Home KRYESORE “Beqo” i krizave politike. Nga Kasem Seferi

“Beqo” i krizave politike. Nga Kasem Seferi

Nga Kasem Seferi

Në këto vite të ndërtimit të demokracisë Beqo gazetari është i vetmi që ka lënë nam me zellin stilin, fjalorin dhe “hijeshinë”, me të cilat ka stolisur “fjalën e lirë” dhe ka dëshmuar “qytetarinë” që ka trashëguar.

Ai pa ia bërë syri tërr dhe pa iu dridhur buzët, madje as pa iu bërë vonë fare për çfarë ka bërë dhe çfarë ka thënë, ka besuar dhe beson se vetëm gënjeshtra nuk i ka këmbët e shkurtëra.

Madje “betejat” që ka bërë dhe po bën janë për shkak të lëndimit që i kanë bërë shpirtit të tij prej horri, sepse gënjeshtrën, ashtu sikundër padijen, me mjeshtëri, e transferon diku tjetër, duke harruar thënien latine: “Ignorantia non est argumentum = Padija nuk është argument”.

Ndoshta, për këtë arsye, të vjetrit tanë na lanë trashëgim shprehjen: “lahuni dhe qërohuni prej horrit para se të zhyheni të gjithë”.

Zoti Horr, fjala e fundit i takon opinionit publik, kohës dhe historisë, kur të shkruhet drejt dhe jo si deri sot.

Halli yt i madh sot nuk do të ishte as përfolja dhe as hamendjet, por mënyra se si të mbetesh horri servil i qeverive, sepse “qingji urtë pi dy nëna, ndërsa horri/servili pi kopenë” nuk krahasohet me thënien “të lypurit e ka faqen e zezë por nuk të le pa gjë”.

Për ty Zoti Horr, nuk ka rëndësi as transparenca dhe as përgjegjësia, as promovimi i së drejtës ekonomike mbi pronën, as ai i mbrojtjes të të drejtave të njeriut, as ai i zvogëlimit të varfërisë, as ai i rritjes së nivelit të përmbushjes së kërkesave të ligjit, as ai i cilësisë së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, as ai i zhvillimit të mëtejshëm të shoqërisë civile, as ai i medias, por vetëm përmbushja e kënaqësive të sojit të horrit politik.

Në mënyrë tipike, Zoti Horr, zbatimi i ligjeve dhe i pavarësisë së institucioneve themelore, që drejtojnë shoqërinë shqiptare, qenka shumë i vështirë sepse po të bëhej i lehtë atëhere do të bëhej dhe pastrimi i strehës ku shumëzohet soji juaj i horrave, sepse sipas teje Zoti Horr duke thënë “haptazi” fjalë dhe lajka prej horri/servili/të padituri/të pacipi mund të vlerësohet drejt dhe si duhet e vërteta.

Provokimet e ulta publike prej horri, nuk ndikojnë te njerëz që të vërtetën në demokraci e kuptojnë nëpërmjet deklaratave boshe të denja për sojin e horrave politikë, të cilët dje, sot dhe (qoftëlarg nesër), kanë marrë, marrin dhe do të marrin çdo gjë nëpër gojë me artikujt/komentet e tyre paçavure në gazeta dhe në median sociale, duke u munduar ta bëjnë plotësisht të besueshëm në publik faktin se mikrobi i shpifjes/padijes është kultivuar pikërisht nëpër qoshe dhe vrima të pista.

Zoti Horr!

Liria e fjalës nuk është garanci për të goditur mendjen e qytetarit të ndershëm me shpifje/budallallëk, por të gjithë horrat që përpiqen ta fshehin të vërtetën në xhepin e interesit të tyre personal dhe/ose të një grupi të caktuar politik, ende askush nuk ka vërtetuar me prova dhe dëshmi deri në këto çaste, se kush është pjesë e një loje të tillë prej horri, për aq kohë sa ligji nuk e ndalon “biznesin e ngacimeve të horrit”, sidomos të atij soj horri që për vite të tëra ushtron biznesin e keqinformimit në publik.

Zoti Horr!

Soji yt i përçudnuar në të vërtetë, ndonjëherë, ia ka dalë të tërheqë vemendjen e opinionit publik duke e transferuar atë nga e vërteta drejt tymnajës.

Por, shpejt, është marrë vesh se sistemi yt i vlerave është duke u përmbysur, sepse te origjina e zemërimit tënd prej horri, publiku gjen zemërimin e rrugës, zemërimin e “pseudonimit” që të ka vënë sigurimi i shtetit, zemërimin e kulturës së rrugaçëve politikë, kulturë kjo që sot ashtu si askurrë mbetet një rrezik i hapur për demokracinë dhe suksesin që aspiron shoqëria shqiptare në tranzicion.

Nga të vjen ky zemërim Zoti Horr?!

Askush nuk beson se sot shoqërisë shqiptare i duhet një tip i tillë horri për komunikimin me mjedisin e politikës, ose që të artikulojnë antivlera të reja politike, apo për të shpjeguar në publik se çfarë përfaqësojnë ngacmimet e tua armiqësore prej horri.

Në përgjithësi njerëzit e thjeshtë i urrejnë horrat – rrugaçë të politikës që flasin me gjuhë atavike dhe në ditët tona nuk është ky komunikimi që kërkohet me grupe të caktuara shoqërore, ose me median e shkruar/sociale, ose në atë televizive të lajmeve/programeve të mbrëmjes.

Zoti Horr!

Dije mirë se lloji i komunikimit që nuk shmang ofendimet, sharjet, shpifjet dhe deklaratat boshe, apo që nuk thotë ndonjë gjë konkrete, por vetëm rrjeshtime inorganike të fjalëve, frazave, madje dhe xhesteve të shëmtuara që ofendojnë një, ose disa njerëz njëkohësisht, është komunikim prej horrri të lashtë politik.

Qytetarët ndjehen të zhgënjyer nga frazat mashtruese dhe nga deklaratat boshe si dhe nga korrupsioni i gjuhës tënde prej horri ordiner, që është pjesë e kulturës së horrit në media këto ditë të fundit.

Me pak fjalë: opinioni publik duhet ta kuptojë se në politikë dhe në biznesin e medias, është krijuar një vend i gjërë, ku gjenden horra të tërbuar nga zemërimi dhe mllefi.

Në mënyrë tipike gjuha e Zotit Horr është, thjesht, përsëritje e vlerave të moralit komunist dhe e përshtatjes së tij me modele tashmë tejet të vjetruara.

Me fjalë të tjera, Zoti horr: çdo gjë që të kërcënon ty duhet të konvertohet moralisht, sepse liria e tejkaluar, e korrupton moralin tënd, pavarësisht se, përditë e më shumë, të gjithë kërkojmë liri shumë më të mëdha, por jo për të bërë biznesin pa kufi të sharjeve, ofendimeve, akuzave të pabaza dhe shpifjeve.

Zoti Horr!

Nuk gaboj nëse të sjell në kujtesë një “historizë” nga ato qindra që ka romani “Ushtari i mirë Shvejk”, i të madhit Jarosllav Hashek, pikërisht atë të një nate vonë, që Shvejku po kalonte mbi urën që lidh dy brigjet e lumit Vëltavë në Pragë, kur një i panjohur iu afrua dhe ia përveshi me hu.

Më pas, i panjohuri u përkul mbi Shvejkun dhe kur vuri re se nuk ishte ai njeriu që kishte pritur ia përveshi edhe njëherë tjetër më me egërsi.

Morali: në vendin e gabuar dhe në kohën kur nuk të takon, rri larg Zoti Horr! Shih punën tënde, se, fatkeqësisht, e hanë gjithmonë ata horra si ti.

Zoti Horr!

Dëgjoje zërin e Zotit! Veri fre zellit tend!

Zemërimi tregon vetëm një gjë: dhimbjen që i shkakton bishës udha e vështirë drejt fundit.

Çdo ngacmim i yti, ka përbrenda një të vërtetë të dhimbshme; ka paralajmërimin se ajo që lind nga intriga dhe shpifja vdes, gjithashtu, prej saj, sikundër Makbethi prej anktheve.

Zoti Horr!

E ke kuptuar gabim historinë, si të gjithë ata që historinë e demokracisë e konceptuan si histori të liderëve, duke iu përkulur ritit të lashtë: “Rroftë Mbreti” duke pritur çastin kur që të thonë: Poshtë Mbreti!”

Zoti Horr!

Je antivlera e të gjithë kohërave që ui kujton të gjithëve se ka dhe më keq, por në të vërtetë je, thjesht, një ngacmim i pjerdhur.

Kasem Seferi

Share: