Home KRYESORE Parashikimet për pasojat e krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare dhe në rajon

Parashikimet për pasojat e krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare dhe në rajon

Nga Kasem Seferi

Disa tregues të ekonomisë europiane në fillim të vitit 2011 tregonin se kishte shenja (të përkohëshme) që tentonin të tregonin se shërimi nga efektet e krizës financiare dhe ekonomike botërore po i afrohej fundit.

Sistemi bankar mbështetej nga skema të ndihmës qeveritare dhe pjesërisht nga pronësia shtetërore; kriza bankare konsiderohej më e thella që nga koha e Depresionit të Madh (1929 – 30).

Qeveritë në disa vende të Europës po e thellonin krizën financiare dhe ekonomike për shkak të paaftësisë për të ripaguar borxhin (Greqia, etj).

Papunësia ishte në nivel të lartë dhe askush nuk e dinted he nuk e di sa do të zgjasë.

Reçesionet/rëniet e rritjes ekonomike nuk ishin të pranueshme për arsye se shkaktuan humbje të vendeve të punës.

Shërimi ekonomik parashikohej të ishte i gjatë, i ngadaltë dhe do të kishte shkurtime të shpenzimeve të qeverisë, rritje të tatimeve dhe barrë shumë të mëdha të borxhit (publik) që po krijonin qeveritë.

Në këtë kontekst, debati mbi shpenzimet publike nuk duhet do të ishte vetëm mbi shkurtimin por mbi masën dhe shpejtësinë me të cilat do të bëhej. Ishte dhe mbetet ende e vështirë të parashikohen vende të reja pune gjatë viteve që vikuan dhe viteve që vijnë.

Mbi të gjitha, pensionet dhe kujdesi shëndetsor, financimi i tyre në mënyrë private ose publike, me një popullsi që plakej rriti borxhet e qeverisë për të financuar përfitimet e pensionistëve.

Pabarazia midis të ardhurave dhe pasurisë u bë edhe më e dukshme.

Shtrembërimet e rëndësishme qeveritare në ekonominë globale dhe shkaqet e tyre mbështetëse janë:

(i) nxitja e pronësisë universale të shtëpive në SHBA;
(ii) (ii) rritja ekonomike e udhëhequr nga eksporti në vende të tilla si Gjermania dhe Kina, politika këto që sëbashku kanë çuar në “zhbalancime globale” masive, duke bërë të mundur që disa vende të tilla si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja të mbeten me defiçit buxhetor dhe të marrin para hua nga tepricat e vendeve eksportuese.

U vërtetua një thënie humoristike: “Kur tështin Amerika, ftohet e gjithë bota.”.

Disa vëzhgues, besonin se kohës së Amerikës po i vinte fundi, për arsye se rendi botëror, i bazuar te Perëndimi, po zevendësohej nga një rend që, gjithnjë e më shumë, po dominohej nga Lindja.

Historiani Niall Ferguson i Universitetit të Harvardit ka shkruajtur se shekulli i përgjakshëm i 20 – të dëshmoi “zbritjen e Perëndimit” dhe “një riorientim të botës” drejt Lindjes.

Realistët vazhdojnë të venë në dukje se ashtu sikundër Kina bëhet më e fuqishme dhe pozicioni i SHBA – ve po erodohej, me gjasë mund të ndodhte që Kina do të përpiqej të përdorte influencën e saj të rritur, për të rimodeluar rregullat dhe institucionet e sistemit ndërkombëtar (siç u vu re në takimet e G 20, FMN dhe Bankës Botërore) për t’i shërbyer më mirë interesave të saj dhe shteteve të tjera në sistem.

Rezultati i atyre zhvillimeve, parashikonin ata, do të ishte tensioni, mosbesimi dhe konflikti, tipare tipike këto të tranzicionit të pushtetit.

Në këtë këndvështrim, drama e ngritjes së Kinës pritej të kishte tiparet e një Kine që ngrihej dhe një SHBA – je në rënie. Dhe, ashtu sikundër vendi më i madh i botës shfaqej jo nga brenda, por nga jashtë rendit ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, dukej si një dramë që do të merrte fund me një ngjitje të madhe të Kinës dhe mësymjen drejt një rendi botëror që do ta kishte qendrën në Azi.

Në këtë mënyrë u vu në dyshim fakti se koalicioni SHBA – BE nuk do të mund të siguronte një “lidërship të përbashkët”, sepse ai nuk përfaqësonte më bazën më favorizuese për një “koalicion fitues stabël” në një kuadër të ri të sigurisë shumëdimensionale, krahasuar me aleancat e tjera potenciale fituese, si për shembull Bashkëpunimi Ekonomik Azi – Paqësor.

Aksi SHBA – BE, në mënyrë të veçantë, simbolizon koncentrimet e larta të pasurisë, burimeve të politikës dhe avantazhet pozicionale brenda kuadrit ekzistues shumëpalësh, për të promovuar përgatitje më të gjëra bashkëpunuese shumëpalëshe në Europën Juglindore dhe, veçanërisht, në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ishte e pamundur të nxirrej një kufi i qartë rreth sferës, ose fushës së veprimit njerëzor që solli krizën financiare dhe ekonomike botërore, për ta përfshirë në shkencën ekonomike, për arsye se shkenca ekonomike nuk “është mbi sendet dhe objektet e lëvizshme materiale“, ajo është mbi njerëzit, domethënien dhe veprimet e tyre.

Në këtë kuptim, tregu, është një proçes i vigjilencës sipërmarrëse.

Në cilin fazë/etapë të zhvillimit ndodhet tregu i Europës Juglindore dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor pikërisht në fund të dekadës së dytë të shekullit të 21 – të?

Politika e zgjerimit të BE – së ka qenë për një kohë të gjatë strategjia kryesore e demokratizimit, ose mjeti më i fuqishëm, në gjendje që të sillte ndryshimin real për reformat demokratike në vendet fqinj të BE – së (kryesisht në vendet e Ballkanit Perëndimor).

Përveç Kroacisë, në perspektivën afatmesme, zgjerimi i mëtejshëm nuk pati gjasa për vendet e tjerë, të paktën për aq kohë sa BE nuk kërkoi të ratifikonte dhe, më pas, të vinte në jetë siç duhej Traktatin e Lisbonës.

Në vitet që pasuan krizën financiare dhe ekonomike botërore u pa dhe po shihet qartë se pa nxitësin e zgjerimit, BE – së i nevojitej dhe i nevojitet të kombinojë një rrugëzgjidhje të bazuar në vlera, me nxitës të tjerë, të vërtetë, që të stimulojnë një qeverisje më të mirë dhe demokratizim të mëtejshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për rajonin e Ballkanit Perëndimor si pika të mundshme të konvergjencës ende mbeten:

Siguria e energjisë – një interes i përbashkët në sigurinë e rrjedhës të burimeve të energjisë për Europën, të paktën për Turqinë (që konkuron projektet e naftë/gazsjellësve. BE si një konsumator (disa shtete anëtare të tij varen 100 për qind nga importet ruse) në arritjen e marrëveshjes komplekse me Rusinë, duke lejuar ndërkëmbimin e kuadrit të saj rregullator për kompanitë dhe tregun rus të energjisë.

Siguria energjisë mbetet një prej faktorëve kryesorë që influencojnë marrëdhëniet e BE dhe SHBA, si dhe me vendet e Kaukazit. Kjo çështje mendohet në mënyra të ndryshme brenda Europës.

Europianët perëndimorë e lidhin sigurinë e energjisë me ndryshimin e klimës ndërsa vendet e Europës Qendrore dhe Lindore shqetësohen më shumë me manipulimin e Rusisë në lidhje me burimet e energjisë për fitime politike.

Stabiliteti vetëmbështetës afatgjatë në vendet e Ballkanit Perëndimor – me përgjegjësinë e zhvendosjes drejt BE.

Nevoja për një koncept strategjik të Rajonit të Detit të Zi – rajoni është bërë një kufi i ri strategjik për BE, SHBA dhe Rusinë në lidhje me sigurinë e energjisë, ngrirjen e konflikteve, lidhjeve tregtare, menaxhimin e migrimit dhe fushave të tjera kyç të politikës.

Nevoja për të lehtësuar presionin rus në shtetet fqinje – megjithëatë, pozicionet në përshpejtimin e integrimit të shteteve respektive në strukturat perëndimore ndryshojnë.

Njëfarë sinergjie në lidhje me interesin në zonën e Mesdheut – me adoptimin gradualisht nga BE të parimit të diferencimit dhe me qëllime shumë të ngjashme (siguria, energjia, antiterrorizmi, menaxhimi migrimit).

Pika tëe mundshme të divergjencës mbeten:

Zgjerimi i NATOs – mbetet një mjet i rëndësishëm kushtëzues; përveç presionit nga ana e SHBA, shumë shtete anëtare janë tërhequr nga ofrimi Ukrainës dhe Gjeorgjisë një Plan Veprimi të Anëtarësisë në NATO në samitin e Bukureshtit në 4 Prill 2008, me zhvillimet në Gjeorgji, çështja është bërë vendimtare.

Politika drejt Rusisë – të paktën jo për shkak të pozicioneve të kundërta të shteteve anëtare të BE.

Në mënyrë preferuese, SHBA – së i nevojitet Rusia për stabilitet në botë, përpjekje për siguri dhe antiterrorizëm. BE synon në mënyrë parësore në sigurinë e energjisë. Politika e SHBA mbi Rusinë mund të ndryshojë me administratën e re amerikane të Presidentit Trump (deklarata e këtyre ditëve të fundit e dëshmon fare mirë).

Në anën tjetër, megjithëse politika e jashtme agresive e deritanishme ruse është përpjekur ta zhvendosë SHBA një çikë më larg nga angazhimi, politika e ardhshme e SHBA drejt Rusisë do të varet nga administrata e re amerikane e Presidentit Trump dhe sjellja e Rusisë.

Njohja e Kosovës – disa shtete anëtare të BE nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri tani; problemi, më saktë, është një problem ndër vendet anëtare të BE dhe, më pas, përtej Atlantikut.

Rrugëzgjidhja strategjike – strategjia e BE drejt fqinjësisë u hartua mbi bazën e marrëdhënieve të një strukture shumëpalëshe dhe komplekse, që përfshijnë gjithashtu një komponent të fortë dypalësh.

Me tendencën drejt theksimit të parimit të diferencimit dhe me mungesën e bashkërendimit, BE (me sa duket nga vizita e ditëve të fundit të Kancelares Angela Merkel) po përpiqet të adoptojë një rrugëzgjidhje të ngjashme me SHBA dhe ka të ngjarë që të shfaqet, ndoshta, edhe një konkurrencë interesash.

Politikë dhe ekonomi. As ndahen dhe as bashkohen. Edhe bashkohen edhe ndahen. Të presim se çfarë “moti“ do të sjellë Zoti dhe fati nesër.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: