Home KRYESORE Serbia ‘peng’ studentët e Luginës së Preshevës, nuk njeh diplomat

Serbia ‘peng’ studentët e Luginës së Preshevës, nuk njeh diplomat

Qeveria e Servisë po bllokon punën dhe të ardhmen e të rinjve nga Lugina e Preshevës, për shkak se nuk u njohet diploma në Serbi. Mësohet se pavarësisht se kanë nisur punën ato paguhen sipas diplomës së gjimnazit dhe jo të fakultetit pasi nuk u njihet në asnjë institucion.

Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë studiuar në Universitetin Publik të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, nuk mund t’i konvertojnë diplomat e tyre në Serbi.

Marrëveshja për Njohjen e Diplomave Universitare mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në Bruksel në vitin 2011 dhe është rikonfirmuar më 2016-n, por ende nuk po zbatohet. Të rinjtë e Luginës me diplomë universitare të UP-së e që punojnë në institucione në Serbi marrin paga duke u bazuar vetëm në diplomën e gjimnazit, shkruan Zeri.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, ka thënë për “Zërin” se diplomat e UP-së nuk u njihen. Ai thotë se nuk ka asnjë sinjal për nostrifikimin e diplomave. “Që nga marrëveshja e këndej asnjë student nuk ka marrë nostrifikim të diplomave”, tha ai.

Musliu thotë se kanë kërkuar që të ratifikohet marrëveshja edhe nga Qeveria e Kosovës, edhe nga Serbia. Por, në këtë drejtim ai thotë se nuk kanë asnjë lajm deri më tani. “Ka pasur vetëm 4-5 diploma që janë nostrifikuar përmes organizatës ‘Spark’, kurse tashmë nuk ka asnjë”.

Musliu thotë se ky është “haraçi’ i bisedimeve dhe i mosimplementimit të marrëveshjeve të bisedave mes Prishtinës dhe Beogradit, kur dihet, sipas tij, që të gjithë të diplomuarit të cilët punojnë janë aty me diploma gjimnazi.

“Në vend që të paguhen me diploma të cilat i kanë ata paguhen me diploma gjimnazisti dhe të mos flasim edhe për lëmit tjera. Edhe në gjykata, në Komunë, çdo kund ku ka vende të tjera të punës për shkak të moskonvertimit të diplomave nuk mund të pranohen në punë. Kjo është pasojë e moskonvertimit të diplomave”.

Share: