Home KRYESORE Avokati është i pari person në shoqëri që duhet të flasë për...

Avokati është i pari person në shoqëri që duhet të flasë për të drejtat

Nga Arnida Capi

Bota është e ndarë në njerëz që pranojnë fatet e tyre dhe në ata që luftojnë për fatet e tyre. Nëse këta të fundit nuk do ekzistonin, do ishim akoma duke u mbrojtur në shpella e duke mbijetuar për ushqim. është e ndarë në njerëz hipokrit dhe njerëz të vërtetë.

Pas zhvillimit të industrisë e teknologjisë, zhvillimi i ndividit sot ka ardhur në kohën ku njerëzit kanë krijuar të drejtën për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri.

Si pjesë e luftës, abuzimi me të drejtën ka sjellë korrupsionin, që është sërisht pjesë e drejtësisë. Dhe gjithmonë bota vazhdon të jetë e ndarë në njerëz hipokritë dhe njerëz të vërtetë. Dhe ndër ta, ata që e pranojnë fatalitetin dhe ata që luftojnë për to.

Si avokate, nën përgjegjësinë dhe respektin professional dëshiroj të ndaj një shqetësim të madh të një fenomeni të sistemit të drejtësisë shqiptare, që për fat të keq, nëse je pjesë e tij, ky shqetësim rri i heshtur, ose në shumë raste kaq mijëra avokate ushqehen pikërisht nga sistemi i jomeritës, por i ryshfetit.

Asgjë personale, perveç se më prek në pjesën më të qenësishme të natyrës, në ndjeshmërinë ndaj padrejtësisë. Kjo është arsyeja pse kam zgjedhur avokatinë për studime dhe për këtë shkak të kësaj natyre ky është një profesion i lirë, pasi të gjitha palët duhet të kenë mjete të barabarta gjatë procesit, dhe sepse të gjithë aktorët e sistemit janë nën sundimin e ligjit, përtej falcitetit solemn të pelerinave e piedestaleve. Ai që sundon është ligji.

Ka patur disa raste që më kanë prekur në reflektim dhe reaksion. Gjyqtar që me moralin e korrupsionit vendosin haptazi padrejtësi. Vendime haptazi të paligjshme, me mangësi të theksuara konceptuale analizimi provash e arsyetimi ligjor.

E vërteta është që morali i korrupsionit ka deformuar sistemin nga udhëheqja e parimit të prezumimit të pafajsisë, në udhëheqje nga parimi i prezumimit të fajësisë.

Që të ketë dënime, gjyqtarët mbajnë standardin “e dyshimit të mjaftueshëm”, në vend të parimit universal të dënimit “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Të jem e sinqertë, nuk pretendoj në drejtësi të kulluar, deri sa të ketë arsye të kulluar dhe sistem absolut drejtësie, kjo vlen në çdo vend të botës; por pretendoj dhe absolutisht nuk mund të pranojë, që për shkak të këtij korrupsioni Gjykata të japë vendim dënimi haptazi të pabazuar në ligj e në prova brenda dyshimeve të paarsyeshme.

Eshtë për të ardhur keq se sa avokatë ka Shqipëria, dhe kaq shumë nuk flitet për këtë mohim të të drejtave të njeriut. Avokati është i pari person në shoqëri që duhet të flasë e të bëjë avokatinë për të drejtat.

Qëllimi im është që të flas e të ftojë për reagim të gjithë ata që ndjejnë respekt ndaj profesionalizmit të tyre. Asnjë avokat s’duhet ta pranojë këtë standard, dhe nuk e kam fjalën vetëm për ankimet ligjore para gjykatave, apo pastrimin në kohë që pritet nga reforma në drejtësi. Nuk flas për pentito as për kallzim, jo nga frika e të ngelurit jashtë sistemit, por sepse as kjo nuk është plotësisht e pranueshme moralisht.

Flas për ndërgjegjësimin. Në format më të lira dhe demokratike, individuale apo organizuese të avokatisë. Në artikuj, në tubime para gjykatave për t’i thënë këtij sistemi drejtësie: In dubio pro reo! Stop korrupsionit që dënon të pafajshëm! Respektoni parimet e të drejtës, liritë dhe të drejtat e njeriut!

Në fund, e di që është e pamundur që njeriu të luftojë me kohën, që do të thotë as të kuptohet kur jeton jashtë kohës së tij. Por në çdo kohë, të gjithë jemi përgjegjës për vetën, të jemi të vërtetë, ose të bëjmë diçka për të vërtetën, dhe secili bën shoqërinë.

Ne, avokatët e të drejtave, jemi të parët që duhet ta bëjmë këtë për shoqërinë shqiptare.

Share: