Home KRYESORE Gara për kreun e PD-së, ja kush është ndërmjetësi midis dy sfidantëve...

Gara për kreun e PD-së, ja kush është ndërmjetësi midis dy sfidantëve kryesor

Pas zyrtarizimit të kandidaturës së Astrit Patozit për të qenë pjesë e garës për kreun e ri të Partisë Demokratike dhe paraqitjes së 6 kërkesave ndaj Lulzim Bashës, procesi ka hyrë në një fazë negociatash.

Burime për “Panorama” pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur se sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, është caktuar si negociator mes Bashës dhe Patozit për të vendosur rregulla të qarta të garës, shkruan “Panorama”.

PROCESI

Pas mbylljes zyrtare të afatit për të garuar për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, pritet të mblidhet Kryesia e PD-së. Kjo strukturë e rëndësishme pritet të miratojë ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale. Në këtë strukturë të tre kandidatët, sipas negociatave, do të kenë përfaqësuesit e tyre për të organizuar dhe monitoruar procesin. Sipas nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike, Komisioni i Organizimit përbëhet nga 7 anëtarë dhe 2 ndihmësa.

“1- Kryesia zgjedh një Komision të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, të përbërë nga shtatë anëtarë titullarë dhe dy ndihmësa.

2- Komisioni ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar e territorial dhe siguron rregullsinë e tyre. Ai ndërhyn në zgjidhjen e çështjeve elektorale në degët e partisë në përputhje me aktet e nxjerra për këtë qëllim. Ai përgjigjet përpara Kryesisë së Partisë”, thuhet në statutin e PD-së.

ANËTARËSIMET

Dy ditë më parë, Astrit Patozi kërkoi që të mos ketë anëtarësime të reja në PD, por vetëm ata që janë pranuar në PD që nga data 1 qershor i vitit 2017. “Sekretari i Përgjithshëm duhet të marrë nën kontroll database-n e anëtarësisë, duke garantuar rregullin e kahershëm në PD që të gjitha anëtarësimet e 2 muajve të fundit (nga data 1 qershor 2017), si dhe të gjitha anëtarësimet e bëra në kundërshtim me statutin (pa një vendim të mbledhjes së seksionit apo kryesisë së degës apo kryesisë qendrore, Neni 13 i Statutit) të mos kenë të drejtën e votës në këto zgjedhje.

Listat e zgjedhësve duhet t’u jepen kandidatëve, jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e garës. Ato duhet të publikohen e afishohen në mënyrë elektronike në uebin e kryesisë së degës e në hard copy në ambiente publike të selisë së degës së PD”, tha Patozi. FATION BINJAKU/PANORAMA

Share: