Home KRYESORE Në pritje të reagimit të ish-Kryeministrit Berisha/A do e thyejë heshtjen…

Në pritje të reagimit të ish-Kryeministrit Berisha/A do e thyejë heshtjen…

Ish-Kryeministri Sali Berisha ende nuk ka reaguar në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit. Burime nga PD shprehen se Berisha pritet të reagojë në lidhje me standardet e zgjedhjeve, ndërsa mësohet se ai ka qenë në pritje të një reagimi zyrtar nga kreu demokrat, Lulzim Basha.

Ky i fundit mbrëmjen e djeshme reagoi jo vetëm mbi zgjedhjet e 25 Qershorit, duke pohuar mosndaljen e fenomenit të blerjes së votave, megjithë praninë e ministrave teknikë, por edhe iu përgjigj kërkesave të një grupi anëtarësh të Kryesisë, Këshillit Kombëtar dhe ish-ministrave dhe ish-deputetëve, që kërkojnë dorëheqjen e Bashës nga funksionet e tij partiake, duke e bërë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve.

Nëse do të analizohen emrat e përfshirë në kërkesën për largimin e mënjehërshëm të Bashës, pjesa më e madhe e tyre janë ish-bashkëpunëtorë, ish-këshilltarë apo emra që njihen në qarqet e PD-së si mjaft të afërt me ish-Kryeministrin Berisha.

Ish-Kryeministri ka qenë ndër të parët që mëngjesin e djeshëm ka biseduar për rreth 45 minuta me kreun e PD-së, Lulzim Basha, dhe nuk dihet nëse tonet e bisedës mes tyre kanë qenë të qeta apo shënojnë krisjen e një bashkëpunimi të nisur prej 2004-ës. Zhvillimet e mëpasshme në PD, dhe fakti se shumë nga ish-bashkëpunëtorët e Berishës, përfshi edhe dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi, hartuan një deklaratë që kërkonin largimin e menjëherhëm të Bashës, i turbullojnë edhe më shumë ujrat mbi qëndrimin e Berishës, megjithëse disa orë pas deklaratës, Malltezi deklaroi se dikush e ka bërë çorap qëllimisht deklaratën, ku ai kishte firmosur.

Referuar ndikimit që ka lideri historik i PD-së në këtë parti, duket se vëmendja tashmë është përqëndruar në faktin nëse Berisha do të bëhet ose jo pjesë e debatit të brendshëm dhe do të mbështesë apo jo kandidatët që do të përfshihen në garën për postin e Kryetarit të kësaj partie.

Deri më tani emrat që pritet të zyrtarizohen si kandidatë për postin e kreut të PD-së janë Lulzim Basha dhe Eduard Selami, ndërsa i gjithë proçesi zgjedhor do të përgatitet nga Nënkryetarët e kësaj partie, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, por edhe Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani. /360grade.al/

Share: