Home KRYESORE Çfarë pritet të ndodhë nëse pranohet paketa McAllister…

Çfarë pritet të ndodhë nëse pranohet paketa McAllister…

Paketa e propozuar nga negociatori i PPE-së, David McAllister, për zgjidhjen e krizës politike në vend, është rikthyer sërisht në qendër të vëmendjes. Madje nëse ajo pranohet nga Kryeministri Edi Rama dhe kreu demokrat Lulzim Basha, do të shërbejë si një bazë për dialogun mes dy drejtuesve të partive politike.

Një ditë më parë zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hyot Brian Yee, shprehu mbështetjen e tij për paketën McAllister, ndërsa theksoi “ është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”.

Në këtë paketë propozohet një tjetër datë për zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit, duke zhvendosur procesin me rreth 1 muaj, më 16 Korrik.

Data e zgjedhjeve, referuar deklaratave publike të Kryeministrit Edi Rama, ishte një moment i panegociueshëm. Por pas takimit me zyrtarin e lartë të DASH, Kreu i Qeverisë mund të heqë dorë nga qëndrimi i mbajtur deri më tani.

Në anën tjetër opozita duket se ka hequr dorë nga kërkesa për një Kryeministër teknik, çka do të thotë se të dy palët kanë lëvizur paksa nga pozicionet e tyre të mëparshme.

Në paketën e propozuar nga McAllister propozohet që Kryetari i KQZ-së t’i kalojë opozitës, ndërsa Avokati i Popullit do të zgjidhet me consensus.

Paketës në fjalë mund t’i bëhet një modifikim ku propozimin për zgjedhjen konsensuale të Presidentit, i cili tashmë është votuar nga Kuvendi, të bëhet për postin e zv.Kryeministrit. Pra që numri dy i qeverisë të jenë një emër i pranuar edhe nga opozita.

Gjithashtu paketa parashikon që 4 poste të rëndësishme ministrore të jenë teknike. Por edhe këtu mund të bëhet një ndryshim, ku në këto poste ministrore të propozohen përfaqësues të opozitës.

Por gjithçka mbetet për t’u parë, nëse palët do të pranojnë ose jo paketën McAllister, e cila u rivendos në tryezë bisedimesh këtë herë nga SHBA.

Gjatë orëve të paradites, Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka zhvilluar një takim në zyrën e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa kreu demokrat ka mbledhur brenda pak orësh dy herë aleatët e tij politike, por edhe është takuar dy herë me ish-Kryeministrin Berisha. Po kështu Rama e Basha duket se kanë ulur tonet e debateve në distancë, duke shmangur të paktën deri tani, çdo lloj akuze apo debate. /360grade.al/

Share: