Home KRYESORE Tri dilemat e marrëveshjes midis zotit Basha e zotit Rama. Nga Enver...

Tri dilemat e marrëveshjes midis zotit Basha e zotit Rama. Nga Enver Bytyci

Dy liderët kryesorë të politikës shqiptare, zoti Basha dhe zoti Rama, pas një maratone bisedimesh e negociatash arritën marrëveshjen McAlister plus, duke surprizuar opinionin publik dhe duke ngjallur gjithashtu reagime të shumta në grupet në grupet e interesit të analistëve dhe opinionistëve shqiptarë. Opozita do të ketë jo më 4 ministra sipas McAlister, apo 4 zevendës ministra të ofruar pak ditë më parë nga kryeministri, por plot 6 ministra, afërsisht gjysmën e qeverisë. Madje në to bëjnë pjesë ministritë më të rëndësishme, që mund të (keq)përdoren në fushatën elektorale, rendi, arsimi, shëndetësia, drejtësia, ajo e çeshtjeve sociale si dhe financat. Rendi dhe financat janë dy ministri, të cilat si rregull i përgjithshëm partia mazhoritare nuk i lëshon në duart e ndonjë aelati ose kundërshtari politik. Janë dhe gjashtë agjenci të ndryshme, të cilat i jepen opozitës, agjenci të cilat jo vetëm kanë numër shumë të madh punonjësisht, por edhe ruajnë mundësinë për të ndërhyrë në fushatën elektorale. Kjo marrëveshje ngjan me njw koalicion parazgjedhor.

Por kryeministri mbeti po ai, (kreu i trafikut të drogës dhe krimit, siç e quante opozita), pra Edi Rama. Ka mjaftuar ky ngërç që militantët të shfaqen të zhgënjyer dhe jo pa të drejtë, nëse kemi parasysh se kërkesa bazë e Çadrës së Lirisë dhe protestave të fuqishme ishte koka e kryeministrit dhe jo ajo e Niko Peleshit. Ndërsa mjeshtrit analistë të grupimeve antiPS e antiPD po e përdorin këtë me mjeshtri si ngërçin e marrëveshjes, me qëllim thellimin e zhgënjimit në radhët e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike. Në dilemë janë vënë dhe aleatët e zotit Basha, të cilët duhet thënë se këto 90 ditë ishin mbështetje dhe frymëzim i aksionit të tij politik. Ata duket se janë në ankth, nëse kjo marrëveshje do t’i lerë ata në hije apo do t’i mbrojë nga superfuqia që marrin dy më të mëdhenjtë e spektrit politik shqiptar! Eshtë detyrë e zotit Basha ta zgjidhë këtë dilemë.

Ndërsa dilema Rama, si kërkesë për dorëheqjen e tij, ishte deri diku e njohur. Edhe vetë aleatët e Bashës (Dashamir Shehi), e kanë përsëritur disa herë se dorëheqja e kryeministrit ishte një kërkesë e “papranueshme”, sepse do të lexohej si dorëzim i pushtetit në tavolinë. Por Rama si “bashkëpunëtor në krim, në trafiqe, në kanabizimin e Shqipërisë” është dhe mbetet një problem moral i marrëveshjes së nënshkruar dhe i zotit Basha. Llogarinë me këtë problem do të duhet ta zgjidhin zgjedhësit. Zoti Basha në fushatë elektorale do të duhet ta bindë elektoratin shqiptarë, që ai ta ndajë republikën e vjetër të krimit nga një rend i ri, të cilin ai do të duhet ta vizatojë në letër dhe ta argumentojë në ballafaqimin elektoral.

Ndërkaq grupet e interesit politik të analistëve do të vazhdojnë gjatë gjithë kohës të anatemojnë jo vetëm marrëveshjen, por edhe ta fundosin atë, sepse pas saj ata shohin e përpiqen të zbulojnë konspiracione të shumta, ndër më kryesorin atë të “krijimit të një aleance PD-PS kundër partive të vogla, sidomos kundër LSI-së”. Ky “komplot” antiLSI është tema më e përhapur e diskutimit. Në të vërtetë gjithkush do të mendonte kësisoj, po të mos kishim parasysh faktin se data 25 qershor do të vendosë edhe për koalicionet. Nëse shqiptarët votojnë Republikën e Re, për të cilën duhet të luftojë Basha dhe aleatët e tij qëndrestarë, atëherë e majta kalon në opozitë.

Por nëse shqiptarët votojnë një Republikë hibride, atëherë për mua zgjidhja do të ishte krijimi i një koalicioni të madh, si e vetmja mënyrë për ta dërguar Shqipërinë në dyert e BE-së. Me një koalicion të tillë PD-PS nuk do të vijonin dilemat e reformave dhe njëkohësisht do të përfitonim zbutjen e konfliktit politik në Shqipëri, i vetmi konflikt që pengon zhvillimin, prosperitetin dhe integrimin e vendit në BE.

Do të ishte gjithashtu e mundur që PD, me figura të reja të pakompremmentuara, të ndikonte sado pak në përmirësimin e sjelljes në qeverisje edhe të grupit të PS-së. Nga ana tjetër, LSI do të duhej të reformohej në opozitë, sepse vetëm opozita jep shanse që partitë të nxjerrin mësime për qeverisjen e ardhshme.

Në këto kushte dilemma Rama në këtë marrëveshje më shumë po fryhet e do të fryhet, sesa dëshmon një realitet. Ndërsa dilema kohë (25 qershor) është vërtet një dilemë e justifikuar. Eshtë e qartë se 16 korriku është një datë më problematike se 25 korriku për zgjedhjet parlamentare. Por 9 shtatori do të ishte data ideale e votimeve. Në mungesë të konsensusit, unë do të isha më mirë për datën 25 qershor sesa 16 korrikun, pasiqë asnjë shqiptar nuk do linte pushimet për të shkuar në kutitë e votimit dhe pjesmarrja në votime është e mbetet një tregues shumë i rëndësishëm për demokracinë elektorale.

Megjithatë është pak e dyshimtë nëse kjo qeveri me ministra teknikë do të mund të jetë aq e aftë sa në një muaj kohë të përmbysë një situatë të mbjellë me dyshim e mosbesim në disa palë zgjedhjesh.

Dhe së fundi, dilema e tretë është hartimi i kodit të ri zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese, nëse do të jenë të nevojshme. Partnerët e Bashës do të duhej të përfitonin nga kodi i ri. Zgjedhjet me modelin mazhoritar e pa lista do të duhej të riktheheshin, sepse ato janë dhe mbeten testi i demokracisë së drejtpërdrejtë. Aleatët mund të kenë zona të lira. Shqipëria ka nevojë për këtë lloj demokracie dhe jo për demokracinë e deleguar. Po kështu ndryshimet kushtetuese do të ishin të vlefshme, sidomos sa i përket zgjedhjes së presidentit nga populli. Natyrshëm do të duheshin ndryshime kushtetuese, krahas ndryshimeve në kodin zgjedhor, në kodin penal e të proçedurës penale dhe në këtë aspekt ndalimi i çdo lehtësie amnistuese për ata që shkelin ligjin elektoral mbetet domozdoshmëri, nëse kemi parasysh përvpjën e viteve të fundit.

Share: