Home KRYESORE Deputetët “e përjetshëm” dhe modeli i munguar inspirues

Deputetët “e përjetshëm” dhe modeli i munguar inspirues

Nga Afrim Krasniqi

Zgjedhjet mbaruan, parlamenti i ri është i kompletuar, ndaj ai merr vemendjen kryesore. Në politikë shpesh flitet për “senatorë”, bazuar në suksesin në karrierën personale. Në modele perëndimore, psh modelin amerikan, senatorë si Bajden, Kenedi, Hajden, Lugar, Smith, etj, janë kthyer në simbole të përfaqësimit, inspirimit politik dhe karrierës së votuar dhe të testuar. Modeli shqiptar është i përmbysur: tek ne termi “senator” nuk ka sens, pasi vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë me sistem votimi direkt nga qytetarët, më pas aplikuam sistem miks dhe prej 2009 deputetët de facto emërohen nga kryetarët e partive, pra nuk votohen nga qytetarët. Duke qënë të tillë, është e vështirë të përcaktohet se cilët janë deputetët më të votuar në historinë e parlamentit dhe të bëhet një lidhje funksionale midis votave në elektorat dhe mandatit parlamentar. Gjithësesi, një tregues karriere për parlamentin e ri është numri i mandateve parlamentare për deputetët. Ka prurje të reja, ka dy studente në parlament, por në thelb, “të vjetrit” kanë kontrollin dhe tabela është ilustrimi më i mirë. Në parlamentin 2017-2021 Edi Rama ka mandatin e tij të dytë si deputet, Lulzim Basha ka mandatin e parë, kur Ilir Meta nuk është deputet për herë të parë prej vitit 1992.

Tabela ilustron jetëgjatësinë e jetës parlamentare për deputetët e zgjedhur më 2017. Jashtë listës ka deputetë të tjerë, të cilët nuk morën mandat, por që kanë karrierë edhe më të gjatë, gjithësesi, treguesit e kësaj legjislature kanë më shumë interes publik sesa treguesit historikë të parlamentit. Anjë grua deputete nuk ndodhet në listën prej 17 deputetësh më me shumë mandate. 100% burra në vendin ku 50% votuese janë gra e vajza.

Tabela tregon se deputetët më me shumë mandate janë drejtuesi më jetëgjatë në PS e në PD, përkatësisht Ruci dhe Berisha. Më 2021 ata akumulojnë 29 vjet në parlament, – shifër rekord në historinë parlamentare pas 1990. Përpara 1990 ka pasur deputetë edhe më me shumë vite në parlament, por parlamenti ishte formal dhe mandati parlamentar ishte edhe më formal.

Pas dyshes kryesore vijnë pesë deputetë me nga 7 mandate parlamentare, tre socialistë (Majko, Ulqini e Brace), një demokrat (Shehu) dhe një minoritar (Dule). Për shkak të mandateve të ndërprera parlamentare më 1991 dhe 1996, dhe ndikimit në kalkulime vitesh, rezulton se deputetë me 6 mandate, si Fino (PS) dhe Tavo (PS, LSI) kanë 24 vite në parlament, 3 më shumë se Shehu, Dule apo Angjeli.

Me pesë mandate të plota parlamentare janë Klosi (PS, nuk e dorëzoi mandatin edhe pas zgjedhjes ministër këtë legjislaturë), Xhafaj (PS), Mediu (PR), dhe Ndoka (PDK). Këta dy të fundit kanë fituar mandate kryesisht falë votave të PD dhe përfshirjes në listën e tyre proporcionale, megjithatë rezultojnë pjesë e 17 deputetëve më me shumë vite në parlament dhe më me shumë mandate parlamentare. I njëjti arsyetim vlen edhe për D.Shehin, i zgjedhur së fundi në siglën e PD në Tiranë.

Në politikë ka një parametër tjetër vlerësimi për karrierat politike: sa produktivë kanë qenë politikanët deputetë, cila është dobia e tyre publike, cilat ligje e reforma kanë inicuar, cfarë impakti kanë pasur në jetën politike dhe në cilësinë e përfaqësimit….pyetje, të cilat nëse i marrim si standarde edhe në vlerësimin e kësaj liste, rezulton se rreth 80% e listës do të merrte vlerësim negativ. Sepse një pjesë e madhe e deputetëve “më me shumë mandate” dhe “më me shumë vite në parlament” nuk kanë inicuar ndonjë ligj në karrierën e tyre të gjatë parlamentare, nuk kanë mbrojtur ndonjë interes publik të vecantë, nuk kanë krijuar ndonjë model frymëzues politik dhe nuk kanë pasur ndonjë impakt publik pozitiv në forcimin e demokracisë përfaqësuese dhe besimit në institucionin e parlamentit. Ata thjesht, u ndodhën në momentin e duhur, pranë liderit të duhur dhe vijuan karrierën, – pa lënë gjurmë, me sjellje të dukshme pragmatiste dhe duke ndryshuar vazhdimisht zonën elektorale apo partinë politike.

Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) me mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë Holandeze do të kryejë monitorimin e Kuvendit, të aktivitetit dhe jetës parlamentare gjatë periudhës shtator 2017-2020, si një proces me rëndësi për të matur nivelin e demokracisë funksionale në Shqipëri. 140 deputetët e rinj do të jenë në fokus publik të monitorimit, me të dhëna online dhe përmes një aplikacioni të dedikuar për cdo qytetar që poseidon një smartphone, – ashtu si edhe parlamenti dhe aktiviteti i tij administrativ, politik dhe kushtetues. Raporti i parë i monitorimit për sesionin që lamë pas, mbështetur nga FES, do të jetë publik me 6 korrik 2017, – me një gjetje interesante: deputetët më aktiv në Kuvend gjatë sesionit të kaluar nuk u përfshinë në listat e rikandidimit ose nuk fituan mandat të ri parlamentar, ndërkohë që shumë prej “të heshturve” ia arritën të rizgjidhen, kryesisht përmes besimit të kryetarit të partisë dhe vendeve preferenciale në listë!

Share: