Home KRYESORE Lapsi.al: Ja përse aleatët që i kanë mbetur Ramës kërkojnë vota për...

Lapsi.al: Ja përse aleatët që i kanë mbetur Ramës kërkojnë vota për PS

Tre aleatë të Edi Ramës u bënë thirrje votuesve të tyre që votat t’ia japin Partisë Socialiste. Petro Koçi i PSV 91, Gjergj Koja i Partisë Socialiste të Moderuar dhe Idajet Beqiri i Partisë së Unitetit Kombëtar ua drejtuan thirrjen nga selia e PS, pasi u pritën në një takim nga një drejtues socialist, por jo nga Rama.

“Çdo votë për partitë e vogla dëmton koalicionin. Tërhiqemi nga regjistrimi. Votat për partitë e vogla dëmtojnë fitoren e PS”, tha Petro Koçi.

A e dëmtojnë realisht PS –në votat e këtyre tre partive?

Tre aleatët së bashku nuk arrijnë 1 përqindëshin në zgjedhje.

Nga të dhënat zyrtare të siguruara nga Lapsi.al, PSV 91 e Petro Koçit, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 mori 6135 vota, ose 0.36 % të tyre në rang kombëtar.

Partia Uniteti Kombëtar e Idajet Beqirit mori 513 vota në të gjithë vendin, ose 0.03% të votave.

Partia Socialiste e Moderuar mori 3119 vota në të gjithë Shqipërinë, ose 0.18% të votës së përgjithshme.

Me të gjitha votat, tre aleatët e Ramës nuk do të prodhonin një deputet së bashku.

Thirrja e tyre, më shumë se mbështetje reale për PS, ngjan si kërkesë për Ramën që, nëse fiton zgjedhjet, t’i mbajë sërish në postet drejtuese që kanë.

Petro Koçi mban postin e zv.ministrit të Mbrojtjes, ndërsa Gjergji Koja është drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik.

Duke garuar të vetëm në zgjedhje për të provuar forcën reale në elektorat, asnjëri prej tyre nuk do të kishte nxjerrë deputetë, siç tregojnë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të vitit 2013. Ndërsa duke kërkuar votën për PS, të paktën vendin e punës për veten e kanë të sigurtë.

Dy aleatët historikë të PS, Milo e Gjinushi refuzuan të marrin pjesë në takim. Partitë e tyre rezultojnë me afro 11 mijë vota secila në rang kombëtar në zgjedhjet e vitit 2013. /Lapsi.al

Share: