Home KRYESORE Roshi çon “dekriminalizimin” në Gjykatën Kushtetuese. A do të rrëzohet ligji?

Roshi çon “dekriminalizimin” në Gjykatën Kushtetuese. A do të rrëzohet ligji?

Vendimi i së enjtes i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit për kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi dhe dy deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, ka sjell dhe një tjetër ngërç juridik, i cili mund të çojë deri në rrëzimin e gjithë ligjit të Dekriminalizimit.

I kontaktuar nga Top Channel, avokati mbrojtësi i Elvis Roshit, Theodhori Sollaku ka konfirmuar se do të ankimohet vendimi i KQZ-së, referuar nenit 115 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Por ajo që Sollaku ka konfirmuar tjetër, është se kërkesa që ai pritet të depozitojë në Gjykatë, do të përmbajë papajtueshmërinë e ligjit, të ashtuquajtur të dekrimnalizimit, me Kushtetutën. Duke marrë parasysh dhe faktin se shumë herë është thënë, nga juristë por edhe politikan se ky ligj është më i ashpri në botë dhe në kufjitë e anti-kushtetueshmërisë, një analizë e tij nga Gjykata Kushtetuese mund të çonte dhe në rrëzimin e ligjit.

Më e komplikuar duket situata për deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, të cilët për shkak të mosparashikimit në ligj të ankimimit, ende nuk janë të qartë se ku do depozitojnë kërkesën e tyre, në kolegjin zgjedhor, siç parashikon Kodi Zgjedhor apo në Gjykatën Administrative, duke qënë se vendimi i KQZ, konsiderohet si akt administrativ.

Por pavarësisht përplasjeve ligjore dhe ankimimeve të mundshme, Kryeministri Rama ka firmosur pasditen e së enjtes shkarkimin e Elvis Rroshit, i cili do t’i dërgohet Presidentit Bujar Nishani. Ky i fundit, duhet të shpallë zgjedhjet në Kavajë jo më parë se 30 ditë e jo më vonë se 45 ditë nga marrja e njoftimit zyrtar. Por ky afat më shumë gjasa do të shtyhet, duke marrë parasysh dhe vendimin e Rroshit dhe avokateve të tij për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Edhe mbledhja e KQZ për zëvendësimin e deputetëve Tahiri dhe Selami do të jetë në varësi të ankimimeve të dy deputetëve./tch

Share: