Home KRYESORE A mos, ndoshta, ka ardhur koha për një Presidente Zonjë?

A mos, ndoshta, ka ardhur koha për një Presidente Zonjë?

Nga Klodeta Dibra

Pak ditë na ndajnë nga nisja e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm në jetën politike, por edhe atë shoqërore e kombëtare mbarëshqiptare. Figura e Presidentit është e binjakëzuar me figurën e njeriut që përfaqëson unitetin kombëtar dhe interesat e të gjithë shtetasve shqiptarë, brenda dhe jashte kufijve të Shqipërisë.

Nisur nga periudha e gjatë e tranzicionit, nga mosmarreveshjet e egra të klasës politike, nga politizimi ekstrem i jetës shoqërore shqiptare, nga arbitrimi shpesh ndërkombëtar për të zgjidhur grindjet e brendshme, nga presidentë derimë tani militantë, që kanë përfaqësuar veç interesat e partise politike (përjashtuar këtu ndonjë rast), natyrshëm lindin disa pyetje: çfarë do të përfaqësojë Presidenti i ardhshëm?

A do vijojmë të kemi një President politik kukull? A do mundet Presidenti i ardhshëm të përfaqësojë unitetin kombëtar të të gjithë shqiptarëve? A mos, ndoshta, ka ardhur koha për një Presidente Zonjë? Përse sot është e mundshme kandidatura e një Presidenteje Zonjë?

Nëse do të kisha një votë, do të kisha votuar me bindje të plotë një Zonjë për Presidenten e ardhshme të RSH-së. A duhet të jetë një zonjë që prej vitesh ka përvojë politike apo një zonjë që vjen drejtëpërdrejtë nga shoqeria civile? Të dyja opsionet do t’i quaja të pranueshme.

Do të dëshëroja që Presidentja e ardhshme të mishërojë cilësitë e një qytetareje që mbron, pikësëpari, interesat e bashkëkombësve të vet; të mishërojë cilësitë e një profesionisteje të sprovuar; të mishërojë mençurinë e domosdoshme dhe përulsinë ndaj detyrës dhe Kushtetutës; të mishërojë tiparet më të mira shqiptare evropiane; të mishërojë harmoninë e faktorit shqiptar në Ballkan.

Kjo Presidente mund të jetë një ekonomiste e sprovuar, një juriste që di të bëjë drejtësi, një inxhinjere apo arkitekte, një fizikante apo matematiciene, një historiane apo politologe, qe vjen nga klasa politike por edhe jashtë saj, që jeton në Shqiperi por edhe një shqiptare që ka bërë emër jashtë vendit.

Personalisht do të mbështesja kandidaturën e një profesionisteje të zonjën, një qytetare fisnike, një shqiptare që do të dijë të përfaqësojë me dinjitet kombin shqiptar.
Unë e kam zgjedhur presidenten time, me cilësitë e lartpërmendura dhe, madje, me tipare tipike të Ilirëve.

Share: