Home KRYESORE Të gjithë i vrasin nga pak gratë

Të gjithë i vrasin nga pak gratë

Riviera Dedaj

Burri vret gruan në Fier, Kuçovë, Tiranë, Lezhë, Korçë, burri vret gruan kudo dhe si do…Shoqëria tronditet shkruan pafund në rrjetet sociale, bën muhabet në kafe duke i risjellë njëri-tjetrit në vemendje skenat makabre që ka lexuar në portale dhe kaq… Po institucionet a ekzistojnë? Jo në fakt, ekziston politika, por institucionet sociale dhe ligjzbatuese janë rrallë në shërbim të individit.

Në përpjekje që vrasja e Liljanës, nënës së dy fëmijëve të mitur në Fier të mos kalojë shpejt në një statistikë, radhisin disa probleme që kanë nevojë për trajtim.

Vrasja e saj ishte monstruoze por edhe historia e saj familjare akoma më e zezë. Xhelozia dhe varfëria rezultojnë të jenë shkaqet e mëdha të vrasjeve të grave. Debatet pafund në çift dhe mungesa e një zgjidhjeje për jetën, ka çuar shumë njerëz në depresion dhe akoma më keq në psikopati.

A nuk ishte kështu rasti i Ferdinant Rukos? 52-vjeçari kishte kaluar jetën në emigracion në Greqi, por pa arritur të sigurojë kushtet minimale të jetesës për familjen, gruan dhe dy fëmijët e mitur. Këtë vit, familja ishte nisur për azil në Gjermani dhe para dy muajsh ishte kthyer në pamundësi për të nisur jetën në Europë.

Siç kanë treguar ata që i njihnin, Liljana ishte e vetmja që sillte të ardhura për momentin në shtëpi. Ajo punonte rrobaqepëse pranë biznesit të ngritur nga i vëllai.

E pra papunësia dhe xhelozia. E para si një plagë ku po kalon ekonomia e vendit e dyta si një plagë akoma më e thellë e shoqërisë. Fakti që akti barbar ka në sfond nuance erotike, pasi 43 vjeçarja përfundoi e zhveshur në sheshin e pallatit tregon për zënka xhelozie. Burrat shqiptarë edhe pse mund të kenë parë botë me sy kanë mbetur në thelb ata patriarkalët e paeemancipuar. Jo të gjithë sigurisht! Por një pjesë e mirë e rasteve të dhunës në familje tregojnë se janë kryer nga burrat e emigracionit. Ata kanë dyshuar në nderin e gruas, kanë dëgjuar thashethemet.

Më thoni: A nuk jetojmë secili prej nesh edhe për sytë e botës?!

Jemi gati të bëjmë gjithçka që të mos na dëgjojë komshia, të mos na marrin nëpër gojë, pa shtëpisë flaka ti bjerë. Jemi të gjithë gati të ndëshkojmë sipas oreksit, gratë sigurisht këtë “shtazën vrasëse” dhe burrat sigurisht këtë “kurvën” që tradhtonte burrin. E pra ne nuk jemi më pak të dhunshëm se Ferdinanti. Ne jemi një shoqëri maskiliste, e paedukuar, egoiste, patriarkale, thashethemexhinj.

Kështu rasti i Liljanës që vdiq në mënyrën më të tmerrshme të mundshme ka gjasa të përsëritet. Ka pak shpresa se diçka do ndryshojë pas këtij rasti. Ka pak shpresa se ministrat e deputetët nuk do të turren sërish të fajësojnë: Hë kush e vrau? Gjyqtari që nuk zbardhi vendimin? Apo polici që i trajton si kurva gratë që ankohen për burrat në polici? Apo gratë politikane dhe gratë e shoqatave që këto i kanë raste për publicitet dhe të mira materiale.

Liljana iku si të ishte një plaçkë e pavlerë. Edhe pse kishte sjellë në jetë dy fëmijë dhe punonte çdo ditë për ti ushqyer, jetonte me dinjitet në qytetin e saj me punë të ndershme. Duket se nuk ishte kështu brenda mureve ku e priste burracaku i pazotë dhe i paplotësuar që të vetmin pushtet në jetë kishte atë mbi Liljanën. Edhe pse ajo kishte denoncuar dhunën, kishte kërkuar urdhër-mbrojtje, askush nuk e mbrojti. Po sonte, nesër, pasnesër, kush i mbron “liljanat” që rrihen brutalisht në familje dhe mund të jenë viktima? (Pa dashur të lusim asnjë të keqe, por thjesht me dëshirën e madhe që asnjë rast i tillë të mos kalojë në heshtje dhe pa përgjegjës…) /Opinion.al

Share: