Home KRYESORE SHBA mbron vendimin për përdorimin e “superbombës”

SHBA mbron vendimin për përdorimin e “superbombës”

Ushtria amerikane mbron vendimin për hedhjen e bombës më të fuqishme jobërthamore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik në Afganistan, duke e cilësuar këtë si një veprim taktik.

Komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Afganistan, gjenerali John Nicholson tha se, ajo që është quajtur si “nëna e të gjitha bombave”, kishte qenë arma e duhur për të goditur bazën e dyshuar të militantëve xhihadistë në rajonin e Nangarharit.

“Kjo ishte arma e përshtatshme që nevojitej kundër një shënjestre të tillë. Armiqtë kanë krijuar bunkere, tunele dhe fusha të mëdha me mina, ndaj dhe bomba u përdor për të eliminuar këto pengesa në mënyrë që të vazhdojmë ofensivën tonë në jug të Nangarharit”, tha John Nicholson.

Gjenerali bëri të ditur se rrjeti i gjatë i tuneleve dhe shpellave ishte shkatërruar, e tha se për operacionin ishin koordinuar me autoritetet afgane. Rreth 36 militantë të dyshuar janë vrarë në sulm, sipas zyrtarëve afganë, por Shteti Islamik mohon të ketë pësur humbje në radhët e tij.

Ndërkohë nuk raportohen viktima civile. Superbomba “GBU-43/B” u hodh mbrëmjen e së enjtes nga një avion transporti “MC-130”, duke rënë mbi rajonin Achin në provincën Nangarhar. Dëshmitarë treguan se fillimisht kishin parë një dritë që i ngjante një vetëtime, e ndjekur më pas nga një shpërthim i zhurmshëm.

Ministria afgane e Mbrojtjes pretendon se bomba kishte shkatërruar edhe një depo armësh, e sipas zëdhënësit të presidentit, mes viktimave është edhe komandanti i Shtetit Islamik, Siddiq Yar. Politikat e administratës “Trump” në Afganistan janë ende në fazë shqyrtimi, por përdorimi i kësaj arme përcjell mesazhin e fortë se Iufta kundër ISIS kryeson axhendën e saj.

Share: