Home KRYESORE Trump hedh poshtë zgjidhjen me dy shtete Izrael-Palestinë!

Trump hedh poshtë zgjidhjen me dy shtete Izrael-Palestinë!

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë politikën e mbështetur për dekada nga Shtëpia e Bardhë, për një zgjidhje me dy shtete të kontestit mes Izraelit dhe Palestinës.

Në një konferencë për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump premtoi se do të punojë për një marrëveshje “të madhe” paqeje, por shtoi se të dyja palët duhet të arrijnë një kompromis.

“Po shoh mundësinë e dy shteteve dhe atë të një shteti. Mua më pëlqen ajo zgjidhje që të dyja palët pëlqejnë. Jam i lumtur me të. Por mund të jetoj edhe me një shtet të vetëm. Për një moment mendova se zgjidhja me dy shtete do të ishte më e lehtë për të dyja palët, por të them të drejtën, nëse Izraeli dhe palestinezët janë të kënaqur me diçka edhe unë jam i kënaqur”, tha Trump.

Ai shtoi se, do t’i takojë secilës palë të bjerë dakord me tjetrën dhe të arrijnë një marrëveshje. Trump u pyet edhe lidhur me premtimin e tij elektoral për lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem, veprim ky që mund të dëmtojë përpjekjet për paqen.

“Sa i përket lëvizjes së ambasadës në Jeruzalem, do të më pëlqente të ndodhte. Ne jemi të fokusuar tek kjo çështje, me shumë kujdes. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump. Ai i bëri thirrje mysafirit të tij që “të durojë edhe pak” sa i takon planit të tij të ndërtimeve në Bregun Perëndimor.

Qeveria izraelite shpreson për marrëdhënie më të mira me SHBA pas ardhjes së Trump në pushtet, pas ftohjes me administratën e mëparshme të Barack Obama.

Që kur Trump mori zyrtarisht detyrën ky vend ka miratuar plane për ndërtimin e mijëra shtëpive në kolonitë e Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.

Share: