Home KRYESORE Dështimi i negociatave, Basha e Mediu kontakte me ndërkombëtarët deri në mesnatë

Dështimi i negociatave, Basha e Mediu kontakte me ndërkombëtarët deri në mesnatë

Në përfundim të afatit prej 24 orësh të vendosur nga zyrtari i lartë i DASH Hoyt Brian Yee për zgjidhjen e ngërçit politik dhe në kushtet kur negociatat mes palëve kanë dështuar opozita pritej të dilte në një deklaratë zyrtare.

Fillimisht burime nga Partia Demokratike bënë me dije për “BalkanWeb” se Basha me aleatët do të dilnin me një qëndrim zyrtar mbrëmjen e sotme, në lidhje me negociatat me maxhorancën për paketën “McAllister” të risjellë në tryezën e diskutimeve nga zv.ndihmës sekretari amerikan.

Nga selia blu u njoftua për një deklaratë urgjente në mbreëmje ku do të sqarohej dhe pozicionimi i opozitës. Por në orën 23:47, zyra e shtypit e Partisë Demokratike njoftoi se “sot nuk do të ketë asnjë komunikim për mediat”. Nuk dihen arsyet se pse fillimisht u lajmërua një deklaratë e mandej u bë me dije se nuk do të kishte një komunikim.

Ndërkohë “BalkanWeb” mëson se Lulzim Basha dhe aleati i tij Fatmir Mediu deri afër mesnatës kanë qëndruar në selinë e PD nga ku mësohet se kanë patur kontakte telefonike me ndërkombëtarët për situatën e fundit për t’i informuar lidhur me refuzimin sipas tyre të paketës “McAllister” nga ana e kryeministrit Rama.

Sot në mbrëmje Basha mblodhi për të tretën herë aleatët në selinë e PD ku iu komunikoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për të mos pranuar datë tjetër zgjedhjesh përveç 18 qershorit, që sipas tij është brenda kornizës kushtetuese. Nga ana tjetër nga maxhoranca nuk ka ende një qëndrim zyrtar.

Share: