Home KRYESORE PUNË KA, POR NUK KA NJERËZ!

PUNË KA, POR NUK KA NJERËZ!

Nga Aulon Kalaja

Rracë e poshtër, kjo e jona! Njerëz dembelë. Nuk punojnë. Meren me llafe. Nuk duan punë, por lekë. O burra, të gjithë shefa. Asnjë punëtor. Nuk punojnë kasapë. Hidraulikë. Elektricistë. Në komunale. E kanë mendjen punë zyre.

Rëndom hasesh me të tilla, pretendime, biseda apo përfundime, nëpër rrugët e Shqipërisë, nga propaganda e shfrenuar pro-qeveritare. Gjithsesi, ai që i vendos vulën është Kryeministri z. Edi Rama, i cili i kish premtuar shqiptarëve në këmbim të votës, 300.000 vende të reja pune, në zgjedhjet e vitit 2013.

U mbajt si lajtmotivi i premtimeve të Kryeministrit për të ardhur në pushtet, së bashku me disa premtime bombastike, shëndetësi falas, legalizime falas, … falas. Dhe mesa duket, kali i betejës i Kryeministrit Rama, për një mandat të dytë, është hapja e 220.000 vendeve të reja të punës. Pra, ai po iu thotë shqiptarëve, se pasi hapëm me sukses 300.000 vende pune në vitet 2013-2017, ne do të hapim edhe 220.000 vende të reja pune në mandatin 2017-2021.

Përse e ka ulur intensitetin e punës Kryeministri dhe të tijtë vallë?! Apo nuk mund t’i ikë dot shprehjes fataliste, se në mandatin e parë punuam më mirë, sic ka bërë çdo qeveri në vendin tonë. Por le të shohim se cfarë thotë Banka Botërore.

Në një deklaratë të para disa javëve, Banka Botërore deklaroi, se në 6 vitet e fundit, pra gjatë viteve 2011-2017, në gjithë rajonin e Ballkanit janë hapur 300.000 vende të reja pune. Pra jo në 4 vjet, por në 6 vjet, dhe jo në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin.

Ndërkohë sipas logjikës së Kryeministrit, i cili nuk tërhiqet nga gënjeshtra se ka hapur në 4 vite 300.000 vende të reja pune në vëndin tonë, i bie që, ai paska hapur vetëm 299.990 vende të reja pune. Ndërsa në Ballkan, në 6 vitet e fundit, vendet e punës, janë hapur si më poshtë: Greqi – 1 vend pune; Turqi – 1 vend pune; Slloveni – 1 vend pune; Kroaci – 1 vend pune; Bullgari – 1 vend pune; Rumani – 1 vend pune; Serbi – 1 vend pune; Maqedoni – 1 vend pune; Bosnje Hercegovinë – 1 vend pune; dhe në Kosovë – 1 vend pune.

As militant më i sëmurë i të majtës nuk do t’a besonte gjithë këtë mashtrim të madh. Po përse Kryeministri provokon shqiptarët, kur jo vetëm nuk ka hapur vende të reja pune, por ka hequr nga puna profesionistë dhe i ka zëvëndësuar ata me militantë, duke hapur një gropë të zezë në buxhetin e shtetit, e kam fjalën për gjyqet e humbura të shtetit tonë me individë që janë hequr me patëdrejtë nga puna.

Edhe sikur t’i ketë bërë llogaritë në këtë mënyrë diabolike, sërish nuk del hesapi, se administrata shtetërore është disa mijëra dhe jo 300.000. Ndërkohë që Rama premtoi jo vende në administratë, por vende të reja pune. Dhe as ai vetë nuk di t’i shpjegojë se ku i ka hapur këto vende të reja punë, të tijtë jo e jo.

Vetëm në sukseset e tij imagjinare dhe në realitetin parallel, që mund të jetojë njëkohësisht Kryeministri, mund t’a zbërthejë se cfarë do të thotë për të “Kam hapur 300.000 vende të reja pune në 2013-2017 dhe do të hap 220.000 vende të reja pune në 2017-2021”. Vetë qytetarët që janë apo nuk janë në punë, nuk e dijnë se ku janë këto vende pune. Ata përballen me zyrat e punës, me disa vajza simpatike me shall të kuq, që nuk bëjnë gjë tjetër vecse mbajnë shënime, e që të kujtojnë romanin “Duke pritur Godonë”. Janë kthyer në aparatcikë, ose në burrokratë, që kanë me mijëra pyetje, por zor se të kthejnë ndonjë përgjigje për barkun bosh. E sigurisht të kujtohet ajo shprehja monumentale e Kryeministrit “Punë ka, por nuk ka profesionistë”.

Për cfarë profesionistësh e ka fjalën Rama?! Apo kur shkon më tej “popull dembel shqiptari”, këtë shprehje ia dëgjon edhe shpurës së tij, që në mënyrë servile mbështesin Kryeministrin në gënjeshtrën më të madhe të gatuar në oborrin e “Rilindjes”. Por qeveri dhe Kryeministër më dembel se ky, nuk ka parë ndonjëherë Shqipëria.

Po si mund të tallesh në këtë mënyrë primitive, o njeri që nuk ke kapur kurrë punë me dorë. E kur je brumosur i tillë, nuk ke se si t’a dish se cfarë do të thotë “vend pune”. Në rrjet, plasën tulifar qyfyresh. U arrit deri aty, sa vetë europianët, kërkojnë të vijnë në Shqipëri për të kapur ndonjë punë. Dikush tha se është hapur dhe po aplikohet për “Llotarinë shqiptare”, lum kujt i bie bixha. Dikush tjetër tha se jemi 4 pjestarë në familje dhe kemi 8 punë të reja. Apo kur dola nga shtëpia më morën me zor, për të më gjetur punë. Janë hapur sektorë të rinj pune, në kultivimin, përpunimin dhe shitjen e kanabisit. Emigrantët, thonë o burra të kthehemi, se në Shqipëri po ndërtohet parajsa, t’i japim edhe ne një dorë, ashtu sic u bë edhe Amerika, cfarë ka më shumë se ne. Dikush tjetër ishte mbyllur me celës në dhomë, se mos e mernin me zor për t’i gjetur punë.

Por Kryeministri është i vendosur. Ai do t’i hapë edhe 220.000 vende të reja pune. E ka marë këtë risk, edhe nëse nuk ka njerëz për të futur në punë. Edhe pse janë larguar më shumë se 300.000 shqiptarë nga vendi, për të kërkuar azil nëpër Europë. Ai është i vendosur dhe asnjë gjakprishur nuk mund t’a kthejë nga udha e e shenjtë dhe nga qëllimet e tij të larta. Ndërkohë po i vjen koha që shprehja e tij monumentale “punë ka, por nuk ka profesionistë” do të zëvëndësohet me shprehjen “punë ka, por nuk ka njerëz”, sepse këtë të fundit po ikin nga sytë këmbët nga parajsa imagjinare që po ndërton Kryeministri dhe të tijtë!

Share: