Home KRYESORE Ambasadorja Alma Lama, audiencë në Senatin Italian

Ambasadorja Alma Lama, audiencë në Senatin Italian

Romë, 5 prill – Me ftesë të Komisionit të Politikave të Bashkimit Evropian të Senatit Italian, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama, mori pjesë në dëgjimin me temë qendrore procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Takimi u hap nga kryetari i Komisionit, senatori Vannino Chiti, ndërsa morën pjesë shumë senatorë, anëtarë të Komisionit si dhe anëtarët të Grupit ndërparlamentar të miqësisë Itali-Kosovë, e që vinin nga grupe të ndryshme politike, si të pozitës ashtu dhe të opozitës .

Ambasadorja Lama fillimisht foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, për t’u përqëndruar më pas në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian. Ajo prezantoi para senatorëve arritjet e Kosovës në implementimin e Marrëveshjes të Stabilizim Asociimit si dhe arritjet dhe sfidat rreth procesit të liberalizmit të viza. Ambasadorja Lama kërkoi nga senatorët italianë mbështetjen e tyre në këto proces, sidomos në çështjen e vizave, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjes së demarkimit të kufrit me Malin e Zi. Ambasadorja Lama po ashtu kërkoi nga senatorët italianë ndihmën e tyre për të lobuar për mbështetje të Kosovës nëpërmjet kontakteve me kolegët e tyre deputetë të parlamenteve që vijnë nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në fund të fjalës së saj, ambasadorja Lama foli edhe për rëndësinë e anëtarësimit të plotë të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si Interpoli dhe këtu kërkoi që Italia të marrë rolin udhëheqës ; Këshillin e Europës, UNESCO etj.

Pas fjalës së ambasadores Lama, shumë nga senatorët prezent shtruan pyetje rreth situatës politike, sistemit të drejtësisë, institucioneve demokratike në Kosovë si dhe rreth zhvillimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare me Italinë. Senatorët u interesuan edhe rreth situatës së sigurisë, influencave që vijnë nga vendet e lindjes si dhe rrezikun e radikalizmit të të rinjve. Një nga pjesëmarrësit e pyeti ambasadoren Lama edhe në lidhje me arrestimet e fundit të kosovarëve të akuzuar për terrorizëm në Venecia.

Ambasadorja siguroi senatorët se institucionet dhe populli i Kosovës është kundër radikalizmit fetar dhe se veprimet apo qëllimet e të arrestuarve kanë shqetësuar si shoqërinë në Kosovë, ashtu edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë në Itali. Lama tha se policia dhe institucionet e Kosovës janë të gatshëm për të bashkëpunuar me policinë dhe prokurorinë italiane. Në lidhje me influencat nga lindja, ambasadorja Lama e vuri theksin tek rritja e prezencës ruse në Ballkan, duke shfrytëzuar marëdhëniet e ngushta me Serbinë, dhe u shpreh se kjo është një gjë shumë e rrezikshme që mund të minojë paqen në rajon. Ambasadorja Lama kërkoi që NATO dhe BE duhet të tregohen të vëmendshme dhe t’i japin përgjigjen e duhur tendencave për destabilizim të rajonit.

Dëgjimi i ambasadorës Alma Lama në në Senatin italian u realizua me iniciativë të senatorit Gianpiero Dalla Zuanna, i cili është kryetar i Shoqatës së sapoformuar Interparlamentare të Miqësisë Itali-Kosovë.

Share: