Home KRYESORE Ben Blushi: Ramush Haradinaj pa paguan demokracinë e munguar ne Kosove

Ben Blushi: Ramush Haradinaj pa paguan demokracinë e munguar ne Kosove

Arrestimin e Ramush Haradinajt e ka komentuar edhe kreu i LIBRA-s, deputeti Ben Blushi.

Në një koment në Facebook, Blushi thotë se kjo është një çështje që lidhet me të ardhmen dhe jo të shkuarën.

“Arrestimi i Ramush Haradinaj në Francë nuk është një vendim Gjykate por është dëshmi e Kohëve që po ndryshojnë. Ndalimi i tij i papritur nuk është një pagesë ndaj të shkuarës, por është një çmim mbi të ardhmen.

Jam i bindur që Ramushi do të lirohet por çështja është çfarë ndodh në Kosovë dhe në rajon në vitet që vijnë. Natyrisht kjo ngjarje do ketë ndikim në politikën e brendshme në Prishtinë, në sentimentet e kosovarëve ndaj Europës të cilat po dobësohen përditë duke i lenë hapësirë ekstremeve ideologjike dhe atyre fetare.

Pavarësisht të gjithave, Kosova do mbetet e pavarur, por çështja është çfarë drejtimi do ketë demokracia e saj dhe mbi të gjitha çfarë cilësie.

Ne vende të vogla ndryshimi i Kohës Politike ka efekte të Mëdha. Kosova nuk bën përjashtim. Demokracia dhe Liria nuk janë një dhuratë e përjetshme. Ato duhet ti fitosh përditë.

Lirinë e sjellin çlirimtarët si Ramushi, por Demokracinë e mbajnë demokratët që sot në Kosovë janë pakicë. Kur Ramushi të lirohet, Kosova nuk do jetë më ajo që është sot.

Ka shumë vende të Botës që e kanë pranuar Kosovën si një vend i pavarur, por nuk janë gati ta njohin si një shoqëri demokratike. Ky është çmimi që po paguan Ramushi. Kosova duhet ti jetë mirënjohëse!” – shkruan Blushi.

Share: