Home KRYESORE E dini kush është “Baftjari” i vërtetë, personazhi që frymëzoi këngën e...

E dini kush është “Baftjari” i vërtetë, personazhi që frymëzoi këngën e Bes Kallakut dhe Ylli Bakës?

I konsideruar si një nga zërat më të mirë të jugut, këngëtari i muzikës popullore, Ylli Baka, në fillim ishte pak skeptik kur iu propozua bashkëpunimi me Bes Kallakun. “Gëzuar Baftjar”, kënga e publikuar vetëm pak javë më parë, numëron rreth 4.5 milionë klikime, por ishte një sukses befasues për këngëtarin e njohur të muzikës popullore.

I ftuar pasditen e sotme në programin e pasdites “Rudina”, Ylli Baka ka rrëfyer më shumë për këtë bashkëpunim, i cili i kaloi të gjithë pritshmëritë e tij: “Baftjari na i hodhi poshtë të gjitha këngët…” – thotë ai me humor, ndërsa Rudina e pyet si është pritur kënga e tij e fundit.

Edhe pse është një zhanër me të cilin Ylli provonte për herë të parë, vendosi ta pranonte, nisur edhe nga nxitja e Besit: “Nga Besi mund të presësh gjithҫka…. Ai më tha që në fillim që është sukses, por unë isha pak skeptik. Kur m’u propozua, në fillim refuzova. Madje thashë “ҫ’dua unë me këtë këngë”. Por ja që rezultoi e suksesshme”, – tregon Ylli duke shtuar se jo vetëm që është pëlqyer, por edhe e ka kënduar disa herë në koncerte, “në festën e grave e të burrave.”

Por cili është Baftjari i vërtetë, personazhi i këngës? Emri Baftjar nuk është shumë popullor në Shqipëri, por u bë pas personazhit të Besit në “Portokalli”. Aktori i njohur i humorit e bëri atë pjesë të karakterit, ndaj edhe i lindi si ide që të krijonte një këngë për Baftjarin e përmes tij për të gjithë të ngjashmit me të: “Më kanë pyetur edhe shumë njerëz për këtë: Ylli, kush është Baftjari? Mos është babi im, mos është ky apo ai… Baftjar nuk është një emër shumë i përhapur. Ai lindi nga një personazh i “Portokallisë” që luan Besi dhe nga batutat e tij u bë popullor. Por Baftjari simbolizon qejfin, gëzimin, harenë e argëtimin. Baftjari është një njeri që do të gëzojë. Është një personazh i krijuar nga batutat e “Portokallisë”. Baftjari mund të jetë kushdo nga ne… “ tregon Ylli Baka. Kënga që vazhdon të dëgjohet në dhjetëra koncerte live të këngëtarit, ka thyer ҫdo pritshmëri. Por meritë për këtë kanë të gjithë bashkëpunëtorët. Siҫ tregon Ylli, Besi u kujdes për tekstin e tij, ndërsa për tekstin e këngëtarit u kujdes edhe bashkëpunëtori i shumë këngëve të tij, Arben Duka.

Media

Share: