëta të punës – shpjegon Volpe – këtu ju mund të mbështeteni në një fleksibilitet që në Itali e kemi ëndërr. Shqipëria është një ekonomi në rritje. Për të thënë një element, vendi është tërësisht i mbuluar me fibra optike dhe pas call center janë duke ardhur gjithashtu kompanitë e para shumëkombëshe me investimet e tyre”.

Ikja e vendeve të punës ka bër që qeveria itaiane të bëjë disa amendime në projektligjit kundër delokalizimit të shërbimeve call center, që pritet të diskutohen nga senati në 6 dhjetor.

Giampiero Falasca shkruan se rishikimi i ligjit tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit.

Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, janë forcuar normat që rregullojnë fenomenin e delokalizimit./dita.al

Share: