Home KRYESORE Neranxi: Vetingu të shtrihet edhe tek sipërmarrësit, disa pastrojnë paratë e pista...

Neranxi: Vetingu të shtrihet edhe tek sipërmarrësit, disa pastrojnë paratë e pista të politikës

– Në Shqipëri po diskutohet dhe po debatohet shumë këto ditë mbi Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vetingut. Ju si sipërmarrës i vjetër në këtë vend dhe Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, si e shihni këtë zhvillim?

– Natyrisht që po e ndjek me shumë interes dhe mbi të gjitha me shumë shpresë dhe optimizëm, këtë ndryshim të madh që pritet të ndodhë në vend. Njerëzit e biznesit, ata që kanë investuar çdo para këtu, janë të interesuarit e parë që punët të ecin mirë dhe ky vend të përparojë. Procesi i Vetingut është njësoj si të thuash, procesi i skanimit dhe siç e dimë, në skaner dalin të gjitha. Nuk do të kishte nevojë për debate dhe përplasje, nëse këta njerëz të cileve do iu kontrollohet pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale, do ishin të bindur se nga skanimi, nuk do dilte ndonjë problem. Por ne jetojmë në një vend të vogël dhe jo rrallë kemi parë raste ku njerëz që janë pjesë e gjyqësorit, jetojnë në një luks që edhe ne njerëzit e biznesit nuk e arrijmë dot. Pra pasuria e pajustifikuar do jetë problemi kryesor besoj, por nuk është më pak e rëndësishme edhe pjesa e aftësive profesionale. Unë do të doja shumë që aty të mos tolerohet, sepse nëse çdo punë, përfshirë këtu edhe atë në sistemin gjyqësor, do të bëhej nga njerëz profesionistë dhe kompetentë, mundësia për ta bërë keq punën, do të jetë shumë e vogël.

– Meqenëse ju keni qenë edhe pjesë e politikës (deputet në vitet 2005-2009), çfarë impakti mendoni se do të ketë reforma në Drejtësi në politikën shqiptare?

– Reformimi i sistemit të Drejtësisë do ta bëjë më të mirë jetën tonë në çdo aspekt, përfshirë këtu edhe klasën politike. Kultura e pandëshkueshmërisë, i ka bërë politikanët, që të sillen si të ishin zot në këtë vend, ndërkohë që ata janë zgjedhur për të shërbyer, jo për te sunduar. Lajmi mbi korrupsionin në kupolën e shtetit, në këtë vend qarkullon vetëm si thashethem, duke mos parë asnjëherë rezultate konkrete se si zbulohet dhe ndëshkohet ai.

Ndryshimi për mirë do të fillojë atëherë kur në këtë vend, asnjë politikan apo zyrtar i lartë nuk do mendojë se është i paprekshëm. Këtë e realizon një sistem drejtësie i drejtë dhe i pa kapur. Përveç kësaj, një rreze shprese për një klasë politike dinjitoze, e ka dhënë edhe ligji i dekriminalizimit, sipas të cilit nuk do lejohen individë me rekorde kriminale që të jenë pjesë e politikës.

Në listat e deputetëve për zgjedhjet e qershorit, do ta shohim të implementuar në mënyrë të plotë këtë ligj, sepse ka akoma skeptikë që mendojnë se dekriminalizimi mund të mos zbatohet siç duhet. Personalisht edhe për reformën në Drejtësi, edhe për ligjin e Dekriminalizimit, shpresat më të mëdha i kam tek mbikqyrja që do bëjnë organizmat ndërkombëtare. Nëse ata nuk na rrinë me “kërbaç” mbi kokë, këtu ka gjasa që çdo gjë të deformohet. Ne mund të bëjmë ligjet më të mira, por zbatimi i tyre pastaj lë shumë për të dëshiruar.

– A mendoni se pas këtyre pastrimeve në gjyqësor dhe politikë, edhe biznesi do të ketë më shumë frymëmarrje?

– Ky do të ishte veçse një fillim i mbarë, sepse unë mendoj që një veting duhet të ketë edhe për sipërmarrjet private në Shqipëri. Kam rreth 25 vite që ushtroj biznes në këtë vend, aq vite sa ç’kemi ekonomi të lirë tregu dhe i njoh shumë mirë problemet e sipërmarrjes së lirë. Mendoj që hapi i rradhës, duhet të jetë skanimi i bizneseve në Shqipëri. Këtu ka sipërmarrës të cilët kanë qenë më parë drejtorë doganash dhe tatimesh dhe një ditë të bukur, u gdhinë me një ndërmarrje më të madhe se timen që kisha 25 vite aktivitet.

Ku i gjeti paratë ky ish zyrtar shtetëror që ka shërbyer në ato poste, mbi të gjitha të akuzuara vazhdimisht si institucione ku ka korrupsion dhe vjedhje të mëdha? Kemi sipërmarrës të tjerë me pasuri të madhe të pajustifikuar për aktivitetin që kanë. Në rrethet e ngushta të sipërmarrësve dhe të politikës, dihet që këta individë shërbejnë si lavatriçe e pastrimit të parave të korrupsionit të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të cilët nuk mund të deklarojnë pasuritë e tyre, sepse nuk i justifikojnë dot.

Këta sipërmarrës – lavatriçe duhen hetuar në detaje. Të dyja këto kategori që përmenda, duke qenë të mbështetur nga njerëzit në pushtet, bëjnë gjithashtu abuzime të përditshme në aktivitetet e tyre tregtare. Ata bëjnë evazion fiskal sepse nuk guxon njeri t’i kontrollojë, përfitojnë fonde publike, tendera etj. Këta individë të korruptuar, kanë prishur rregullat e ekonomisë së tregut dhe kanë vënë në vështirësi të madhe biznesin e ndershëm.

Kur flasim për sistem gjyqësor, klasën politike dhe për nevojën që rradhët e tyre të pastrohen nga të korruptuarit dhe hajdutët, po flasim për para të madhe që ata kanë përfituar nga abuzimi me pushtetin dhe detyrën. Por ata në gjithë këto vite, kanë mësuar se paraja duhet investuar dhe investimet e këtyre parave kriminale, janë bërë edhe në Shqipëri, prandaj biznesi shqiptar e ka shumë të nevojshem vetingun, për të përmbyllur procesin e pastrimit të shoqërisë nga këta individë që mbajnë peng zhvillimin e Shqipërisë.

– A mendoni se sipërmarrësit e ndershëm duhet të jenë pjesë e politikës?

– Pasi të bëhet skanimi i biznesmenëve –lavatriçe të parave të pista dhe hajdutët e parave publike, të marrin dënimin e merituar, ju siguroj se pjesa e ndershme e biznesmenëve shqiptarë, ajo që do ngelet, është edhe pjesa më e mirë e shoqërisë tonë, sepse ata kanë arritur të mbijetojnë, të bëjnë aktivitetin e tyre, të zhvillojnë idetë e tyre, të punësojnë njerëz, në një klimë shumë të vështirë dhe në fund ia kanë dalë.

Natyrisht, me dhimbje e them se ka plot që kanë falimentuar. Ata janë heronj të vërtetë në këtë vend, idealistë dhe njerëz që kanë besuar fort se një ditë ky vend do të bëhet, prandaj kanë rezistuar. Do të ishte nder për politikën shqiptare, nëse ata do të pranonin të ishin pjesë e saj. Shpesh dëgjoj përcaktime denigruese të tipit “Në politikë ka shumë kriminelë dhe biznesmenë!!!”. Pra i vënë në të njëjtin nivel. Në fakt nuk kanë faj që paragjykojnë, sepse siç ju shpjegova më lart, biznesi dhe krimi kanë qenë shpesh e njëjta gjë. Sot nuk janë të paktë ata që mendojnë se ai që ka para, nuk është aq burrë i mirë, sepse, kushedi çfarë pislliqesh ka bërë!

albanian daily news neranxiJam përballur edhe vetë me këto paragjykime. Prandaj dhe procesi i verifikimit të pasurive të sipërmarrësve, do iu kthente dinjitetin dhe reputacionin e merituar dhe te munguar, biznesmenëve të ndershëm.

Unë kam besim që kjo do të ndodhë. Ndërkohë si pjesë e biznesit dhe si kryetar Shoqates së Tregtarëve të Shqipërisë, dua të falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, për insistimin e vazhdueshëm, këmbënguljen dhe dëshirën që ky vend të bëhet. Ata janë shpëtimtarët tanë! Iu kam zili durimin qe kane! Faleminderit me zemër këtyre njerëzve që e duan pa hipokrizi zhvillimin e vendit tonë!

Share: