Home KRYESORE Mediu: Administrata Trump në tranzicion, s’e ka mendjen te ne

Mediu: Administrata Trump në tranzicion, s’e ka mendjen te ne

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, një prej aktorëve të opozitës në protestën 38 ditëshe përpara Kryeministrisë, shprehet se kauza e të djathtës ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.I ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, Mediu sqaroi se problem për situatën aktuale është tranzicioni i administratës së Trump dhe për shkak vëmendja e Uashingtonit nuk është në Shqipëri.

Mediu s’e quajti të dështuar vizitën e fundit të Bashës në SHBA ku nuk u njoftua zyrtarisht asnjë takim dypalësh, pasi sipas tij takimet janë mbajtur me përfaqësues të lartë pranë Presidentit amerikan.

Sa i takon vizitës së z.Basha thelbi i diskutimit nuk ishte më në Senat dhe Kongres, por në nivele të larta në administratën Trump. Në dijeninë time kanë qenë takime të rëndësishme dhe do ketë zhvillime sa i takon zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e politikë shqiptare 6 senatorë kanë shkruar një letër ku ngrenë shqetësime për situatën në Shqipëri, situatën zgjedhore. Të mos harrojmë që për shkak të tranzicionit të administratës së Trump në rajon dhe në Shqipëri nuk është vëmendja e duhur“, u shpreh Mediu.

Z.Mediu, mes Kryeministrise dhe selise së Kuvendit është vendosur çadra e opozitës, ku kërkohet largimi i kësaj qeverie, është një kërkesë ultimative, ka ndonjë mundesi negocimi !? Apo është kërkesë sinekuanon, që ju nuk hyni në zgjedhje me këtë qeveri!?

Opozita e ka shumë të vështirë kur përballet me krimin që mbështetet nga shteti. E pamë atë që ndodhi në Dibër, krimi veproi, votat e u blenë. Prandaj, ne kërkuar marrëdhënie të përbashkëta me qeverinë e sotme duke nisur nga votimi elektronik i cili u hodh menjëherë poshtë. Pra, opozita nuk iu la as mundësia për të provuar. Të gjitha këto kanë provuar qëllimin e PS për të manipuluar procesin zgjedhor. Të gjitha reformat zgjedhore janë bërë me mirëkuptim. Qëndrimi i Berishës vite më parë ka qenë që Kodin Zgjedhor kemi detyrimin ta bëjmë me PS-në, kjo është hera e parë që nuk ndodh në 26 vjet. Një moment është kur ne nuk hyjmë në zgjedhje dhe mazhoranca shkon në zgjedhje e vetme.

Mundësia tjetër është ajo për të gjetur një marrëveshje, një qeveri teknike, një qeveri e mandatuar për disa çështje. Dhe nuk është Shqipëria rasti i vetëm. Është rasti i Maqedonisë dhe ai i Malit të Zi. Po t’i referohemi këtij të fundit, ka pasur një konflikt mazhorancë-opozitë përpara zgjedhjeve, ka pasur debat brenda koalicionit dhe u vendos në fund që të shkohej drejt një qeverie të përbashkët me qëllim zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe anëtarësimin e Malit të Zi. Ne s’kërkojmë që Rama të shkurtojë mandatin e tij, por të shkojmë në një qeveri teknike, le ta kthejmë në rregull ligjor që përpara çdo zgjedhje të kemi qeveri teknike e cila frenon krimin, paratë e pista. Edhe Greqia ndërron disa ministra para proceseve zgjedhore në mënyrë që procesi të jetë sa më ‘fear’.

Dy qeveritë teknike në historinë e vendit janë ajo e ’92 me 6 ditë bukë dhe e ’97-ës me tre mijë të vrarë. Pse duhet që për një kompromis të krijohet një destabilitet si në të kaluarën?

Në atë kohë pati një vlerë shumë pozitive në atë ndarje të thellë për një mirëkuptim mes palëve për një proces të lirë dhe zgjedhor. Pra, garantuan një proces zgjedhor normal. Në vitin 1997, ajo ndodhi edhe më përpara se të vinte qeveria e z.Fino. Por ishin disa marrëdhënie që nuk kontrolloheshin dot nga politika. Gjithsesi, prodhuan mirëkuptim politik dhe kjo është rëndësishme kur flasim për integrimin e Shqipërisë në BE ku si kusht janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe nuk mund të bëjmë përjashtim nëse pretendojmë se jemi ata që duan të kapin Europën. Kemi një tendencë për të kriminalizuar të gjithë shoqërinë shqiptare. Shqipëria është sot eksportuesi i parë në Europë i marijuanës dhe për më tepër në risqet që ka Ballkani po krijon një risk të madh për terrorizmin. Ka mungesë vullneti për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Deputetët e PS e thonë hapur se ne ndërtuam këtë marrëdhënie me krimin sepse ndaj Berishës nuk fitonim dot kurrë.

Kërkesa për votim elektronik është “rrëzuar” nga ambasadori i OSBE në Tiranë, pra nuk mund të bëhet…

Ia kam thënë ambasadorit të OSBE që për votimin elektronik të krijohej mundësia për ta provuar. Ne duhet të provonim që bëhej apo nuk bëhej. Ka funksionuar numërimi elektronik në Malin e Zi. Pse atje nuk funksionon dhe këtu jo. S’besoj se ambasadorët kanë njohur të plotë sa i takon votimit elektronik. Në vitin 2013 ka qenë një kërkesë e PS. Kanë qenë dy procese pilot që nuk u zhvilluan sepse p.sh në Fier ishte një parti tepër në formatin e fletës së votimit, pra për një arsye fare banale. Që ditën e parë kam kërkuar nga KQZ me shkrim pse qeveria nuk ka akorduar fondet për identifikimin dhe numërimin elektronik.

A ka mundësi kompromisi në komisionin e reformës zgjedhore?

Besoj se ka mundësi, përsa kohë kemi interes për pjesëmarrje të madhe të qytetarëve në zgjedhje dhe përsa kohë partitë mendojnë se përfaqësojnë interesin qytetar. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm që procesi zgjedhor të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nëse plotësohen këto kërkesa, hiqni dorë nga qeveria teknike?

Ai komision ka qenë më jofunksionali i ngritur ndonjëherë. PS nuk ka analizuar as propozimet e aleatëve të saj, të LSI-së. Ka marrë qëndrim in-extremis për procesin zgjedhor.

Ndërkombëtarët nuk iu mbështesin. Ambasada e SHBA tha se administrata Trump është kundër protestës së PD…

S’besoj se është plotësisht kështu. Ambasada e SHBA thoshte se jemi të interesuar për luftë kundër krimit, për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nuk mendojmë se bojkoti i shërben kësaj. Dhe përgjigja ime është, kush e zgjidh luftën kundër krimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme? Një deklaratë, një qëndrim? Apo një vullnet i përbashkët? Duhet gjithmonë një bashkëpunim brenda institucioneve për të marrë një vendim të drejtë. Kam qenë disa herë në SHBA dhe mbështetja amerikane për opozitën është evidente. Jemi në një situatë manipulimi të opinionit publik. Për herë të parë në historinë e politikë shqiptare 6 senatorë kanë shkruar një letër ku ngrenë shqetësime për situatën në Shqipëri, situatën zgjedhore. Të mos harrojmë që për shkak të tranzicionit të administratës së Trump në rajon dhe në Shqipëri nuk është vëmendja e duhur.

Sa i takon vizitës së Bashës në SHBA, duket sikur numri i të takuarve është më i ulët se ata që keni takuar ju…Gjithë ajo pritshmëri që kishte çadra përfundoi në një zhgënjim pas vizitës së Bashës në SHBA…

Unë kam qenë me z.Basha në SHBA edhe një vit më parë. Edhe gjatë inaugurimit të Trump dhe kemi zhvilluar takime të rëndësishme. Edhe në takimin me Sekretarin Tillerson ne kemi ngritur shqetësimin e zgjedhjeve. Sepse kanë qenë këta njerëz që kanë mbështetur Shqipërinë në NATO. Edhe në Europë ka pasur qëndrime. Kemi një qëndrim të PPE në muajin janar sa i takon krimit të organizuar dhe trafiqeve. Sa i takon vizitës së z.Basha thelbi i diskutimit nuk ishte më në Senat dhe Kongres, por në nivele të larta në administratën Trump. Në dijeninë time kanë qenë takime të rëndësishme dhe do ketë zhvillime sa i takon zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Ambasada thotë jepini fund bojkotit…

Asnjë ambasadë nuk mund të marrë qëndrim zyrtar pa pasur qëndrim zyrtar nga qendrat e tyre. Por, kur shtrohet çështja e krimit dhe korrupsionit, parave të pista, pyetja që vjen është të ulemi në parlament, të ulemi kokën e të shkojmë në zgjedhje, apo duhet të vendosim njëherë e mirë pikat mbi “i” që kjo është zgjidhja me mbështetjen e SHBA dhe BE. Jemi të vonuar në aspektin e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar për reformën zgjedhore. Po të kishin insistuar që në fillim, s’do ishim në këtë pikë.

A kanë nisur negociata mes politikës?

Në dijeninë time jo. Ne kemi marrë një tur të shpjegimit të pozicioneve tona me të gjithë përfaqësuesit e BE në Tiranë.

Një mbështetje për kërkesat tuaja duket sikur nuk ka pasur nga ambasadorët?

Të gjithë biem dakord në ato tryeza që situata e kriminalitetit në Shqipëri është shumë e rëndë. A duhet që opozita të ushtrojë funksionin në parlament? Sigurisht, por a është parlamenti përfaqësues sot? Më thoni nëse parlamenti ka pasur një marrëdhënie të qenësishme sot mes mazhorancës dhe opozitës, nuk ka ndodhur. Kanë qenë dy institucione të shkatërruara qëllimisht, parlamenti i kthyer në foltore të qeverisë, parlamenti nuk kryen funksionet kushtetuese, nuk kryen dot kontrollin ndaj ekzekutivit, komisionet hetimore janë kthyer në qesharake, ka dalë nga thelbi i funksionit kushtetues.

Ka zëra se protesta juaj ka si shkak bllokimin e Vettingut…

Vettingu do kishte dështuar në Kuvend edhe sikur të ishim, sepse nga 27 kandidatë u paraqitën 21.

Dialogu kur do nisë? Rama ka thënë se është i hapur për dialog…

Rama bën shou politik, në çdo rast ka vepruar në mënyrë të njëanshme.

Si mendoni se dilet nga kjo situatë, dy partitë e mëdha duken të palëvizshme nga pozicionet…

Po i kthehem vitit 2002 kur u zgjodh Presidenti i Republikës. Kam thirrur një tryezë të opozitës ku u arrit me konsensus zgjedhja e z.Moisiu President të Republikës. E njëjta gjë edhe në vitin 2007, kam pasuri porosi nga SHBA dhe kam thërritur tryezën. Në 2017-ën mendoj se është e rëndësishme që të biem dakord se cilat janë problemet që ekzistojnë. Të ulemi dhe të diskutojmë si t’i eliminojmë. Kryeministri ta pranojë që ky është element shqetësues, si krimi, droga, paratë e krimit, paratë e pista, s’e themi vetëm ne, e thotë DASH e INTERPOL-i. Dhe kush është mënyra e zgjidhjes…zgjidhja është evidente. Ka histori të vendeve të rajonit, por edhe histori të tjera të mirëkuptimit politik.

Një mandati dytë i Nishanit ose dikush nga opozita do ishin garanci për opozitën?

S’besoj se jemi në atë tolerancë ku të pranohet një President të opozitës. Sulmi që i është bërë institucionit të presidentit është i paprecedentë. Ajo që i kam propozuar z.Basha është të dalim me një formulë të qeverisë teknike dhe për çështjen e krimit dhe të parave të krimit të organizuar.

Share: