Home KRYESORE Ligji “antimafia” kontrollon pasurinë e familjarëve të Balilit

Ligji “antimafia” kontrollon pasurinë e familjarëve të Balilit

Prokuroria për Krime të Rënda zgjeron rrethin e familjarëve të Klemend Balilit vënë në hetim pasuror. Në emër të Balilit, rezulton vetëm një banesë në fshatin Stjar të Delvinës dhe një llogari bankare. Pronat e tjera bashkë me kompleksin turistik në emër të vëllezërve. Klemend Balili, i cilësuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit” rezulton i varfër në Shqipëri. ABC News ka mësuar se krahas hetimit penal, Balili dhe pjesëtarët e afërm të familjes së tij po hetohen me ligjin “Antimafia” edhe për pasurinë e tyre. Burimet thonë se nga hetimet e kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda, Balili rezulton se ka në emër të tij vetëm një banesë në fshatin Stjar të Delvinës dhe një llogari bankare, ku merrte edhe rrogën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transportit në Sarandë.
Në këtë llogari rrjedhëse, thonë burimet është gjetur një sasi e vogël parash. Sipas akuzës, asnjë pronë tjetër apo pasuri si tokë e truall apo ara, nuk figurojnë në emër të Klemend Balilit, qofshin këto edhe në bashkëshpronësi. Për këtë fakt, prokuroria ka zgjeruar rrethin e pjesëtarëve të familjes së Balilit, të cilëve po i verifikohet pasuria. Burimet thonë, se kompleksi turistik në Sarandë, “Santa Quaranta” nuk është në pronësi të Balilit por vëllait të tij, pasuria e të cilit tashmë po verifikohet.

Këto burime, saktësuan se prona është privatizuar shumë vite më parë me procedura të rregullta por që nuk mund të verifikohet origjina e parave të privatizimit të ndërtesës. Ajo që për hetuesit, tashmë është objekt i një hetimi të imtësishëm, është investimi dhe rinovimi i kompleksit që është kryer pas vitit 2004, kohë edhe kur ka hyrë në fuqi ligji “Antimafia”. Në bazë të këtij ligji, të gjithë pjesëtarëve të ngushtë të familjes së Klemend Balilit po i verifikohet pasuria. Për llogari të këtij hetimi, është kërkuar nga Hipoteka, Tatimet e të gjithë bankat e nivelit të dytë të identifikojnë pronat, pasuritë, bizneset apo llogaritë bankare për të afërmit e tij.

Nga ana tjetër, Klemend Balili, prej dhjetorit të vitit të kaluar është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Pavarësisht këtij vendimi, policia thotë se është shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar nga zyra e Interpol Tiranës. Por në faqen zyrtare të Interpolit, ku publikohen të gjithë emrat e personave të shpallur në kërkim nga shtetet përkatëse, Klemend Balili nuk figuron në këtë faqe të aksesueshme nga publiku. Për dhënien e informacionit të vendndodhjes së tij, policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 50 milionë lekësh. Ndërkohë, sipas dosjes hetimore, Klemend Balili dyshohet se është një nga organizatorët e rrjetit të trafikut të drogës, që për dy vite ka trafikuar në të gjithë vendet e BE-së rreth 3.8 ton hashash dhe 84 kg kokainë./lapsi.al

Share: