Home KRYESORE Të jesh gazetar shqiptar. Nga Kliton Nesturi

Të jesh gazetar shqiptar. Nga Kliton Nesturi

Dhuna e ushtruar së fundmi ndaj gazetares Arbana Xharra, më rikujtoi edhe një herë, për së shumti, faktin se sa të pambrojtur janë gazetarët shqiptarë, kudo ku jetojnë e punojnë, në të gjithë hapësirën shqiptare. Ky rast i dhunës ndaj Xharrës, nuk është i pari që ndodh ndaj gazetarëve shqiptarë, e natyrisht nuk është as i fundit.

Të jesh gazetar shqiptar do të thotë të përballesh me gjithçka të mirë dhe të keqe, e sidomos me sfidën për të qëndruar besnik ndaj parimeve të profesionit dhe karakterit të fortë individual. Këtu nuk e kam fjalën për batakçinjtë e gazetarisë, por për ata gazetarë të vërtetë të cilët i kanë kushtuar jetën profesionit të tyre, lirive të njeriut, ndërtimit të një shoqërie të hapur demokratike dhe fjalës së lirë të medias. Janë pikërisht ata që kanë mundur të përballojnë sfidat qysh në fillim të viteve të pluralizmit, duke u bërë ballë presioneve dhe linçimeve që në emër të pushtetit politik dhe interesave të tij, vinin prej segmenteve të caktuara.

Mjafton të rifreskojmë kujtesën dhe përpara nesh do të shfaqen ngjarje dhe episode, që kanë mbetur të skalitura në jetën e gazetarisë shqiptare. Dhe kjo nisi qysh pej ditëve të para të pluralizmit, duke kulmuar në periudhën e errët 1996-97. Janë jo të pakët gazetarët që në këtë periudhë u kërcënuan vazhdimisht edhe me jetën e tyre apo edhe të të afërmve të familjes, e po kështu edhe sulmet ndaj gazetave të asaj kohe.

Të jesh gazetar shqiptar do të thotë të rrihesh edhe në sheshin “Skënderbej” më 28 maj 1996, apo edhe më keq, të përjetosh fatin mizor të Zamir Dules dhe të Bardhok Lalës. Ndonëse fatmirësisht ata mundën që të dilnin gjallë prej dhunës së ushtruar pabesisht ndaj tyre, sot askush nuk kujtohet për ta, duke i lënë në fatin që jeta u ka rezervuar tashmë. Të jesh gazetar shqiptar do të thotë që për profesionin që ke zgjedhur të japësh edhe jetën, ashtu siç ndodhi me të urtin dhe të mençurin Ali Uka, të cilin e vranë barbarisht. Por këto i përkasin fundit të shekullit njëzetë.

Sot, të jesh gazetar shqiptar, do të thotë që në punën tënde të përballesh me interesa të ndryshme të grupeve dhe grupimeve të caktuara ekonomike, tregëtare, sociale e religjioze, të cilat përdorin të gjitha mënyrat për të të mbyllur gojën, kur ajo për të cilën ti shprehesh, godet interesat e tyre, të cilat shpesh qëllojnë që të jenë në kundërshtim me interesat e jetës së njerëzve, lirisë së tyre, legjislacionin dhe rendin kushtetues dhe akoma më keq interesave kombëtare. Janë pikërisht këta, të cilët në një mënyrë a në një tjetër, haptas apo fshehtas, duan të uzurpojnë jetën e vendit, jetën tonë.

Të jesh gazetar shqiptar, pavarësisht vendndodhjes, do të thotë të përballesh me forcë jo aq shumë me sfidën e tregut dhe të papunësisë, poshtërimit dhe urisë, por me atë të humbjes dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit personal, duke nisur në jo pak raste qysh nga pronarët, siç mund të jetë ndonjëri prej tyre që ka arritur të flasë në foltoren e parlamentit plot dogma dhe pallavra të hashashizuara, gjoja se po mbron interesat e popullit, ndërtimin e demokracisë, shtetit dhe kombit.

Të jesh gazetar shqiptar, do të thotë që të jesh i pambrojtur prej askujt dhe nga askush. Do të thotë që jeta jote dhe e familjes tënde kalon në fije të perit, i cili këputet sa herë që del kundër diçkaje. Të jesh gazetar shqiptar do të thotë të jesh pjesë e një populli apo kombi që ende nuk ka mësuar të flasi hapur dhe të pranojë të vërtetën, duke dëshmuar se ende është shumë vite drite larg ndaj asaj që realisht duhet dhe duam.

Të jesh gazetar shqiptar do të të thotë të ndodhesh mes korrenteve të ndryshme e të forta, e nëse ke kurajë, të përballesh denjësisht me të vërtetën pa t’u trembur syri e pa t’u dridhur zëri.

Share: