Home KRYESORE Flet Drejtori i spektakleve në RTSH, kompozitori Alban Hoxhaj

Flet Drejtori i spektakleve në RTSH, kompozitori Alban Hoxhaj

-Televizioni shqiptar i ka të gjitha mundësitë të tregojë se është nëna e televizioneve shqiptare

– Kënga  “Një komb një flamur” e kënduar nga Petrit Lulo  dhe Fahrie Zogaj mbetet himn

-Nuk harroj pedagogët dhe ndihmën e Hajg Zaharian, Endrit Sina, Shpëtim Saraçin, Klodian Qafokun

– Ndihem krenar në bashkëpunimin me Petit Lulo, Maya, Paro Ziflaj, Mariola Kaçani

Nga Albert Z. ZHOLI

Dëshirën për muzikën e ka marrë në gjirin e familjes. Në festa të gjithë si familje këndonin dhe babai tij ishte shumë i dashuruar me këngën. Dhe e ka nxitur në këtë rrugë. Fshati Kasniq i Mallakastrës është një fshat ku kënga është gjëja e parë që dëgjon sa hyn. Babai i vëmendshëm dhe i dashuruar me këngën i ngjallte dashuri dhe hapësira për muzikën. Babi tij nuk kishte mundësi të shkollohej vetë dhe atë dashuri të madhe ai ja transmetoi të birit. Qysh në shkollën 8-vjeçare filloi të këndonte por dhe të përdorte  fizarmonikën.

–          Babai ishte shtysa po ai që ju ndihmoi si profesionist në rrugëtimin tuaj kush ishte?

E vëretetë babai më ngjiti dëshirën, ngulmonte ndërsa nga ana profesionale u lidha me Ilir Shemen djalin e kompozitorit Vakthi Sheme që ka kompozuar këngën shumë të bukur “Topa bore hedhin shokët tanë” . Ai më dha mësimet e para për fizarmonikë. Ishte mjeshtër. Ishte ai që më nxiti të marr pjesë në shumë koncerte që organizoheshin në Ballsh. Them me bindje se kishte shumë aktivitete në atë kohë. Në Ballsh bëra dhe një kurs për tu njohur mirë me muzikën dhe me fizarmonikën. Kjo më bëri  e më nxiti që të konkurroj në shkollën e muzikës së Fierit. Për vetë dashurinë, impenjimin dhe kërkesat që kishte Iliri dhe babai, unë zura vend të parë në Fier në konkurrim.

-Pjesë të kujt luajte në atë konkurrim?

-Kam luajtur pjesë të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë si Fredinant Dedën, Krajkën, etj… Mund të them se kjo shkollë ka pasur mësues shumë të mirë dhe ka nxjerrë nxënës të shkëlqyer. Mund ët përmend mësuesit e mi Liman Maloku, Shpëtim Sala dhe të tjerë. Gjatë shkollë së mesme angazhohesha në koncertet folklorike si instrumentist  por dhe si pjesë e organizimeve si drejtues, apo në stafin drejtues të koncerteve. Mësuesit e mi si në Ballsh dhe në Fier më dhanë shumë ndihmë dhe më ftonin në çdo koncert edhe si instrumentist edhe si organizator.

-Po Tirana a ju priti mirë?

Besoj se mirë. Kur erdha në Tiranë u lidha me Endrit Sinën i cili më dha shumë leksione me vlerë si dhe me pedagoge Liljana Dema, e cila me shumë skurpuloze më dha shumë nga dijet e saj në fushën e muzikës.  Këto mësime bënë që të konkurroja në Akademinë e Arteve për kompozicion.  Gjatë shkollimit fillova të kompozoj. Vitin e parë kompozoja preludet dhe pjesë të vogla për kanto. Fillimisht pata dhe ndonjë frenim, pasi isha vetëm pa familje. Shumë vendime duhej ti merja vetë por gjithmonë duke pasur në krah prindërit. Kompozicioni është gjetje nuk është punë me normë. Është sa e vret ti trurin, pasi mund të rrish dhe muaj të tërë pa hedhur asgjë ën pentagram. Kjo është krijesë që do mendim, studim, ideim, etj..  Në vitin e dytë punova shumë me pedagog Hajg Zaharian  një pedagog i shkëlqyer. Nuk harroj Thoma Gaqin. Ilirjana Dema etj.. Gjatë shkollës kisha dhe dëshira të tjera dhe mendoja se si  të hapja dhe një punë timen në lidhje me profesionin që po studioja.

-Përse të lindi kjo ide në periudhën e shkollimit?

-Por ja, shpesh herë shikoja rrugës shumë shok që kishin mbaruar shkollën shkëlqyer deh rrinin rrugës dhe hanin fara. I shihja të mërzitur të papunë. Nuk e mendoja veten ashtu. Ndaj hodha një hap që hapa një a aktivitet timin, pra hapa një studion time, që u bë universitet i dytë ëpr mua. Ajo studio më mësoi por dhe më dha hapësira për të fituar. Kjo më forcoi besimin q ë shkolla nuk do më dilte bosh. Fillova të mirem me orkestracione.  Me koncerte, me dasma, me kompozime këngësh popullore, pra i hapa punë vetes.  Kështu mësova dhe tastierën dhe drejtoja vetë nj orkestër të vogël modeste.

-Kush ishin bashkëpunimet e tua të para me këtë orkestracion?

Mund të them se bashkëpunimi nisi shumë i mirë. Ishin këngëtarët me emër si Petrit Lulo, Maya, Mariola Kaçani, Paro Ziflaj që më mbështetën dhe më besuan. U jam mirënjohës që dhe pse i ri i besuan orkestrimit tim dhe bashkëpunimit në të gjitha koncertet, dasmat, aktivitetet kudo në Shqipëri.  U ndjeva i privilegjuar si  organizator por edhe kompozitor në fillim i trevave të jugut dhe më vonë i të gjithë trevave shqiptare. Puna u rrit, kërkesat u rritën, por dhe prestigji i studios, kështu që mora iniciativën ta riorganizoj nga e para studion dhe ta bëj më moderne. Me ndihëm e Shpëtim Saraçit, Klodian Qafokut , Ilirjan Mihalit etj..bëra një studio bashkëkohore e cila më ndihmoi shumë në punën time.

-Sa këngë keni kompozuar dhe në çfarë gjinie?

-Unë kam kompozuar mbi 300 këngë kryesisht popullore. Por nuk jam pas dhe në kompozimet për muzikën e lehtë.

-Cilët janë këngëtarët me të cilët keni bashkëpunuar?

Thuajse me të gjithë këngëtarët e dëgjuar. Pra disa i kam përmendur dhe më lart si Petit Lulo, Maya, Paro Ziflaj, Mariola Kaçani, Kozeta Shabani, Vaskë Curri, Altin Miftari,  e shumë të tjerë…

-Cila është një nga këngët e tua hit?

-Këngët unë i quaj të gjitha njëlloj. Kënga e parë që është pëlqyer shumë është kënga “Valle me huqe” kënduar nga Edmond Muho. Por nuk mund të lë mënjanë këngën “Vajzë çame” kënduar sërish nga Edmond Muho. Kënga “Sofra divjakase” kënduar nga Vasillaq Gremi. Por publiku më shumë ka pëlqyer këngën “Një komb një flamur” të kënduar nga Petrit Lulo  dhe Fahrie Zogaj. Kësaj kënge ju përkushtova shumë. Ndërsa nga këngët e muzikës ë lehtë veçoj “Këngë për nënën”  kënduar nga Xhensila Troko. Por po kaq e bukur dhe që është kthyer në hit është dhe kënga që këndon “Mjeshtre e Madhe” Paro Ziflaj, “Nuse moj tu bëftë nëna”. Edhe sot kjo këngë vazhdon të quhet hit.

-Ku është bazuar më shumë krijimtaria juaj?

Është bazuar më shumë tek folku. Kjo, sepse unë, këtu e kam gjetur tregun. Por kam dhe një të veçantë në krijimtarinë time, pasi këngët nuk ngjajnë me njëra-tjetrën.

-Kush janë bashkëpunëtorët e teksteve të këngëve të tua?

I pari mbetet Arben Duka. Me të kam një bashkëpunim mbi 80% të krijimtarisë. Pastaj kam bashkëpunuar me Niko Çuni, Elisabeta Aliçkaj, Armand Trebicka.

-Si do ta cilësonit profesionin e kompozitorit?

Art i vështirë, me përgjegjësi, i bukur. Për këtë duhet të flasim gjatë.  Artit i vjen koha më pas, jo në kohën që lind. Artistët janë më afër realitetit. Shumë krijimtari të bukura vlerësohen shumë vonë. Unë kam  një parim që çdo gjë e punuar me kujdes, është e bukur, ka vlerë. Pra kur është e mirëvendosur, sjell vlerësimin. Me këtë dua të them se çdo gjini ka vlerën e saj dhe unë nuk jam kundër të resë, kundër modernes, duhet ti pranojmë, por edhe këtë lloj gjinie ta bëjmë me profesionalizëm. Edhe një bulzë sado e vogël por që është e  bukur ka vlerë. Por tek ne nuk ka rregulla në vlerësim dhe media shpesh herë i denigron vlerat. Për mua kënga popullore dhe kënga e lehtë janë njëlloj, por është tregu ai që i bën dallimet… Edhe tallavaja ka vendin e vend në tregun muzikor, nuk mund ta heqësh nga tregu dhe pse mund të cilësohet si një muzikë e pakontrolluar. Natën kur je në lokal, kur ke pirë nja dy gota, sikur të jep një adrenalinë dhe kjo lloj gjinie…Ajo është gjinia që ka lindur për natën e vona nën shoqërinë e alkoolit. Ka destinacion tjetër ndaj duhet të marrë vlerat që ka.

-Ju jeni Drejtor i Spektakleve në RTSH, cili është mendimi juaj për TVSH?

TVSH është një gjigant që ka brenda saj rezerva dhe akumulime të mëdha. Tani jemi në pjesën e reformimit dhe do kisha dëshirë të organizoja disa koncerte apo Festivale lokale dhe më vonë në Tiranë me këngë popullore. Idetë i kam të kristalizuara. Besoj se ky televizion i ka të gjitha mundësitë që ashtu siç lindi të gjithë televizionet private, të arrijë sërish supermacinë e saj, të asaj kohe të ndritur. TVSH ka shumë kualitete dhe një arkiv të çmuar.

Share: