Home KRYESORE Mali i Zi në NATO, opozita proteston: Të vendoset me referendum

Mali i Zi në NATO, opozita proteston: Të vendoset me referendum

Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në NATO. Por opozita ka mbajtur një tubim në Morinë të Plavës, që forcat e NATO-s bombarduan gjatë luftës në Kosovë.

Liderët e opozitës kërkuan që Mali o Zi të mos futet në NATO dhe të organizohet një referendum në mënyrë që qytetarët të thonë fjalën e tyre. Ata thanë se nëse NATO është kundër Rusisë, atëherë malazezët nuk duhet të jenë pjesë e saj.

“Kemi dhënë betimin para Zotit dhe para qytetarëve që do të shkojmë në referendum. Vullneti qytetar nuk mund të matet në Kuvend dhe vetëm kështu mund ta konfirmojmë, pasi kemi patur eksperienca të këqija me NATO-n”, deklaroi Andrija Mandic, nga Demokracia e Re Serbe.

“Ne nuk jemi kundër NATO-s pasi ka sfida, siç janë terrorizmi, islami radikal dhe projektet nacionaliste në rajon që kërcënojnë edhe kufijtë e Malit të Zi. Por ka shumë pyetje të rëndësishme për ne, nëse NATO do të jetë kundër Rusisë apo partner për paqe. Rusia në Malin e Zi konsiderohet si rojë shekullore dhe unë si njeri pro NATO-s nuk e imagjinoj dot që ushtarët malazezë të luftojnë kundër rusëve”, tha Nebojsha Medojevic, nga Lëvizja për Ndryshim.

Kuvendi i Malit të Zi pritet që të premten të organizoj seancën ku do të duhet të vërtetohet vendimi për anëtarësim. Krerët e Podgoricës nuk janë të frikësuar nga protestat anti-NATO që pritet të mbahen në Cetinje.

Mali i Zi ka patur lidhje me Rusinë dhe shumë investime ruse, por inkuadrimi në Aleancën Veri-Atlantike dhe plani për grushtet kundër krerëve të këtij vendi, që thuhet se u organizua nga rusët, ngritën tensione në tërë rajonin.

Share: