Home KRYESORE Ça demokracie presim nga turma analfabete? Nga Armir SHKURTI

Ça demokracie presim nga turma analfabete? Nga Armir SHKURTI

Para nja dy netësh Silvio Berluksoni , ish kryeministri i Italisë, i ftuar tek Porta a Porta, e Fevziut të Italisë, Bruno Vespa, bëri një deklaratë të pazakontë: “Lindja e Mesme nuk mund të ketë regjime demokratike”.

Dhe shpjegimi që bën Berluskoni është i thjeshtë: Aty nuk ka arsim dhe kulturë! Më tej Berluskoni shpjegoi se pse Gedafi ishte ai që mbante në paqe 105 tribu, në sherr të përjetshëm me njëri – tjetrin, se pse gjenerali Mubarak u zëvendësua me një tjetër gjeneral në Egjipt…

Po le të rrimë tek koncepti i arsimit dhe kulturës në demokraci.

Secili nga ne, të paktën një herë në këto 27 vjet, kur është gjendur para një idioti ka menduar a ka thënë: votë kam unë, votë ka edhe ky! Ti ke studiuar vite e vite në universitet, ke lexuar më pas libra letërsie a shkence, ndjek politikën globale e shqiptare, studion politikanët dhe politikat dhe , në mëdyshjen a të votojë këtë rradhë filanin apo fistekun, të del para njëri me sytë e kuq nga alkooli dhe mjekrrën që shkëlqen nga dhjami i qofteve e ta dhjet:

“Un’ jom i djatht/majt’ o vlla! Ne kena 25 vjet që votojm’ për Salën/Edin. Ene i hu me na vu ata, ate votojm’ e s’e ndrrojm’ gjall n’bot”! Se pse është i majtë a i djathtë as di ta shpjegojë e as ia ka haberin. Mos bëjmë shaka pastaj ta pyesim se ç’është e majta dhe e djathta!

Ti ke një votë, ai , me farë e me fis ka 20, 30, 50 vota! Ti ke shkollë, dije, kulturë, ai ka pordhë dhe fobi nga libri! A nuk është ky vendi ku nxënësin e 10 – ës e tallte gjithë klasa duke e etiketuar si “peshkopi”?

Ky kontingjent për fat të keq na dhuron pastaj qeverisjen. Ca tremben, ca blihen me miell a të holla, ca ndjekin idiotësinë kongenitale, të tjerë habiten me përralla tepsish e fotografi, të tjerë, që besojnë se s’duhet shkolla për të qenë i zgjuar, filozofojnë mbi batutat e njërit e rrobat e tjetrit…..

E nisa prej deklaratës së Silvio Berluskonit jo për gjë, por kur na vjen nga jashtë për ne është po aq e besueshme sa po ta kish zbritur Zoti nga qielli , si tabelat e Moisiut.

Ndërsa unë për vete dhe plot si unë besojmë se kur arsimi në Shqipëri të quhet “edukim”, kur skena të mos prodhojë shalë por art, kur votuesit të mos përplasen rrugëve ngaqë shohin facebookun në celular por të hapin librat në lulishte a në autobuz, kur të mos flasin e qeshin me kufje në vesh por të merren përditë me rritjen e fëmijëve dhe punët e tyre, mund të flitet për demokraci. Sot për sot…ta gëzojë Baftjari!

Share: