Home KRYESORE Baraba… (Pjesa III)

Baraba… (Pjesa III)

Nga Ilir Demalia

Ne nuk jemi në gjendje të krijojmë tharmin e një elite intelektuale me moral që të ndërtoj një raport me të vërtetën dhe të luftoj për të.

Akuzat e Isamil Kadaresë dhe sejmenëve të tij kundër Fatos Lubonjës mendova se do të hapnin një debat të madh, jo për të marrë anën e njerës palë apo tjetrës. Por, kemi të bëjmë me akuza të rënda midis dy njerëzve nga më publikët sot në Shqipëri, Ismail Kadare si shkrimtari më i madh i periudhës së Realizmit Socialist dhe njeriu që hesht për 26 vjet për të gjitha masakrat ekonomike, shkatërrimin e pronës publike, politikën kriminale të lidhur me trafiqe prostitucioni dhe droge të një parlamenti që ngjan më shumë me një kaush të burgosurish ordinere si tashtani dhe gjatë qeverisjeve post-komuniste. Kadare se ka hapur kurrë gojën si oportunizëm shpërblimesh që merr ashtu si dje në diktaturë me frymëzimet e tij poetike dhe letrare. Ndërsa Fatos Lubonja si publicist dhe gazetar është në lufte të vazhdueshme me politikën dhe median si një nga zërat publikë qytetarë më të fuqishëm.

Në aksionin kundër Lubonjës, iniciuar dukshëm prej Kadaresë i cili mbështet në njerëz nga më të diskredituarit e regjimit diktatorial si kryehetuesi Qemal Lame dhe nga gazetarët e pushteteve apo opozitave që janë përdorur si kobure të parti-bandave në këto 26 vjet në shkëmbim të pagesave, favoreve apo tenderave nga të ardhurat e krimit ekonomik që kanë përfituar këto banda me mandatin e tyre qeverisës.

Fakti që Shqipëria tashmë ka kolapsuar si shtet ekonomikisht dhe ka degraduar moralisht duke humbur çdo lloj besimi në popull, gjë që duket qartësisht në dëshirën dhe gjetjen e rrugëve për t’u larguar nga ai vend tre të katërtat e popullsisë, përgjegjsia për këtë gjëndje nuk është vetëm e klasës politike, por për mendimin tim, më shumë e medias dhe inteligjencias konformiste shqiptare. Ashtu si dje me diktaturë edhe sot pajtohemi me konformizmin tonë me të keqen nga mosndërgjegja për përfitime personale të pamoralëshme dhe deri në të kundërligjëshme. Ky korruptim moral dhe ligjor e intelektual i medias dhe intelektualeve që kanë mbyllur gojën dhe heshtin për të vërtetën duke u vënë herë në shërbim të njërës bandë-parti herë në të tjetrës na ka sjellë si shoqëri në këtë gjëndje të pashpresë për një zhvillim normal me prosperitet dhe demokraci funksionale.

Ne nuk kemi krijuar dot një koshiencë shoqërore për të ngjizur një ndërgjegje dhe moral shoqëror për funksionimin e një shoqërie me institucione funksionale dhe shtet të së drejtës. Le të marrim Kadarenë si model për impaktin që ka dhe modelin që krijohet nëpërmjet tij si kulturë e manipulim-simulimit dhe moskurajos civile e intelektuale në raport me të vërtetën. Nuk është e nevojshme të rreshtohen fakte se ato më tashmë dihen për shkrimtarin Kadare në diktaturë. Janë thënë dhe janë të shkruara të zezë mbi te bardhë ne shtypin dhe librat e Kadarese në botimet e para 1990. Po le të marrim këto të pas 1990 dhe për të kuptuar imoralitetin e Kadarese si shërbëtor i pushteteve për përfitime dhe të paligjëshme dhe të dënueshme.

1. Kur minister i kulturës ka qënë Teodor Laço është dhënë një fond nga qeveria Berisha prej një milion dollarësh për botimin e veprave të Kadaresë në shqip, përmbledhja “Veprat e Ismail Kadares” me kapak blu nga Fayard. Vepra që ju shitën emigracionit dhe paratë i mori Kadareja.

2. Toka që Kadare ka marrë në Golem, ku ka ndërtuar shtëpinë e tij të verimit. Ia ka dhënë falas kryetari aktual i parlamentit të Shqipërisë dhe president i ardhshëm, Ilir Meta, duke u bërë kështu shëmbull i pari për prishjen e natyrës dhe rrembimin e pronës publike në mënyrë të paligjëshme.

3. Apartamenti tek Vodafoni që lidhet me shtesën e kateve dhënë ndërtuesit nga qeveria e Berishës për t’i dhënë apartamentin falas Kadaresë.

4. Emërimi i vajzës së tij si ambasadore në UNESCO në Paris dhe në Kombet e Bashkuara në New York pa asnjë meritë dhe karriere në shërbimin diplomatik para emërimit, por vetëm se është vajza e Kadaresë.

5. Ndërtimi i shtëpisë muze të Kadaresë në Gjirokastër me fonde të shtetit shqiptar në rreth 250 mijë euro, kur janë lënë të rrënuara shtëpia e kollosëve të medimit, letrave e kontributit në formimin e shtetit shqiptar si Fishta, Gurakuqi, Konica, e të tjerë.

a. Kur nuk është investuar nga shteti postdiktatorial këto 25 vjet një muze për kampet e vuajtjeve, torturave dhe çfarosjes së njerëzve të rezistencës në burgjet e Burrelit, Spaçit, Qaf Barit e të tjera.

b. Kur regjimet posdiktatoriale nuk kanë ngritur një institut studimi apo gjetjen e varreve për figurat modele morali dhe heroizmi deri në përballje me vdekjen dhe të pushkatuar pa varr ende sot e të mbytur ne gropat e ujrave të zeza , si Myzafer Pipa, Trifon Xhagjika, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, e të tjerë.

C. Kur nuk është investuar për të ngritur një komision shtetror për gjetjen e varreve të priftërinjëve të klerit katolik si vokacioni perendimor shqiptar elitar i mendimit dhe krijimit të shtetit shqipëtar si Fishta, Pater Anton Harapi, Dom Lazër Shantoja, Vinçenc Prenushi e plot të tjerë si altarë të kombit e kulturës shqiptare, të cilët, Kadare i ka denigruar pa fakte dhe pa moral në librat e tij te periudhes se regjimit diktatorial ashtu siç dhe bën sot me Lubonjën.

d. Ose të ngriheshin institute reabilitimi për njerëz të shkatërruar në psikiatritë e regjimit diktatorial dhe në internime, mes të cilëve edhe rasti i Renato Rapit, për të vetmin “krim”, se ra në dashuri me të vajza e Kadaresë, i cili deri më sot nuk ka kërkuar falje publike, qoftë edhe si shkaktar “indirekt” i shkatërrimit të jetës së një 17 vjeçari nga regjimi diktatorial me ndëshkime në psikiatri dhe interrnim ku u përdorën të gjithë mekanizmat e shtetit dhe kryehetuesi në atë kohë Qemal Lame.

Kadare përpos kryehetuesit lame, Henri Çilit, Mustafa Nanos dhe Mero Baze nuk pati ndonjë mbështetje nga shkrimtarët bashkëkohës të lidhjes së tij të dikurëshme të shkrimtarëve, as nga gazetarë apo analistë e intelektualë të piacës së katundit tonë. Megjithë thirrjet e Kadaresë nëpërmjet Çilit drejtuar intelektualëve e gazetarëve për t’u prononcuar pro Kadaresë për denigrimin e Lubonjës në stilin e Kadaresë dhe sejmenëve si Çili & Co., me manipulime, falsifikime dhe aksione të tipit fleterrufe të revolucionit kulturor të 67, në të përgjithshmen nuk u prononcuan. HESHTËN.

“Heshtja bëhet dobësi kur rasti e kërkon të flasësh të vërtetën duke vepruar në lidhje me rrethanat” ka thënë Mahatma Gandi.

Këtu vijmë pikërisht në dobësinë e elitës (nëse kjo fjalë është e përshtatëshme për mjedisin shqiptar) intelektuale e kulturore që po e shoqëron edhe në postkomunizëm shoqërinë shqiptare me mungesën e ndërgjegjes dhe kurajos për t’u ballafaquar me të vërtetën. Dje në diktaturë edhe mund të justifikohej heshtja nga frika e një regjimi krimanal, ndërsa sot nga deformimi psikik e moral në atë se kush po i hap telashe vetes për mos t’i prishur punët vetes me shtetin postdiktatorial autokratik kur qofte heshtjen mund ta përdorim për ndonjë përfitim është e papranueshme dhe e rëndë për një shoqëri që tregon se nuk ka mësuar kurgjë nga e kaluara e afërt e regjimit komunist.

Personalisht, këta që heshtin sot dhe që çojnë mesazhe, apo në biseda privatisht i thonë Lubonjës dhe të tjerëve, se Kadare e ka qelbur fare! Apo, Kadare ka rrjedhur me atë që do te dalë si i ndjekur dhe i persekutuar nga rregjimi komunist! Apo, se Lubonja & Co. po i pengojnë marrjen e çmimit Nobel me “sulmet” ndaj tij, për mua janë më të dobët si moral intelektual se Çili & Co.

Ja çfarë shkruan kollosi i mendimit filozofik shqiptar Patër Anton Harapi në fjalën e tij në parlamentin shqiptar për këtë kategori intelektualësh:

“Por shka t’u bajsh gjysmakëvet, abstesjinisatavet, indiferentëvë, shqiptarëve të vdekun në shpirt, të cilët-a prej frige, a prej egoizmi vetjak që mos t’i qesin trazim vehtes ku edhe për tu mbajtun elite dhe esnafë në sferën e atyne që nuk duen të pëzihen e kan vu për nderë e vlerë që mosdeklarohen kurrnji mënyrë, …. për ta pasiviteti dhe negativiteti janë ideal; nuk duen të vehen në rrezik as sa të zitë e thonit, por të rrojnë e të gëzojnë në shpinë të tjerëve. Dobësi mendore! Dobësi Morale! Dobësi Shoqërore! Po qe kush për plumb këta kishin me qenë të parët.”

Atëherë pyet njeriu, nga i vjen e gjithë kjo arrogance dhe e “drejtë” Kadaresë për të sulmuar pa moral, pa fakte, por si manipulator dhe delirant mitoman, ku në mënyra here tërthorazi herë direkt, here me sejmenët e tij, na identifikon veprën e tij me flamurin, atdheun, kombin.

Ky, që siç shkruan Patër Anton Harapi, “jo që nuk ka vënë në rrezik as të zinjtë e thojit për komb atdhe”, por në të kundërt ka denigruar ata që rrezikuan e dhanë gjithçka për atdhe e komb, deri dhe jetën e tyre. Ka denigruar dhe denigron ata që vuajtën dhe u torturuan ne burgjet komuniste me urrejtjen e “luftës së klasave” që ka për ata, pavarësisht flip-flap-ve qe bën sot. Këtë e tregon dhe debati i fundit me Lubonjën.

A nuk shkruante ai në poemën “Pashallarët e kuq” duke i bërë thirrje Enver Hoxhës dhe regjimit të tij kriminal, për klerin katolik, klasat e përmbysa dhe Fatos Lubonjën se:

Klasën e përmbysur nën këmbë e mbaj
Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek Bulevardi Madh.

Ismail Kadaresë arroganca i vjen nga shërbimet ndaj pushteteve si dje dhe sot si një i ledhatuar nga regjimet duke menduar se ai dhe vetëm ai ka të drejtën dhe ky është Zeusi i shqiptarëve

Mos-përballja e intelektualëve me Kadarenë dhe median nga ngërçet me pushtetet si dje dhe sot kompromentuar me regjimet në interes të tyre në lidhjet me pushtetet duke devijuar nga e vërteta dhe mos-ballafaquar me të, kemi arritur në këtë pikë si kulturë kolektive ku; vetëm gënje, manipulo dhe ke sukses. Keshtu si modeli Kadare kemi kryeministrin sot delirant e mitoman. Po keshtu shefin e opozitës i cili mendon se ka gjithë botën me vete se Shqipërinë po e po, duke menduar se ky jo vetëm do krijoj republikën e re por dhe do ta vendosë të dytën ne botë pas USA si parardhësi tij. Mendojne se janë kërthiza e botës dhe bota sillet rreth tyre kur e kanë sjellë vëndin në një humbëtirë të pashpresë.

Me këto modele në shërbim të pushteteve banda-parti nga intelektualët media dhe qëndrimet e tyre qoftë edhe ata që heshtën në debatin me Lubonjën, kupton se kriza politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri do të vazhdoj për një kohë të gjatë dhe ndoshta…. pasi ne nuk jemi në gjendje të krijojmë tharmin e një elite intelektuale me moral që të ndërtoj një raport me të vërtetën dhe të luftoj për të.

Share: