Home KRYESORE Drejtoria e Emergjencave: Firmat private nuk pastruan rrugët!

Drejtoria e Emergjencave: Firmat private nuk pastruan rrugët!

Institucionet shtetërore ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës për situatën e bllokimit të rrugëve. Megjithëse shteti shqiptar shpenzon rreth 20 milionë dollarë në vit për mirëmbajtjen e akseve, institucionet përgjegjëse, apo firmat e kontraktuara, kujtohen vetëm kur është moti i keq.

Në fund, askush nuk mban përgjegjësi. “Fiks Fare” ndoqi për të dytën ditë me radhë situatën e shkaktuar nga bora dhe moti i keq. Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën dhjetëra video nga i gjithë vendi. Banorët e fshatit Radovesh, në Gollobordë, kanë denoncuar mungesën e ndihmës nga strukturat shtetërore me anë të një videoje. Ata e kanë hapur vetë rrugën e bllokuar nga bora.

Ndërkohë, në një video tjetër nga banorët e njësisë administrative të Shupenzës, 100 metra nga rruga kryesore, duket rruga e bllokuar nga dëbora. Në fshatin Borje, komuna e Shishtavecit, të gjithë banorët kanë dalë me lopata në duar dhe kanë filluar të hapur rrugët. Në emisionin e së hënës, Fiksi transmetoi dy akse problematike, atë nga Elbasani deri në Korçë dhe aksin nga Bulqiza deri në Peshkopi.

Për të gjitha këto problematike dhe për dëshmitë që që sollëm për mosmirëmbajtjen e rrugëve, Fiks Fare pyeti drejtorin e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, dhe drejtorin e Mirëmbajtjes së Rrugëve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Spartak Tarka. Megjithatë, ashtu siç edhe pritej, dy drejtorët shtetërorë kishin pretendime të ndryshme për bllokimin e rrugëve. I pari, Prençi, akuzoi direkt firmat private, të cilat kanë fituar tenderët e mirëmbajtjes së rrugëve për situatën në vend. Ai tha se është e papranueshme që disa firma të mos dalin fare në terren.

Sipas tij, Emergjencat Civile kanë dalë vetë në terren duke pastruar rrugët. Ai tha se në aksin Koplik – Bogë dhe Dedaj – Razëm, i gjatë prej 44 kilometrash, nuk është zhbllokuar nga firma që ka fituar tenderin. “Fiksi” e pyeti z.Prençi se përse nuk merren masa në kohë, ndërsa ai iu përgjigj se Emergjencat Civile vetëm sa monitorojnë punën e këtyre firmave dhe se masat i takojnë Autoritetit Rrugor. Më tej shtoi se në terren kanë dalë edhe mjete të ushtrisë, pikërisht në akse që duhet të pastrohen në privatet.

“Është e pafalshme që disa administratorë firmash nuk shkojnë fare në këto akse” vijon drejtori i Emergjencave Civile. Ai përmend se mjete të ushtrisë, por edhe të Emergjencave Civile, kanë ndërhyrë në Shkodër, Koplik, Pukë, Peshkopi, Bulqizë, Fushë Arrës etj, etj me mjetë të tyre, ndërkohë që firmat private “flinin gjumë”. Fiksi e pyeti se, në këtë rast, shteti paguan dy herë, një herë iu jep lekë firmave që duhet të mirëmbajnë rrugët dhe një herë për shpenzimet e mjeteve të Emergjencave apo të ushtrisë. Zoti Prençi tha se shteti ndërhyn kur situata ka dalë jashtë kontrollit, në situata shumë emergjente, çka është në rajonin e veriut.

“Fiks Fare” mësoi nga Emergjencat Civile se, deri në datën 9, janë rreth 10 rrugë në Shqipëri që firmat private kanë ndërhyrë shumë pak. Ato janë hapur pjesërisht nga mjete të ushtrisë. Sipas Emergjencave, problem është aksi Koplik – Bogë + Dedaj – Razëm i gjatë 44.2 kilometra. Nga Kopliku deri në Razëm është hapur nga Emergjencat Civile. Për këtë rrugë janë shpenzuar rreth 800 milionë lekë të vjetra mirëmbajtje për dy vjet.

Problem është edhe aksi Muhurr – Arras – Zall Dardh. Firmat kontraktore nuk e kanë hapur. Ndërkohë, në këtë aks ka ndërhyrë edhe ushtria me mjetet e tyre. Rrugët e tjera me probleme janë aksi Hani i Hotit – Tamarë, aksi Tamarë – Vermosh, Bajram Curri – Valbonë, Kukës – Shishtavec, Kukës – Bushtricë – Kala e Dodës – Peshkopi, Fushë Arrës – Qafë Mali – Qafë Shllak – Kalimash, Vau Dejës – Komsiqe – Pukë – Fushë Arrës dhe Lin – Pogradec.

Pas pretendimeve të Emergjencave Civile, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Spartak Tarka, tha se gjendja e rrugëve, deri në datën 10 janar, është e mirë dhe se akset që janë tenderuar nga ARRSH-ja janë të hapura, me apo pa zinxhir. Pyetjes se Emergjencat Civile kishin një listë me rreth 10 rrugë ku nuk është ndërhyrë, z.Tarka tha se rajoni i veriut ka probleme për shkak të erës. Era, sipas tij, bllokon edhe rrugët e sapo pastruara.

Sipas ARRSH-së janë bërë rreth 80 tenderë për mirëmbajtjen e rrugëve. Në fillim të vitit 2016, ARRSH-ja i ka kërkuar shtetit shqiptar rreth 20 milionë USD për mirëmbajtjen e rrugëve. Ndërkohë, qeveria ka akorduar rreth 10 milionë USD. Sipas ARRSH-së, duhen edhe 10 milionë euro për t’ia dhënë firmave private. Zoti Tarka tha se shuma prej 10 milionë eurosh është edhe borxhi që i ka ARRSH-ja firmave private, për punët e kryera. Sipas tij, gjatë vitit që sapo lamë, disa firma nuk janë likuiduar, për mungesë fondesh. I pyetur nëse një gjë e tillë është problem që rrugët janë bllokuar, ai tha se jo, pasi firmat duhet të zhbllokojnë rrugët.

Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve në ARRSH tha se jo çdo aks tenderohet nga institucioni ku ai punon. “Me ndarjen e re territoriale, ARRSH-ja ka akset kombëtare. Akset e tjera të bllokuara duhet ti pastrojnë bashhkitë dhe duhet të bëjnë të tjera tenderë” thotë zoti Tarka. Pra, krahas ARRSH-së, edhe bashkitë kanë shpenzuar para, ndërkohë që situata në terren është shumë e vështirë.

“Fiksi” e pyet zotin Tarka nëse ARRSH-ja ka penalizuar ndonjë firmë. Ai thotë se bilanci i çdo kompani kontraktore do të bëhet në fund të muajit janar. Sipas tij, deri më 10 janar, në ARRSH nuk ka ardhur asnjë situacion për firmat që kanë fituar tenderët. Por, edhe mbikëqyrja e firmave në terren, sipas ARRSH-së, bëhet nga firma private dhe që paguhen sërish nga paratë e taksapaguesve.

Fiks Fare bëri një vëzhgim të thjeshtë në Agjencinë e Prokurimit Publik për vlerat e disa tenderëve për mirëmbajtjen e rrugëve. Kështu mirëmbajtja e aksit Berat – Çorovodë për 12 muaj, e gjatë 47 km, ka një fond prej 9 766 926 lekë të reja. Mirëmbajtja e aksit Bilisht – Baban – Hoçisht, e gjatë 10.2 kilometra, ka një fond 10 557 930 lekë. Rruga Lezhë – Nënshat – Vau i Dejës + Ura e Gjadrit – Mnele, e gjatë 40.55 km, mirëmbahet me 75 038 235 lekë. Rruga K/Liqenas – Dogana Goricë, e gjatë 16.4 km, me 23 496 008 lekë.

Rruga Shote Galica – qendër qyteti Krumë e gjatë 29.3 km, plus Shote Galica – Hyrje për në qytetin e Kukësit (Ura e Drinit të Zi) 2 km, plus Fushë Dukagjin – Lidhja me rrugën e Kombit 6.1 km, ka një fond prej 107 024 815 lekë. Mirëmbajtja e rrugës Përmet – Çarshovë – Tre Urat, e gjatë 36 km, i kushton shtetit 24 831 536 lekë, Qafë Bualli – Krastë, 16.7 km, ka një fond 19 488 599 lekë. Ndërkohë, aksi rrugor Qafë Laç – Koman, 32.4 km, ka fond 33 644 285 lekë dhe Qafë Mali – Fierzë, 58 km”, ka fond 164 654 570 lekë për dy vjet.

Gjatë verës 2016, ARRSH-ja bëri dy tender. Kështu, për mirëmbajtjen e tunelit të Kalimashit janë akorduar 164 050 000 lekë, ndërsa për tunelin e Kërrabës 98 660 000 lekë.

Megjithatë, edhe në këtë emergjencë prej borës dhe temperaturave të ulëta, ashtu si lëkundjet e tokës nga fenomene natyrore apo njerëzore, nga përmbytjet, zjarri, era, etj, etj, asnjë institucion nuk mban përgjegjësi.

***
RRUGËT PROBLEMATIKE NË SHQIPËRI SIPAS EMERGJENCAVE CIVILE (Është bërë tenderi, por firmat kanë ndërhyrë shumë pak)

1. Aksi rrugor Koplik – Bogë + Dedaj – Razëm i gjatë 44.2 kilometra. Nga Kopliku deri në Razëm është hapur nga Emergjencat Civile.
2. Aksi rrugor Muhurr – Arras – Zall Dardh. Firmat kontraktore nuk e kanë hapur. Ndërhyri ushtria.
3. Aksi rrugor Hani i Hotit – Tamarë.
4. Aksi rrugor Tamarë – Vermosh
5. Aksi rrugor Bajram Curri – Valbonë
6. Aksi rrugor Kukës – Shishtavec
7. Aksi rrugor Kukës – Bushtricë – Kala e Dodës – Peshkopi
8. Aksi rrugor Fushë Arrës – Qafë Mali – Qafë Shllak – Kalimash
9. Aksi rrugor Vau Dejës – Komsiqe – Pukë – Fushë Arrës
10. Aksi rrugor Lin – Pogradec

VLERA E DISA TENDERAVE PËR MIRËMBAJTJEN E AKSEVE RRUGORE

1. Berat-Çorovodë, 47 km, me fond limit 9 766 926 lekë (pa tvsh) dhe me afat 12 muaj.
2. “Mirëmbajtje Rutine dhe dimërore me performancë aksi rrugor Bilisht-Baban-Hoçisht, 10.2 km”, fondi limit: 10 557 930.24 lekë.
3. Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performancë e akseve rrugore Koplik – Bogë + Dedaj –Razëm 44.2 km, me afat 24 muaj. Fondi limit 73 281 984 lekë.
4. Mirembajtje Rutine dhe dimerore me Performance e akseve rrugore Lezhe – Nenshat – Vau i Dejes + Ura e Gjadrit – Mnele, 40.55 km, 75 038 235,8 lekë.
5. Mirembajtje Rutine dhe dimerore me Performance aksi rrugor K/Liqenas-Dogana Gorice, 16.4 km”, 23 496 008 lekë.
6. “Mirembajtje rutine dhe dimërore me performancë segmentet rrugore Shote Galica (dalje Kukës) – Qendër qyteti Krumë 29.3 km + Shote Galica (Dalje Kukes) – Hyrje Kukes (Ura e Drinit te Zi) 2 km + Fushe Dukagjin – Lidhja me rrugen e Kombit 6.1 km, gjithsej 37.4 km”. Fondi 107 024 815 lekë.
7. “Mirëmbajtje Rutine dhe dimerore me performance aksi rrugor Permet-Çarshove-Tre Urat, 36 km”, fondi limit 24 831 536 lekë.
8. “Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performance aksi rrugor Qafë Bualli – Krastë, 16.7 km”, fondi limit 19 488 599 lekë.
9. “Mirembajtje Rutine dhe Dimerore me performance aksi rrugor Qafe Lac – Koman 32.4 km”, 33 644 285 lekë.
10. “Mirembajtje Rutine dhe Dimerore me performance aksi rrugor Qafë Mali – Fierzë, 58 km”, Kohëzgjatja e kontratës 24 muaj. Fondi limit 164 654 570 lekë.
11. “Shpenzime mirëmbajtje tuneli Kalimash (kontrata e re 2016)”, fondi limit 164 050 000 lekë.
12. “Shpenzime mirëmbajtje tuneli Krrabë (kontrata e re 2016)”, fondi limit 98 660 000 lekë.
13. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër “mirëmbajtje rutine me performancë aksi rrugor Gjirokastër – Tepelenë, 30 km”. Fondi limit 7 093 810 lekë.
14. “Mirëmbajtje rutine dhe dimërore me performancë akset rrugorë K/Hadroj – Qafë Benë 27 km, + Rrëshen – Qafë Benë 27.6 km, gjithsej 54.62 km”, fondi limit 72 053 118 Lekë./dita.al

Share: