Home KRYESORE Psikologja e njohur i shkruan grave dhe vajzave te parlamentit të ri!

Psikologja e njohur i shkruan grave dhe vajzave te parlamentit të ri!

Nga JETA TOÇILA–

Vetëm 38 gra, mes tyre edhe vajza, janë zgjedhur në parlamentin e ri. Ato përbëjnë një të pestën e tepsisë parlamentare. Duhet theksuar se këto 38 gra jo doemos janë aty për shkak të meritave të veçanta në politikë. Për shumë prej tyre rroftë kodi zgjedhor që përcakton kuotën, dhe ka detyruar kryetarët meshkuj të plotësojnë numrat, për disa të tjera duhet pranuar që janë vlerë.

Të gjendura ende në minorancë gjinore, ndoshta edhe për faj të apatisë së tyre për të luftuar për kontribut real në politikat gjinore, nuk besoj se këto gra/vajza parlamentare të konkurojnë e të hyjnë në debate me mazhorancën burrërore, veçanërisht për çështje të barazisë dhe roleve gjinore. Ato e dinë a priori që e kanë të humbur davanë, dhe instinktivisht do të luftojnë brenda llojit për dominancë.

Duhet thënë që ka burra që janë më të predispozuar dhe luftarakë për të drejtat e grave sesa vetë gratë. Por, po ia lejoj vetes sot një shkrim paragjykues. Ku i dihet, mund të jetë edhe realist, nëse zbresim në terren dhe dalim nga objektivi i kamerave.

Nëse ndonjë ditë të bukur këto 38 gra dhe vajza, do të mendojnë të ndërmarrin ndonjë nismë në mbrojtje të grave, a do të jenë ato bashkëpunuese me njëra-tjetrën përtej ndasive partiake??

Disa studime thonë se gratë që punojnë në sfera të larta vendimmarrjeje janë në konkurencë të vazhdueshme. Ato janë më pak ndihmuese me njëra-tjetrën dhe nuk shfaqin bashkëpunim. Mes grave të parlamentit të ri, ka një miksim moshash dhe përvojash. Ka gra të suksesshme me karrierë të konsoliduar, sikurse ka vajza ende në proces të formimit të identitetit, ashtu edhe vajza apo gra të mbështetura nga të fortët apo influentët e partive. Ka nga ato që janë lodhur shumë për të arritur aty ku janë dhe ndërkohë krahasojnë rrugëtimin e tyre të vështirë me katapultimin e ndonjë gruaje apo vajze tjetër që gëzon të njëjtin status. Dhe këtu shfaqen paragjykimet dhe diskriminimet, inatet, zilia, smira apo edhe gatishmëria për mosbashkëpunim dhe negativitetet në raport me tjetrën. Ndërkohë edhe ajo e reja e katapultuar, performon në këtë marrëdhënie gjinore me gjithë prepotencën e moshës, të parave, të fisit të madh apo mbështetjes së kryetarit, për të sfumuar inferioritetet ose pasiguritë e veta kulturale apo në drejtim të përvojave profesionale.

Gratë deputete të sprovuara në politikë, për shkak të sindromit të bletës mbretëreshë mes bletëve punëtore, do të kenë kritika për gocat e vogla të politikës për gjithçka ato bëjnë. Ato ose do të sillen si nëna të dhimbsura me sjellje ndihmuese, ose do të sillen si shefet më të poshtra të mundshme, duke i injoruar të voglat. Ndërsa vajzat e reja deputete, duke zukatur si miza dhe jo si bletë, (pasi ende nuk e dinë çfarë janë), do t’u qasen grave të mençura të parlamentit, ose përmes kundërshtive në ide apo koncepte, për qejf të kundërshtimit kot, siç bënin në gjimnaz, ose përmes konformizmit dhe bindjeve ndaj pushtetit të bletëve mbretëreshë, edhe kur ato nuk janë të familjes së tyre politike.

Por nëse tepsia e parlamentit do të ishte ndarë në dy pjesë të barabarta në aspektin gjinor, gratë dhe vajzat do të ndiheshin më mirë dhe lufta brenda llojit do të ishte më pak e dukshme. Raporti i drejtë gjinor, jo vetëm në parlament, por kudo është një lloj katalizatori i emocioneve dhe sjelljeve negative njerëzore.

Meqenëse ky fakt aktualisht nuk ekziston, unë do të sugjeroja që për hir të interesave gjinore, solidariteti do të ishte rruga më e mirë për çdo kategori apo parti të grave dhe vajzave në parlamentin e ri. Sjell në vëmendje se në kohën e administratës së Obamës, gratë e shtëpisë së bardhë ngritën një strategji. Për çdo deklaratë apo opinion të ndonjë kolegeje, ato ndiqnin parimin “jehonë”, ose thënë shqip, i mbanin ison njëra-tjetrës. Me siguri janë nisur nga deklarata e famshme e ish-sekretares Amerikane të Shtetit Madeleine Albright, sipas së cilës “Ekziston një vend i veçantë në ferr për gratë që nuk ndihmojnë gratë e tjera”.

Unë uroj që gratë parlamentare të vendit tonë të besojnë vërtet te ekzistenca e ferrit.

Share: