Home KRYESORE Pse gjithë këto fyerje dhe sharje, në gojën e politikanëve shqiptar?!

Pse gjithë këto fyerje dhe sharje, në gojën e politikanëve shqiptar?!

Nga Fadil Maloku

(Ja një shpjegim, të mundshëm sociologjik)

1. Ashpërsimi i gjuhës, kohëve të fundit nga tri “barrikadimet” politike në Kosovë, mund të shpjegohet midis tjerash edhe si; “dobësi” sociale në kuptimin e qëllimit të referuesit apo pretendentit (në rastin tonë të politikanit, apo, subjektit politik) për ta anatemuar, paragjykuar, shkërmoqur, e gjithsesi, edhe stigmatizuar kundërshtarin e caktuar politik! Me këtë “metodologji gjykimi” politik, nga ana e referuesit, për ta “vogëlsuar” tjetrin në sytë e publikut, duket që synohet qëllimisht, edhe; denigrimi, frikësimi, pse jo edhe kompromitimi i individit, klanit, grupit apo subjektit të caktuar konkurrent (në rastin tonë) politik!

2. Ndërkaq, në këtë qasje tipike makiaveliste, sikur harrohet në një fakt i rëndësishëm(!) që në kulturën, mentalitetin dhe etnopsikologjinë tonë, pothuajse, në të shumtën e rasteve; i sulmuari, i “anatemuari”, pra, në fakt i “viktimizuari”, i gëzon, pra i ruan ende ato benefitet dhe “avanset” e konzervuara morale të padjallëzuarit dhe të pafajshmit! Që nënkupton se i “sulmuari”, i”targetuari”, etj. e ka të garantuar “alibinë” e fituesit që në fillet e fushatës denigruese ndaj tij!

3. Shembull, më të mirë se Rugovën, për ta ilustruar këtë model sjelljeje, nuk kemi! Ju kujtohet…atë, sa më shumë që e sulmonin kundërshtarët…, aq më shumë fuqizohej dhe mitizohej, në sytë e publikut kosovar! Kujtoj, që kjo mënyrë e të rezonuarit qytetar, ka mbijetuar dhe është prezente edhe në kohën tonë!

4. E tash, origjinën e kësaj “fryme” gjykuese dhe “relikti” social, kujtoj se duhet kërkuar diku…atje, në thellësinë e mentalitetit social! Që pamëdyshje, është ruajtur dhe kultivuar si pasojë e “përtacisë” dhe jogatishmërisë sonë, për t’u sakrifikuar jo edhe aq lehtësisht për kauzat tona të mëvonshme identitare, sociale, e sidomos sosh politike!

5. Ky fakt i “benefitit moral”, duket që nuk është llogaritur edhe aq nga denigruesit e sotëm politik. Me faktin, se ai mund t’u rikthehet atyre, edhe si një lloj “bumerangu” hakmarrës, ndaj atyre që e rritën qëllimshëm shkallën e ashpërsimit të sharjeve e fyerjeve!

6. Ashpërsimi i gjuhës, gjithashtu mund të konsistohet edhe si; ”përparësi sociale”, ngaqë, llogaritë e denigrimit… duket sikur janë bërë si të thuash; “pa hangjinë”! Për shkakun e thjeshtë, se; normimi dhe kultivimi i tipit të lartë cekur i “viktimizimit” në etnopsikologjinë dhe në “arratisjen” tonë sociale, prej gjeneratës së re (që po ndiqet t’i injektohet kjo “normë” klandestine!), më, as nuk po pranohet, e as nuk po vajtohet! Dëshmi për këtë, i kemi zgjedhjet ndëshkuese të qershorit 2017!

7. Pra, nëse i adresohemi evoluimit mental dhe social të shoqërisë sonë, ka gjasa që ky tip stigmatizimi, paragjykimi, steriotipizimi dhe anatemimi të kundërshtarit politik, të jap efektet e pritura nga ai apo ata që e “ndërrojnë” shpejtësinë dhe natyrën e gjuhës komunikuese në publik! Sharjet dhe fyerjet, faktqë japin “fuqi” politike, por, në anën tjetër edhe marrin “pushtet” moral!?

Share: