Home KRYESORE Ëndërr me dy akte…

Ëndërr me dy akte…

Nga Altin Bamllari

Shaluar mbi kohë
ecejakem si beduin në shkretëtirë
Oazet, tharë, buzën ma kanë plasur
Mirazhet valëzojnë trurit të bufatur
Nata çalë çalë
Afrohet si një shtrigë

Frerët ia tërheq kohës
rend kah perëndimi
Diellin s’e kap dot
horizontit bie
Si perde e përhimtë muzgu ul siparin
Nata zbret nga Lindja
Koha ma ndal vrapin

Si hinka gjigande vorbuj rëre ngjizen
e më shkulin nga toka
Më degdisin mbrapsht
Aty ku arratisen ëndërrat
nën të tharat palma

Dielli më përmend
Nga Lindja sapo mbiu
Koha më ngul sytë
(është kali im i mirë që pret pranë të zotit)
Unë s’mundem të lëviz
Pikëpyetje si hanxharë më kanë ndarë më dysh:
Trup edhe shpirt

Nuk di se cili jam
Të dy qëndrojnë të ndarë
I pari shtrirë përtokë, tjetri flatrashqyer
Mbi krye një xhelat
me zemrën gjak ndër duar

Nuk di kë të shpëtoj
Kjo shkretëtirë më dysh po më mban
Shpirtin ma përdhos, zemrën ma do vdekur
Të jem a të mos jem?
Pikëpyetje shekujsh mbetur si kopil në derë

E di që, nëse vdes, do rilind si një feniks
E di që, po të roj, më dysh do vdes, sërish

Mbi kalin e kohës, që ndër lot’ më priste
hipa shpirtin tim, trupin lashë të vdiste

Desha të rilind përtej shkretëtirës
larg netëve pa gjumë, larg nga vampirët
Dhe Zoti m’u afrua, më ngjizi nga gjaku
me zemër si më parë e shpirt endacaku

. . .
Mëz më kishte bërë,
plot xhingla zbukuruar
me zilka nëpër faqe
shpirtëra të shpëtuar

Një mëz rilinda unë
Me galop ia nisa
S’kisha frerë mbi qafë
As hejbe mbi kurriz
Sa i lumtur isha!

Kullosja lëndinave
Lumenjve etjen shuaja
Në baltë zhysja kokën
Trungjeve barkun kruaja
Mbi bajgat e mia gjallonin krijesa
Tokën ku shuroja e shpëlante vesa
Gjurmëve të njoma çelnin karafilat
Vitheve të ndotura, të lumtura dhe mizat
Në tufa ndiqja pelat, si pegaso bardhoshe
Me flegra zgjoja epshin, që nga poshtë më ngrohte

Një mëz i lumtur isha unë
Nga qejfi hingëllij
Mbi vithet e një pele përsëgjati shtrirë
Zilkat më mbajnë ritmin
Koha ka ndaluar …

Jehona shkretëtire si rrufe në qiell
Veshët më shurdhojnë
Një orë mbi komodinë
Në vend të thundrave, duar
Mallkoj, mbyll sytë sërish
Magjia është prishur
Ka vetëm errësirë dhe pelat janë bërë pluhur

Share: