Home KRYESORE Vetingu i shoqërisë civile, më aktual se kurrë

Vetingu i shoqërisë civile, më aktual se kurrë

Nga Çerçiz Loloçi

Një grup organizatash të shoqërisë civile, rreth pesëdhjetë të tilla apo pak më shumë, nëpërmjet një peticioni drejtuar institucioneve më të larta të shtetit shqiptar kërkojnë zbatimin e Vetingut. Sipas tyre “Ngritja e institucioneve të Vetingut i hap rrugën reformës rrënjësore të sistemit gjyqësor, duke qenë edhe kushti kryesor për avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Kjo u konfirmua edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, i cili shprehu edhe gatishmërinë e Komisionit Europian për të shtyrë përpara këtë proces sapo të ketë filluar funksionimi i Vetingut. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje palëve politike të shpejtojnë me zbatimin e ligjit. Të mos ngatërrojnë axhendat partiake dhe llogaritë zgjedhore të politikës së ditës, me një prioritet strategjik të vendit sic është hapja e negociatave për anëtarësim”.

Po ashtu ata kërkojnë që te respektohet zëri i qytetarëve, pasi “Shqipëria ka humbur shumë, tepër kohë, në këtë rrugëtim. Mos u bëni ju muri i fundit që pengon realizimin e ëndrrës së gjithë shqiptarëve, të aspiratës sonë legjitime dhe të merituar për një Shqipëri Europiane! Tregoni përgjegjshmëri politike dhe integritet, duke u angazhuar për formimin e institucioneve të Vetingut gjatë ditëve në vijim!Qëndrojini rezolutës së miratuar në parlament për vendosjen e procesit të integrimit mbi cdo debat e betejë politike”.

Natyrisht që është një kërkesë e drejtë, por organizatat që e kërkojnë zbatimin e kësaj reforme janë po vetë për veting, për kontroll të të ardhurave dhe pasurive të tyre, të cilat kanë ardhur jo për shkak të kuzave që kanë mbrojtur, por sepse në shumicën e rasteve janë bërë palë me qeverinë, me gjyqësorin, me pothuaj katër pushtet duke mos qenë asnjëherë zë i vetëm.

Në larminë e organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile ka syresh, që numërohen me gishta, të cilat kanë dhënë kontribut në moment të caktuara të zhvillimit të shoqërisë, por pjesa më e madhe e tyre është një armatë parazitësh që e ka përdorur këtë mision në funksion të pasurimit të tyre.

Nëse ka një reformë që bën sens në kushtet aktuale është ajo e Reformës Zgjedhore, nëse ka një kauzë që mund të mbështetej te shoqëria civile është ajo e kanabizimit të Shqipërisë, nëse ka një plagë të madhe shoqëria shqiptare është ajo e papunësisë dhe e largimit masiv jashtë kufijve dhe për këto asnjëherë nuk është ndjerë shoqëria civile.

Share: