Home KRYESORE Politika agresive dhe interesat ekonomikë para zgjedhjeve

Politika agresive dhe interesat ekonomikë para zgjedhjeve

Nga Kasem Seferi

Turmat e çdo partie politike në Shqipëri kanë treguar, me shembuj dhe fakte pa numërim, se janë pjesë nga të gjithë mbeturinat e shoqërisë shqiptare, struktura që ia kanë bërë më të lehtë atyre të ngatërrohen me popullin, që përfshin pjesën më të madhe të të gjitha shtresave të shoqërisë, në të gjithë lëvizjet e mëdha politike ka kanë luftuar për një përfaqësim të vërtetë.

Turmat, gjithnjë, kanë brohoritur dhe brohorasin për “njeriun e fortë”, ose “liderin e madh (deri në titullimin ”Lider i Ballkanit)”. Ja përse “teatri” i politikës shqiptare, së fundi në rastin Manjani, është mbizotëruar nga mohimi, sharja, zhvlerësimi dhe, në përgjithësi, nga kritika për punën e qeverisë në koalicion.

Nga ana tjetër, është ngritur servilizmi, lavdet dhe hyjnizimi i kultit të Kryeministrit Rama, fakte këto që dëshmojnë psikologjinë zotëruese të turmës.

Ndërkohë, çdo lider i koalicionit qeverisës është “betuar” para zgjedhësve se do t’u shërbejë të gjithë shtetasve. Por, t’i duash të gjithë shtetasit njëlloj në Shqipëri, tashmë, është një iluzion sa abstract aq edhe qesharak.

Pikërisht një mendim i tillë, konceptohet dhe përdoret ende si mjeti më i përkryer që shërben për ta ndërfutur iluzionin tek çdo njeri, ose më saktë te çdo individ ku iluzioni mund të veprojë.

Por, harrojnë se veprimi i iluzionit është aq i fuqishëm, sa që ai ka arritur të minojë vetë terrenin mbi të cilin është ngritur, sikundër po ndodh këto ditë në prag të fushatës zgjedhore 2017.

Po bëhen përpjekje në maksimum për të krijuar imazhin e një ideje të re politike me anë të apologjetëve sharlatanë mediatikë për një qeveri Rama 2. Por, skandalet dhe niveli i ulët ku ka rënë debati politik në Shqipëri, dëshmon mungesën e identitetit politik të liderit, që nxjerr në pah individualizmi radikal të tij.

Liderët e partive politike shqiptare me peshë ende nuk kanë arritur të adoptojnë modele moderne në të bërit politikë, modele që në jetën politike shqiptare të bëhen gjëra të zakonshme me qëllim që të imitohen nga masa e përkrahësve (madje edhe nga gazetarët, ndryshe nga modelet që ata kanë imituar deri tani).

Vetëm këto lloj modelesh mund të bëjnë përpara, dhe vetëm kështu mund të dëshmojmë se risitë e vërteta janë risi të liderit dhe të elitave politike moderne, pasi nuk mund të besohet se risitë e deritanishme kanë qenë risi të domosdoshme për të nesërmen.

Në qoftë se sot në skenën politike shqiptare nuk ka lidër politikë të kulturuar që të ngjizin parime të shëndosha të menaxhimit politik, siç po tregon rastet e këtyre 12 vjetëve as PD dhe PS në koalicion me LSI nuk ka arritur t’ia dalë me sukses të fitojë përkrahjen e opinionit publik, si dhe ta kthejë atë drejt objektivit të vet politik dhe prosperitetit.

Kësisoj, kauza e politike e dy partive kryesore ka qenë e përkohëshme.

Nuk ka mjete të tjera për ta çuar përpara zhvillimin e duhur të çështjeve madhore politike të tilla si standartet e zgjedhjeve dhe demokracinë që të arrish ta bindësh opinionin publik të adoptojë modelet e liderit dhe elitës moderne.

Zhvillimi i duhur i çështjeve madhore politike nuk mund të arrihet me anë të qëndrimeve despotike, të cilët bindjen e opinionit e ngatërrojnë me nënshtrimin, ose grindjen.

Vihet re një patologji e rrezikshme sidomos në ndërthurrjen e politikës me ekonominë. Korrupsioni dhe klientelizmi që shfaqen si kërpurdhat pas shiut ka qenë dhe mbeten vazhdimi i monopolit të krijuar në periudhën komuniste.

Përditë e më shumë po rritet shqetësimi se kemi të bëjmë me fillimet e një kriminalizimi të ri të shtetit, për arsye se ngjarjet, faktet, deklarata, opinioni publik, tregojnë qartë se grupe të fuqishme interesi kërkojnë jo vetëm të ndikojnë, por dhe të sundojnë proçeset e demokratizimit të vendit.

Padrejtësitë shoqërore, ndjenja e pasigurisë për të ardhmen kanë krijuar së bashku një terren të favorshëm për demagogji autoritare populiste, si dhe kanë ngjallur kërkesën për të konsoliduar njeriun e fortë, njeriun e dorës së hekurt në politikë.

Sfida më e madhe para elitës politike sot, është lufta kundër ndjenjës së pasigurisë, si një rrezik tepër i madh.

Kur politika ndikon te drejtësia, që e ka bërë popullin e thjeshtë të mos ketë besim te pushteti që duhet të besohet se i mbron, është e vështirë të pranohet se politika e sotme do të sjellë më shumë paqe dhe rend në shoqëri, sikurse pretedohet të jetë misioni i saj i vërtetë.

Në shoqërinë shqiptare sëmundja më e rëndë është ajo që njerëzit nuk guxojnë të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë, sikundër flasin për shumë çështje të tjera që i preokupojnë ato.

Heshtja, hiletë e gjuhës, mashtrimi, që nuk lehtësojnë dhimbjet e një populli duhen hedhur poshtë. Nuk mbetet rrugë tjetër për të zgjedhur përveç asaj për të folur pa dorashka dhe për të nxjerrë në shesh pisllëqet që fshihen nën petkun e fjalëve të politikës.

Asgjë që i serviret publikut nuk besohet. Hidhen në ajër shumë opsione çoroditëse që ta largojnë publik nga e vërteta, për ta manipuluar kësisoj në mënyrën më të stërhollë.

Në Shqipëri nuk janë plotësuar disa nga aspektet themelore të sistemit politik demokratik dhe një gjë e tillë bëhet e dukshme kur pushteti politik dhe ekonomik mbetet i perqendruar në duart e ekzekutivit, me një mbikqyrje të vogël nga degët e tjera të pushtetit, çka, pa vështirësi, mund të vërtetohet edhe nga plaformat dhe politikat pothuajse të njëjta të të gjitha qeverive në më shumë se dy dekada.

Fushata e ndërsjellë e akuzave të paturpshme për korrupsion që partitë politike të koalicionit i bënë njëra – tjetrës këto ditë me rastin Manjani duke vënë gishtin mbi politikanë dhe zyrtarë konkretë, si dhe mbi persona të lidhur me aferat e tyre, tregon se arena politike vazhdon të karakterizohet nga marrëdhënie konfliktuale dhe agresive, për shkak të sjelljes së trashëguar nga e kaluara, të politikanit dhe zyrtarit dogmatik, autoritar dhe të paaftë për kompromis në të gjitha segmentet e politikës.

Zgjidhjet politike që po lajmërohen, me gjasë shumë shpejt, do të bëhen një ëndërr e pashpresë, duke dëshmuar mungeën e kulturës së kompromisit, e papranishme prej shumë vitesh.

Kjo dukuri tregon se ajo që i mungon klasës politike është vlerësimi i pikëpamjeve të kundërta, për të cilat palët duhet të bien në ujdi nëpërmjet negociatave dhe marrëveshjeve brenda kuadrit të rregullave të miratuara në sytë e publikut.

Debati politik dhe akuzat e ndërsjella të ditëve të fundit tregon qartë dhe me ashpërsi rrënqethëse se kontrolli ekonomik në shoqërinë shqiptare nuk është thjesht kontrolli i një sektori të vetëm të jetës njerëzore, i veçuar prej pjesës tjetër të saj, por është kontroll i mjeteve që lidhet me të gjitha qëllimet e qytetarëve, duke u treguar atyre se ata që kanë kontrollin e mjeteve sot në duart e tyre kanë të drejtën të përcaktojnë qëllimet që duhet t’u shërbejnë qytetarëve nesër.

Kontrolli ekonomik ka për qëllim që të përcaktojnë vlerat që duhet të respektojnë ata dhe njerëzit të cilëve u duhet besuar dhe votuar për ta.

Keqësimi i cilësisë së qeverisjes dhe i politikës makroekonomike e ka bërë të pamundur përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarit, klimën e biznesit për arsye të mbushjes së vendeve të punës në administratën publike me amatorë partiakë që ndrrojnë ngjyrat si kameleoni.

Të gjitha këto faktorë kanë çuar në pabarazinë e të ardhurave (polarizimin e shoqërisë), përqindje më larta të krimit, parashikueshmëri më të ulët për jetën, investime më të ulta dhe në një rritje ekonomike të papërfillshme.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: