Home KRYESORE Ja çfarë ndodh në Kavajë nëse Kushtetuesja konfirmon KQZ për Rroshin

Ja çfarë ndodh në Kavajë nëse Kushtetuesja konfirmon KQZ për Rroshin

Viti 2017 nisi me ankimimet në gjykatë nga dy ish-deputetët, Shkëlqim Salami dhe Dashamir Tahiri, mandati i të cilëve u ndërpre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me kërkesë të prokurorisë së përgjithshme.

Analisti dhe politologu Afrim Krasniqi thotë se ky ishte një hap i paralajmëruar nga ana e tyre, diskutimi mbetej nëse do ankimohej në Gjykatë Kushtetuese apo Administrative.

Krasniqi: Ishte e pritshme, ata kishin paralajmëruar që më përpara që do të ndiqnin rrugën ligjore. Praktikisht Kushtetuta u krijon atyre mundësinë që të bëjnë një ankimim, debati ishte nëse do bëhej në Gjykatë Kushtetuese apo Administrative. Palët kanë ndjekur rrugë paralele, deputetët në Administrative, kryetari i Bashkisë së Kavajës në Gjykatë Kushtetuese. Në bazë të ligjit dhe Kushtetutës është përcaktuar një fazë e ndërmjetme kur Gjykata do të duhet të japë një vendim dhe pas vendimit të Gjykatës mund të ketë një ndryshim terësisht qëndrimesh. Nëse vendimi i Gjykatës është në favor të tyre, bie terësisht nisma e ndërmarrë nga prokuroria dhe e miratuar nga KQZ. Nëse vendimi i Gjykatës konfirmon vendimin e KQZ ndiqen procedurat e parashikuara nga ligji. Deputetët zëvendësohen nga lista, kurse në Kavajë do të duhet të ketë zgjedhje të reja lokale.

I ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Krasniqi shpjegoi dhe zhvillimet që pritet të ndodhin në Kavajë nëse Kushtetuesja konfirmon vendimin e KQZ.
Sakaq analisti e konsideron absurditet dhe kosto të madhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në prag dhe të zgjedhjeve parlamentare.

Krasniqi: Është praktikë normale. Edhe në rastin e Dibrës patëm vendimin në maj për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë dhe zgjedhjet u bënë në shtator për shkak se u prit procedura e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.

Edhe në këtë rast nëse kryebashkiaku e shfrytëzon hapësirën në Gjykatën Kushtetuese do duhet të presim 15 ditë për të dërguar padinë dhe vendimin e gjykatës pastaj që është i shpejtë. Dhe nëse vendimi është konfirmues automatikisht Kavaja kalon për 30-45 ditë në zgjedhje të parakohshme. Nuk parashikohet ngërç, i vetmi problem është përfaqësimi.

Është absurditet që ne të bëjmë zgjedhje të reja në një bashki kur po në atë bashki ne kemi zgjedhje parlamentare pas dy muajsh.Është kosto shumë e madhe. Shumica e vendeve e kanë zgjidhur me një kompromis, kompromisi është kandidati i cili ka fituar, zëdhënësi i tij e ushtron mandatin deri në përfundim.

Ne në mënyrë absurde vazhdojmë ti qëndrojmë besnik një formule klasike të vjetër që është demode, sipas të cilës edhe kryetari i ri që do të zgjidhet nuk fillon mandat nga fillimi si në rajon por plotëson atë të ekzistuesit.

Është fushatë me kosto shumë të lartë pa një rezultat për qytetarët. Eshtë më tepër test politik sesa një akt për qytetarët e Kavajës, Bashkinë dhe demokracinë në Kavajë./Oranews

Share: