Home KRYESORE Profili i Bilal Kasamit që po sfidon liderët e vjetëruar shqiptarë dhe...

Profili i Bilal Kasamit që po sfidon liderët e vjetëruar shqiptarë dhe BESA…

Kush është kreu i lëvizjes Besa, që akuzohet se po përdor fenë islame, se financohet nga Erdogani, por akuzon si tradhëtarë Thaçin dhe Ali Ahmetin.

Bilal Kasami mund të jetë njeriu surprizë, mes politikanëve shqiptarë që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni. Në mitingun përmbyllës së fushatës elektorale shumë shqiptarë krahasuan në Facebook, mbushjen e sheshit qëndror të Tetovës.
Dhe partia e Kasamit, Lëvizja Besa e themeluar në vitin 2014, rrezultonte se kish mbledhur më shumë fansa në, se partia që vjen nga lufta DBI e Ali Ahmetit.
Por çudia e Besës nuk qëndron vetëm këtu. Javëve të fundit ajo është vënë në qendër të polemikave edhe sepse ka vënë besimin fetar në programin e saj, apo se është akuzuar se financohet në mënytë të paligjshme nga autokrati turk Taip Rexhep Erdogan.
Natyrisht, Bilal Kasami, është munduar ti relativizojë këto akuza duke thënë se besimi fetar nuk mohohet as në vendet e zhvilluar perendimore dhe se fjalët e përhapura për burime të ardhurash nga Ankaraja janë vetëm thashetheme.
Por ai është vënë gjithashtu në qendër të kritikave edhe për faktin se i fshikullon ashpër liderët e partive të vjetra të shqiptarëve duke i akuzuar se kanë tradhëtuar interest e bashkëkombasve të tyre.
Ai pretendon se ata kanë dështuar për t’i shërbyer bazës së votuesve, duke i akuzuar PDSH dhe BDI-në  se po funksionojnë pak më shumë si korporata private që i shërbejnë interesave të udhëheqësve të tyre, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit.
Po kush është në të vërtetë Bilal Kasami?
Pak javë më parë gazetarja Semra Musai e BIRN Maqedonisë, i vizatoi një portret këtij lideri surprizë të lindur në vitin 1975 në Tetovë. Sipas tij ky i diplomuar si ekonomist në Universitetin e Shkupit, është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Ai hyri fillimisht në politikë në fillim të vitit 2000 dhe shërbeu si sekretar i shtetit i BDI-së në Ministrinë e Ekonomisë midis vitit 2004 dhe 2006, si pjesë e një koalicioni qeveritar. Ai kaloi dy vitet duke punuar si zyrtar i lartë në Drejtorinë Doganore të Maqedonisë.
Por Kasami u largua nga BDI në vitin 2008, duke pretenduar se ajo kishte devijuar nga platforma e saj thelbësore që ishte të siguronte më shumë të drejta për shqiptarët. Kasami më pas punoi si asistent profesor në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup deri në rikthimin e tij në politikë në vitin 2014.
Ai thotë se u ndje i detyruar të rikthehej në politikë, duke pretenduar se shqiptarët etnikë ishin poshtëruar, sepse financimet dhe investimet, thotë ai, bëheshin për popullsitë me shumicë maqedonase.
Sipas liderit të Besës Maqedonia funksionon si një shtet mono-etnik dhe institucionet e saj nuk e pasqyrojnë realitetin multi-etnik të vendit. Sipas Kasamit, më shumë se 40 për qind e popullsisë është e përbërë nga grupe të ndryshme etnike të ndryshme nga maqedonasit.
“Ne nuk mund të tolerojmë më gjatë që zyrat më të rëndësishme shtetërore të mbahen ekskluzivisht vetëm nga komuniteti maqedonas. Për sa kohë që postet et larta politike si ai i presidentit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, ministrit të brendshëm, atij të financave dhe ministrit të jashtëm, nuk janë mbajtur kurrë nga shqiptarët etnikë, Maqedonia do të përballet me një krizë të thellë politike çdo 10 ose 15 vjet” ka thënë ai për BIRN.
Kasami beson gjithashtu se është koha për të riparë dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit të shkurtër të armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave maqedonase të sigurisë.
Ndërsa e përshkruan Ohrin si një marrëveshje që i dha shqiptarëve të drejta të plota, Kasami thotë se 15 vjet më vonë ajo ende nuk është zbatuar siç duhet dhe se gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është përkeqësuar që nga viti 2001.
Për të arritur qëllimet e tij ambicioze Kasami ka krijuar një formacion politik të një lloji tjetër, ku vendimet merren në mënyrë të hapur dhe me më shumë demokraci të brendëshme. Partia Besa është formuar kryesisht nga intelektualë të rinj, të cilët kanë studiuar në vendet perëndimore. Drejtuesit e saj, mendohet se nuk i njohin komplekset e pararadhësve të tyre ndaj maqedonëve dhe e shohin shpëtimin e shtetit të tyre tek balancimi i pushtetit në Maqedoni.
Por ndërsa drejtimi kolegjal i Bilal Kasamit është një hop pozitiv për liderët shqipëtarë të Maqedonisë, shumë shpejt ai mund të kthehet edhe në një handikap, në një vend të mësuar me imazhin e liderit të fortë. Për shumëkënd ai nuk konsiderohet si një udhëheqës i natyrshëm dhe kritikët i përmendin shpesh se ai rrezikohet nga mungesa e karizmës, eksperiencës politike dhe pushtetit politik në partinë që ai drejton. Pikërisht për këto, elita e vjetër e shqiptarëve e shikon me mosbesim faktin se ai mund të jetë një kundërshtar serioz që të lërë në hije karrierën e Ali Ahmetit apo atë të Menduh Thaçit.
Share: