Home KRYESORE Nesër ndoshta ai që drejton shtetin tonë të molepsur nga hija e...

Nesër ndoshta ai që drejton shtetin tonë të molepsur nga hija e fukarallëkut do të shesë peshq…

Nga Miranda Haxhia

Daj’ Neimi ka qenë shofer me një skodë të madhe. Ne mburreshim kur vinte ai, sepse na bënte një xhiro deri te fundi i rrugës. Nuk na vinte keq që ktheheshim në këmbë, se kishim udhëtuar mbi lëkurën e zezë të motorit të madh, ose në vendin krah tij.

Vëllai e prekte ndonjëherë timonin, kurse ne, nuk guxonim. Daj’Neimi shkelqente mbi ate makine e dukej i paprekshem. Sepse ishte shume i zoti ne profesion. Asnje gjobe nuk kishte marre. Dhe me atë skodë punonte dhe mbante familjen e tij të varfër. Disa dite me radhe e pritem te kalonte me skode, por nuk u duk.

Një ditë e pashë që erdhi në fshatin tonë me një thes të madh. E zbrazi në mes të sheshit dhe, kush kalonte pranë tij, blinte një varg me peshq të vegjël, futur njëri pas tjetrit në një fill xane.

M’u duk i zvogëluar, i vjetër dhe i kërrusur. Ne u grumbulluam pranë tij. E mbronim nga disa harakatë që donin të vidhnin vargjet e peshkut.

Në darkë, babi na tha se daj’Neimit ia morën skodën. Nuk do punojë më. Mbeti pa makinë, pa punë, pa rrogë. Nuk e imagjinoja dot duke shitur peshq për dy lek vargun.

Kjo ngjarje m’u kujtua sot, kur bisedova me vëllanë tim në telefon. ‘Si je? Me se po merresh?’ Sikur të fliste nga fundi i ndonjë oqeani, më tha ngadalë, me një fije gëzimi: ‘Ja, kam zbritur në lumë, mos zë ndonjë peshk. U bë kohë e gjatë që nuk gjej dot punë. Po afron dhe Viti i Ri e nuk di… hej, po nuk zura dot, je ti tersi…’

Mbeta pa fjalë. Nuk dita si ta ngushëlloj apo ta përgëzoj. Koshit të tij, ndoshta ia derdh peshqit Jezusi, si në rrëfimin e Biblës, por, përtej kësaj, mendova, mos është përsëritja e ngjarjeve një rutinë e këtij vendi idiot dhe që ka më shumë ‘pordhë’ sesa të ndenjura njerëzish për të bërë shtetin.

Nuk jam e inatosur me ngjarjet, me ndërprerjet e fateve si një fill radiogrami, përkundrazi, ato kanë ndodhur dhe do të ndodhin, sepse ne ‘gëzojmë që qëndrojmë mbi motorin e ngrohtë të një skode’, pa menduar që shoferi i saj është i përkohshëm.

Nesër, ndoshta edhe ai që drejton shtetin tonë të molepsur nga hija e fukarallëkut do të shesë peshq… ose do t’i vizatojë ata, me ëndrrën se është një Jezus i zbritur në jetën tonë langaraqe.

Sidomos tani, në prag festash… kur shesin dokrra dhe shpërndajnë dhurata për kalamajtë. /m.h.

Share: