Home KRYESORE Vlahutin paralajmëron Ramën: Shërbimet që pritet të vijnë në janar

Vlahutin paralajmëron Ramën: Shërbimet që pritet të vijnë në janar

Bashkimi Europian këmbëngul në faktin që Vettingu duhet të japë rezultatet e para, në mënyrë që edhe institucionet evropiane të vendosin për hapjen e negociatave ndaj Shqipërisë.

Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin, deklaroi sonte në Top Story nënvizoi se hapja e negociatave varet nga rezultatet që do të tregojë Shqipëria. “Kjo do të thotë që është shumë e qartë se çfarë pret BE nga Shqipëria”, u shpreh Vlahutin.

 “Baza, themelet e standardeve tona do të vazhdojnë dhe do të qëndrojnë me Shqipërinë deri në fund, deri në momentin që Shqipëria do të bëhet vend anëtar. Në mënyrë që të hapen negociatat është tërësisht e rëndësishme që të zbatohet Vettingu”, sqaroi Vlahutin me gjuhë diplomatike.

Ne, tha më tej Vlahutin, po kërkojmë instrumente përsa i përket gjithë sektorit të sundimit të ligjit, që do të thotë që nga janari shërbimet tona nga Brukseli do të vijnë këtu në Tiranë dhe do të shohin sesi mund ta ndihmojmë ne Shqipërinë që të përqendrohet tek zbatimi i kësaj reforme.

“Ju e dini që nuk bëhet fjalë vetëm për angazhimin e drejtorisë së përgjithshme që merret me zgjerimin, por edhe drejtoria e drejtësisë, e çështjeve të brendshme dhe gjithë ato që kanë të bëjnë me kapitujt 23 dhe 24. Pra, ne dëshirojmë të gjejmë një mënyrë që të kemi angazhim më të thellë me Shqipërinë dhe sidomos për këtë vit zgjedhor ne të mund t’i mbajmë të gjithë të përqendruar për atë që duhet bërë në reformën në drejtësi”, u shpreh Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin.

E pyetur nëse janë zgjedhjet apo është vetëm reforma në drejtësi kushti i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për të hedhur hapin e radhës drejt BE, Vlahutin tha se ka një rekomandim pozitiv që të hapen negociatat me Shqipërinë, por është thelbësore që të fillojë Vettingu dhe të jepen rezultatet.

“Ky është hapi i parë. Pesë prioritetet do të vazhdojnë të qëndrojnë me ne deri në fund dhe ajo që është shumë e rëndësishme dhe që ne e marrim si të mirëqënë, është progresi. Pra do të vazhdohet më tej, nuk do të ketë kthim pas, nuk do të ketë qëndrim në vendnumëro. Pra duhet të ketë progres, sadopak por i dukshëm. Sa u përket zgjedhjeve, kjo ka të bëjë me demokracinë. Nuk është kusht në vetvete, por ne e marrim për të mirëqënë, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë të bëjnë me vlerat demokratike të një vendi”, deklaroi Vlahutin.

Share: