Home KRYESORE ZOGU I PARAJSËS

ZOGU I PARAJSËS

Nga Elona Paja

Kafja e mëngjesit  nën shoqerinë e një cigareje të rrethonte  me tepër qetësi ,në ato ditë,kur çdo  gjë dukej e trazuar dhe e pashpresë. Nuk të vinte të vrapoje në punë me atë kënaqësinë e dikurshme,përkundrazi çdo gjë ishte kthyer në një mërzi e makth.

Herë pas here flitej për  shkurtim të vendit të punës por kjo nga njëra anë të dukej apsurde se si mund të flakje në rrugë  qindra njerëz që për vite të rëra  kishin dhënë shpirtin aty,nga ana tjetër bëhej  e besueshme sepse në një vend si ai çdo  gjë ishte e mundur. Për aq kohe sa politika ishte e papërgjegjshme dhe e zhytur në llumin e korrupsionit,mund të prisje çdo  gjë. Atyre atje lartë u interesonte të mbushnin vetëm xhepat e vetë dhe klasa poshtë le të varferohej e le tu thahej barku. Askush nuk kishte guximin të ngrinte zërin,përkundrazi disa fshihnin kokën si struci dhe të tjerët hiqeshin zvarre si kërmilli për tu ngjitur në majë.

Atë mëngjes çdo gjë shijonte. Të gjitha hallet e hedhura pas shpine per nje çast u zhdukën si me magji dhe në shtëllungat e tymit ,truri humbiste në pafundësi… Të ishte vallë vendimi i duhur ,apo një gabim, si ato që nuk i ishin ndarë gjer më sot dhe ishte mësuar ti bënte pjesë të së përditshmes  së saj ,saqë herë pas here edhe vetë nis ta besonte ,se nuk mund të jetonte pa to. Kur njeriu mësohet  të  jetojë në trazira,telashe dhe tension e ka të vështirë  të mësohet me qetesinë.

Ajo është më e parehatshmja që mund ti shkojë si kostum dhe ta tremb kur bie te flejë,pasi nuk ka me çfarë të merret. Madje diku kishte lexuar, që nëse  gjumi të merrte menjeherë,pasi vije kokën në jastik,kjo tregonte që kishe stres. Ketu ja fusnin fare kot!? Ajo kur kishte ndonjë ngjarje të pakëndëshme gjatë ditës ,jo që nuk flinte natën  ,por mund të rrinte edhe dy ditë radhazi pa gjumë.Ndëra  ai mesiguri flinte ende. Priste vetëm një telefonatë të saj që ta zgjonte e ti thyente heshtjen e ëmbël te gjumit.

Mjaftonte vetem një telefonatë e saj,zëri i saj që kishte një tingull ndryshe sipas tij,një tingull dehës,që të gjitha organet e trupit t’ia vinte nëlevizje dhe ai do të zgjohej. Ndryshe nga ajo ,ai e kishte të nevojshme atë zë zgjimi,sepse gjithë dita më pas do ishte e motivuar për të vazhduar përpara. Ishte bërë e zakondshme dhe nësenjë  ditë do ti ndodhte e kunderta ,ai nuk do të ndihej mirë e do kishte dhimbje koke.

Ajo vazhdonte të qëndronte e ulur ,e zhytur në atë thithjen e ëmbël të cigares dhe as që donte t’ia dinte. Vallë për  çfarë i nevojitej  zgjimi i tij. Çfarë mund ti ndryshonte asaj. A do ti zgjohej e ardhmja,shpresa?!? Jo…. Ajo do ta kishte sërish diten e zakondeshme me të njëjtat peripeci dhe biseda të rëndomta. Nxori pasqyrën nga çanta e tualetit dhe vështroi buzën.

Shkëlqyesi  ngjyrë mishi nuk i shkonte aspak atij mëngjesi,por fundja kush ishte duke e çarë kokën. As që ja vlente ta ndryshonte. As që kishte ndërmend ti binte në sy kujt. Të gjithë meshkujt e asaj toke nuk ditën kurrë të marrin nga ajo atë nektarin çudibërës të shpirtit. Iknin e vinin sipas qejfit dhe linin pas një listë të gjatë emrash të cilët për hir të së vërtetës edhe nuk i mbante mend të gjithë,madje as fytyrat në të shumtën e rasteve,madje nëse  do ndeshte ndonjërin në ndonjë cep do pyeste veten ku e kishte parë,jo më të mendonte që ky ishte  ndonjëri   prej atyre me të cilët kishte shkuar në shtrat. I kishte harruar sa hap e mbyll sytë sepse te tillë qenë…

Nevojë e çastit ose seks për shkak të nevojës. Të gjithë ishin të parëndësishëm,përderisa nuk kishin lënë asnjë gjurmë tek ajo…. As edhe një kujtim sado të vogël…ose asnjë ndjenjë nostalgjie. Thjesht ishin thartuar brenda saj që në çastin qe kishte vendosur të mos takonte më asnjërin prej tyre….

Vështroi edhe njëherë orën e dorës. Mund të ishte e disajta herë që e bënte brenda atyre minutave që dukeshin të pafundme. U mendua edhe njëherë. Tani ndoshta ishte mirë ta zgjonte atë. Le të vazhdonte edhe në këtë ditë atë lojën femërore  ,për të cilën ajo nuk kishte  nevojë,ndersa ai po ,sepse ishte mësuar  të zgjohej nga zëri i saj,tingujt e të cilit ishin si ushqim mëngjesi.

Alo?!- u dëgjua nga ana tjeter e telefonit. Shpirt…
Po shpirt-pasoj edhe ajo. Ishte bërë kaq e zakonshme kjo fjalë sa kishte humbur kuptimin e saj të vërtet. -U zgjove?!- vazhdoi.
-Po shpirt.

Qëndroi një çast pauze pastaj u përpoq ta mbante gjallë biseden. Gjithmonë ajo duhet të ishte e vëmendshme,e kujdesshme që ai të ishte i kenaqur me tonin e zërit të saj dhe me dashurinë që ajo i falte,ndërsa ajo duhet të lodhej aq shume për të mos kuptuar gjë ai,që e gjitha kjo ishte nje lojë femërore që nuk dihej sa do zgjaste. Çudi se sa bukur dine të shtiren femrat. Janë mjeshtre të vërteta të fjalës dhe buzëqeshjeve fallco. Kanë lindur për të qenë lajkatare dhe aktore shumë të zonja.

Ja tani ai do ta pyeste:- Çfarë  do të bësh sot?Je shumë e zënë?
Dhe ajo do ti jepte atë pergjigjen e zakondshme me shumë përtesë;- Nuk e di.
Ai- Pastaj do që të rrimë bashkë?Ishe e perkryer herën e fundit kur bëm dashuri.
Ajo- Ashtu tu duk ty! Gjithmonë jam njësoj.
Ai- Jo ,radhën e fundit ishe ndryshe. O zot si qëndroje në krevat. Nuk e di se si më dukej. Ti je më e bukur e zhveshur se e veshur, pastaj më dukesh më e bukur e veshur se e zhveshur…. Sa shumë që ke bërtitur?!?!

Ajo e dinte se atij i pëlqente kur ajo rënkonte në shtrat.

Me qindra herë i kishte degjuar ato fjali. Ne fakt ajo e urrente trupin e saj. Ndihej aq e pambrojtur kur zhvishej dhe ai trup nuk dinte të bente rezistencë. Ai shkonte drejt mëkatit si të ishte gjeja më e zakonshme që mund të bënte…

Ishte i mërzitshëm ai mëngjes. I mërzitshëm si vetë lidhja e saj dashurore e cila i kishte konsumuar të gjitha lojrat… Ai ndoshta nuk e ndjente por ajo kishte nisur të lodhej nga e gjitha kjo. E mbylli shpejt telefonatën me justifikimin që ishte bërë vonë për në punë,por në fakt e dinte se do të qëndronte edhe ca aty e vetme ,duke shijuar atë cigaren e saj te hollë. Atë mund ta linte ,ndërsa  cigaren jo. Ja kishte thënë kushedi sesa herë  ,por ai e merrte me të qeshur,ndërsa ajo e shihte në sy si për tithënë  :”Unë ta thashë ballpërballë,në sy. E hoqa këtë barrë nga vetja,ti ndaç besoje ,ndaç jo. “

Ai nuk kishte tymosur kurrë  në jetën e tij,por as nuk e bezdiste era e saj e duhanit. Edhe kur e puthte ,goja e saj ,sipas tij,lëshonte vecç nektar dehës.Përkundrazi shpesh i thoshte se ajo nuk duhet ta linte,sepse gishtave të saj u shkonte shumë cigarja në dorë. Sikur të binin disa pika shi tani-mendonte. Do ti shkonte shumë kësaj zbrazësie. Ai do ta kompletonte atë atmosferë mbytëse. Pastaj shiu edhe sikur e mbronte. Ai i strukte njerëzit brenda dhe kështu ajo nuk do të mund të ballafaqohej me ta. Shpeshherë i dukej sikur i kishte të gjithë kundra. Mbase ishte lodhur me fytyrat e shtirura e të vrara në sytë e të cilave nuk shihte më mirësi por vetëm lëkurëra të lodhura mbushur me mllef ,për atë çka u ofronte jeta. Fajin e kishte sistemi në fakt,grykësia e të cilit thithte si shushunjat deri në pikën e fundit të gjakut.

Ishte koha të ngrihej. Fundja nuk kishte çfarë të bënte më aty. Dy kafe njëra pas tjetrës sikur ja nxorën përgjumjen. Ngadalë u ngrit nga karrigia dhe pasi e rregulloi pak shallin ngjyrë portokalli i cili ishte shtrënguar rreth qafës u nis drejt rrugës që e çonte në punë.

Andrea ndërkohë qëndronte i shtrirë në atë krevatin e madh dopjo dhe përpiqej të çlironte këmbët nga çarçafi që i ishte mbledhur rreth tyre. Përtonte ti levizte duart të cilat qëndronin të lidhura rreth qafe sepse mendjen e kishte diku tjeter. Mesiguri ajo duhet ta kishte harruar fare që sot kishte ditëlindjen. Lulet që ai kishte porositur duhet ti kishin mbërritur tashmë. Priste nga çasti në çast që ajo ta merrte në telefon dhe e lumtur ta falenderonte.

Vështroi orën e murit të varur përballë. Hodhi sytë nga aparati i telefonit por ende asgjë. U përpoq ti lëvizte sërish këmbët. Donte të ngrihej por më mirë le të priste dhe pak. I shijonte orët e para të mëngjesit ashtu shtrirë sa gjatë e gjerë në krevat. Akrepat po ecnin shpejt. Nuk duroi dot më.E kapi telefonin dhe i ra numrit të saj.

-Shpirt…
-Po- u dëgjua nga ana tjetër .
-Në punë je?
-E ku të jem tjetër?!Përse?
-Jo jo kot…
-Mirë,po e mbyll pra se jam e zënë.
-Në rregull.Të dua!
-Edhe unë.
E mbylli telefonin dhe nxitimthi mori dyqanin ku porositi lulet.
-Me falni!Dje kam berë një porosi për ta dorëzuar sot në mëngjes në orën tetë tek…

Nuk arriti ta mbaronte të gjithë  fjalinë sepse nga ana tjeter u dëgjua: Nëse e keni fjalën për ata 100 trendafilat e kuq i kemi dërguar.
-E sigurtë? -u përpoq të merrte edhe njehere konfirmim.
Por nga ana tjetër ia prenë shkurt
-Po ,po jini i qetë. Kanë shkuar, madje dhjetë minuta më herët…

Ne jemi ndër dyqanet me korrektë dhe punojmë me një seriozitet,përkushtim dhe super korrektësi. Jemi më të mirët në treg. Nuk e kemi frikë konkurrencën sepse askush nuk na konkurron dot. Prandaj dhe ju na zgjodhët ne apo jo? Jeni përherë i mirëpritur në dyqanin tonë dhe mos ngurroni të na bëni edhe vrejtje,natyrisht tek ne nuk ka vend por gjithësesi jeni i mirëpritur!

U përpoq të ishte i sjellshëm duke thënë një faleminderit me gjysmë zëri ,por  nga ana tjetër ,u dëgjua vetëm sinjali i mbylljes së telefonit ,dhe sa mirë që nuk i pa turinjtë që shtrembëroi vajza ,e cila ,kishte nisur lulet. Ai kishte hall nëse kishin mbërritur ata trëndafila,ndërsa ajo çdo ditë përgatiste buqeta të pafundeme dhe askush nuk ishte kujtuar ti falte qofte edhe një lule asaj. Ajo i urrente lulet pikerisht prej këtij fakti,pavarësisht se nëpër duart e saj kalonin lloje nga më të ndryshme çdo ditë,edhe pse i njihte ato vetëm nga aromat,leje pastaj që gishtat e saj dhimbnin ende nga gjembat që cimbisnin  , dhe  ndonjëri mbetej edhe në ata mishrat e hollë të gishtrinjëve për ditë me radhë.

Çudi sesi harxhonin njerëzit kaq shumë lekë duke blerë buqeta me lule ,kur mund të bënin një dhuratë e cila do të jetonte më gjatë. Lulet vetëm pak ditë dhe do ta humbisnin freskinë e pastaj do të përfundonin në koshin e plehrave. Por jo! Lulet ishin ato që shiteshin më shumë! Ajo nisi të përgatitete një tjetër buqetë me lulen e preferuar të saj,Zogun e parajsës. Shkëlqimin që mbante kjo lule ia jepte pikerisht egërsia dhe madhështia që e karakterizonte. Thuhej se ishte ideale për çiftet që parashikonin ta kalonin të ardhmen së bashku ,por ajo nuk besonte në këtë. Në jetën e saj nuk kishte qenë kurrë vet i dytë, por vetëm e rrethuar nga aromat e luleve. Mori ndër duar një degë të Zogut të parajsës dhe e vështroi me kujdes. Kjo lule i ngjasonte një  zogu mbretëror me shkëlqimin e puplave mbi kokë. Sa keq që e preferonin fare pak. Ndoshta njerëzit nuk ja dinin kuptimin… Ata blenin thjesht lule ,por pa e ditur kuptimin e secilës prej tyre. Për  shembull :dikush njëherë kishte porositur një buqetë me zambak për  një rast vdekjeje. Ndërkohë që zambaku është simbol i fertilitetit,pastërtise,mençurisë. Por edhe vetë ngjyarat e tij simbolizojnë dicka të ndryshme nga njera -tjetra.

-Mos u mërzit- i foli afër  Zogut të parajsës!Edhe po nuk u kujtuan ata,kujtohem unë  për ty. Ajo fliste shpesh me lulet. Ndonjeherë edhe inatosej me to. Por gjithësesi,ato ishin te vetmet shoqëri që kishte.

Andrea kapi edhe njëherë telefonin. U bë gati ti telefononte edhe njëherë Dianës ,por u bë pishman. Më mirë të mos e shqetësonte. Vendosi ti shkruante një mesazh në telefon.

” E dashur! Ti sot ndoshta  ke harruar që ke datëlindjen,por unë nuk kisha si ta harroja. Keto tre vite me ty,janë vitet kur jeta ime u bë e kuptimë!Ti je motivi i ditës sime. Pa ty unë jam askushi. Faleminderit që më mësove të dashuroj!Gezuar shpirti im! Jam duke pritur te me thuash ku dëshiron ta festojmë sot? Te dua!
Atij asnjëherë nuk i ishte dhënë për të shkruar.

Meshkujt kur bien në dashuri bëhen si gjysëm budallenj. Çdo teke dhe llastim i femrës ju pëlqen dhe nuk dinë te kundërshtojnë për asgjë,edhe kur ato e kanë gabim, madje as që arrijnë ti kuptojnë gabimet e tyre. Përkundrazi nga dashuria që kanë  vetëm u japin të drejtë,dhe kështu i shtyjnë drejt një gabimi tjetër.

Diana kishte rreth gjysmë ore që vërente tufë  e luleve mbi tryezën e punës. Tre vite me radhë dhe ai nuk harronte ti dergonte  asaj nga një buqetë me lule. Këtë vit ai e kishte ndryshuar buqetën e tij të preferuar me trëndafila të kuq,ndoshta në mënyrë krejt të rastësishme,por kjo nuk besoj se do kishte ndonje problem për Andrean ,-mendoi ajo,-mjaft që ajo ishte një buqetë e bukur,ndërsa për Dianën po.

As që e mbante mend ditëlindjen e saj,po të mos ja kujtonte ai.Ja si çdo  vit ,edhe sot ata do të dilnin të hanin drekë së bashku. Ai do të merrte atë bërxollën e viçit të marinuar ,ndërsa ajo ,do ti kushtonte më shumë vëmendje gotës së verës. Gjithmonë do të pinte më shumë se ai. Ato dy herët e fundit ,edhe ishte trullosur pak,por ai e pëlqente këtë gjë. Kur pinte ,ajo jepej më shumë në shtrat. Pastaj pasi kalonin të dy në orgazëm,kthente menjeherë shpinën dhe donte të flinte pakëz. Në përgjithësi ky është një veprim që e bënin meshkujt,por edhe asaj i shkonte shumë për shtat sepse, gjithmonë ishte ajo që e ngrinte zërin,ajo që shante kur i vinte,ajo që jepte urdhëra,ajo që udhëhiqte lidhjen e tyre,ajo dhe vetëm ajo.

Andrea qëndronte përballë dollapit të rrobave dhe vështronte këmishat. Kishte me dhjetra por sa herë linte takim me atë,asnjë nuk i pëlqente. Kushedi sa herë ishte veshur e zhveshur në momentin e fundit kur do dilte nga shtepia për të takuar atë. Kishte ardhur koha të bënte ca blerje të reja. Ajo gjithmonë qëndronte indiferente përballë veshjes se  tij,por atij i pëlqente ta pyeste nëse ishte veshur mirë?Si i dukej këmisha që kishte veshur,a kombinohej ajo me pantallonat, etj. Vetëm këtu ajo kuptonte, që ai kishte veshur diçka të re. Ndonjëherë ai vishej vërtet me shije,por në ndonjë rast edhe ja shpifte,gjithësesi ajo përpiqej t’ja thoshte me takt:- Nuk të shkon kjo që ke veshur… Pastaj ndërronte shpejt bisedë që të mos e mërzitete atë.

Diana nuk ishte në qejf për të dalë e për të festuar atë ditë. -O zot,mendoi. Gjithmonë kur do ky! Asnjëherë nuk pyet nëse kam dëshirë të dal apo jo. Ditëlindja…Ditëlindja… E çfarë pastaj?! Thua se kam ndonjë qejf për të festuar vitet që po ikin. Unë e kam jetën nje lëmsh ndërsa ai….. Po natyrisht, sepse ai i ka në rregull gjërat e tij. Po une çfarë kam… Asgjë… Ikin vitet… Dhe për sa kohë do vazhdojmë kështu…. Hodhi sytë nga buqeta e luleve. Çfarë lloj luleje ishte ajo?! Nuk e kishte parë kurrë më parë. Ju duk sikur kishin sy.Ishte duke ju marr fryma. Shumë vapë ishte bërë  brenda në atë dhomë.Zbërtheu pak komçën e këmishës ,por prap po mbytej. U ngrit lehtë,pa i përplasur takat e këpucëve,siç e kishte zakon dhe hapi dritaren. Nxori pak kokën jashte saj , për  të shpëtuar veten nga gjithë ajo mungese ajri që kishte pushtuar dhomën. Në rrugën poshtë godinës boritë e  makinave shtynin njëra- tjetrën për  të arritur sa më shpejt në destinacion.

Të gjithë e kishin me nxitim atë  ditë. Ajo vështroi qiellin. Re shiu lajmëronin se së shpejti moti do të prishej… Pikat e para sapo kishin nisur të spërkatnin rrugët. Nga godina përballë mund të shihje vajzat e reja me uniformë, të cilat përdridheshin tek kalonin pranë rafteve ,gjoja per të marrë ndonjë dosje,por në fakt ,kete gjë e bënin enkas për tu treguar shalët e holla, që fshiheshin gjysëm nën fundin e zi,shefave dhe pronarëve të tyre. Nuk kishin faj! Fundja me ato kofshë mbanin vendin e punës! Ajo për vete nuk mbante mend kur kishte veshur uniformë për herë të fundit, ose më saktë ,uniformë kishte veshur vetëm në  shkollën fillore.

Ajri vazhdonte ta mbytëte . U zgjat edhe pak në dritare. Tani i dukej vetja  me e çliruar. Me gjysmën e trupit jashtë provoi të  ngrihte krahët. E bënte shpesh kur ishte femijë,kur i ati e mbërthente fortë nga beli,ajo i hapte krahët dhe i thonte se po fluturonte. Ishte një avion,një pulëbardh,një flutur,një zog. Tani askush nuk ishte aty, që  ta mbërthente fortë e ajo te mos kishte frikë. E ç’ishte frika?

Frika është reagim emocional i fuqishëm përballë përceptimit të një rreziku të vërtetë objektivisht apo imagjinar. Është një ndjenjë shqetësimi e thellë kur jemi përpara një rreziku që na kanoset drejtpërdrejt, a përpara një rreziku të ardhshëm, përpara një fatkeqësie etj.

A po! Këto lule ngjasonin me zogjtë. Valle përse ja kishte dërguar ai?! Ndoshta ngaqë e dinte se asaj i pëlqente liria. Apo ndoshta ai,i kishte mësur edhe të fundit sekret-dëshirën për të fluturuar. Këto lule nuk meritonin të qëndronin ashtu të lidhura pas qeses zbukuruese. Zogjtë nuk mund të qëndronin në kafaz.-Jo ..jo nuk kam frikë-kjo është e fundit gjë që mendoi. Mori lulet dhe i ndau në mënyrë te barabarte në të dyja duart. Sa më shumë i shihte, zogjtë bëheshin më të gjallë. Ju afrua sërish dritares. U ngrit dhe pak në majë të gishtave  dhe i dha trupit hov. Tani po fluturonte vërtet së bashku me atë tufë zogjsh. Ata u shpërndanë bukur secili në rrugën e vetë, ndërsa ajo ishte teper e rëndë e po humbte ekuiliber. Hodhi sytë nga krahët. Ende nuk i  kishin dalë…

Tani ishte vonë për tu kthyer prapsht… Ishte drejt fundit të trotuarit. Thjesht mbylli sytë e tmerruar për të mos parë plasaritjen e kockave të saj. Ndërsa zogjtë  e parajsës vallëzonin me erën që i shtynte tej.

Share: