Home KRYESORE Këmbanat e “zhurmës” politike. Nga Behar Gjoka

Këmbanat e “zhurmës” politike. Nga Behar Gjoka

Pas fitores së PS në zgjedhjet e 25 qershorit, pavarësisht se si fitoj, pritej që fillonte analiza e shkaqeve të fitores, përsëri media e “pavarur” nga vetja, opinionistët e gjithdijes, vunë në qendër humbjen e PD dhe, sidomos fushatën e zgjedhjeve në këtë parti. Ndërkohë që interesi dhe pritshmëritë e qytetarit, të atyre që votuan, të atyre që votuan kundër, por edhe të atyre që nuk morën pjesë në votime, të cilët përbëjnë një shumicë të përfillshme, janë se si do të vijojë qeveria, e cila në fushatë solli programin e vijimësisë, me përjashtim të marrjes së timonit dhe tepsisë nga PS.

Edhe në këtë rast, si në shumicën e herëve në skenën politike shqiptare, fuqia magjike e propagandës, e shumëfishuar në median vizive dhe të shkruar, doli më e fortë se realiteti, i problemeve të mprehta ekonomike dhe sociale, i korrupsionit dhe drogës, së shumëfishuar, gjithnjë simbas institucioeneve ndërkombëtare. Në vend të parë, dolën zgjedhjet në PD, jo se ato nuk kanë rëndësi, por në marrëdhënie me qytetarin, nuk është i pari shqetësim. Spostimi i vëmendjes, me mjeshtrinë djallëzore të politikës së ditës, nga fati i zgjedhjeve parlamentare, mënyra se si u zhvilluan, rezultati që prodhuan, tek fati i kryetarit të PD, përpos se mbrapshti, është humbje e gjurmëve të jo pak shenjave të manipulimit të zgjedhjeve, po kaq të manipulimit të opinionit publik, duke u marrë vetëm me një aspekt të politikës shqiptare. Ajo që ofron skena politike, e fiksuar në median shqiptare, është një situatë absurde, Selami dhe Basha në fushatë për 22 korrikun… Patozi tur kundër votimit… Rama në dëgjesa për qeverinë… Berisha hesht… As Beket apo Jonesko nuk do ta kishte krijuar një teatër kaq absurd…

PD në pritje të datës 22 korrik, ka mbërritur puna deri aty, sa kush mundet të godas dhe shkallmoi partinë dhe aspiratat e saj. “Figurat” e shquara, me dhe pa pushtet, janë lëshuar me revan të paparë, që të marrin ç’ të marrin nga ajo që ka mbetur në skeletin e dërrmuar të kësaj partie, nëpër gjithë këto vite. Turri i “shpëtimtarëve” të nderit të humbur të PD, nuk di të ndalet nga shkurti i këtij viti, që përkon me ngritjen e çadrës, marrëveshja Rama-Basha, dhe në vazhdim, sikur të mos kishte asnjë shqetësim tjetër qytetari shqiptar dhe Shqipëria.

Në emër të statutit, Basha dhe Selami, po garojnë për kryetar, ku Basha nga kundërshtarët shihet si fajtori kryesor i humbjes së zgjedhjeve parlamentare, kurse Selami po nga kundërshtarët e Bashës, vështrohet si patericë e Bashës, së vetëngrirë deri në momentin e votimit. Patozi, zëri më i fortë i të dy kundërshtarëve, i artikuluar këto ditë me argumenta dhe zemëratë, po në emër të statutit, kandidon me kushte dhe kur kushtet nuk plotësohen, lëshohet në një tur kundër të dy kadidatëve dhe kundër votimit. Në momentet e krizës së thellë të PD, palët e përfshira në një “konflikt” të brendshëm, tashmë kanë rënë në grackën e ngritur nga Rama dhe forcat e majta, që të jenë në një luftë të pastër brenda llojit.

Palët në konflikt të brendshëm, prej muajsh konflikti ka dalë përjashta partisë me të gjithë përmasën e vetë, kanë harruar se kundërshtari po fërkon duart nga beteja e dytë, ëndrra për ta shkatërruar PD. Në emër të statutit, më tepër të kthyer në paçavër në sytë e publikut, të dyja palët kanë të drejtë, madje kanë të drejtë të shkatërrojnë PD, historinë dhe të ardhmen e saj, madje deri sa ta shkulin themelesh. Beteja brenda partisë, për më shumë demokraci të brendshme, nuk duhet të lërë jashtë vëmendjes betejën e madhe, të rrezikut që i kanoset demokracisë dhe vetë ekzistencës së shtetit dhe kombit shqiptar, nga mungesa e një opozitë reale, të fortë dhe institucionale.

Skena politike shqiptare, pas 25 qershorit ka hyrë në një ngërç të ri prej humbjes së misionit të opozitarizmit. Pjesë e këtij ngërçi është edhe kriza e thellë, politike dhe statutore në PD, që mbi të gjitha është një krizë besimi e palëve që pak ose aspak mendojnë ndryshe, që më tepër janë shndërruar në palë që duan të asgjesojnë njëra-tjetrën. Delfinët e rinj dhe të hershëm të PD, kanë hyrë në betejën e madhe të demokratizimit të PD, pra duke e nxjerrë në shesh partinë me gjithë palavitë e saj. Është e drejt legjitime e tyre, që të mos lënë kusur në zhvillimin e betejës së vogël, brenda partisë, që ka muaj që ka marrë arratinë nga institucionet e saj, por përballë betejës së madhe, të jetës politike fasadë që është montuar në Shqipëri, përballë linçimi që po i bëhet administratës, në shkelje të të drejtave të njeriu, beteja e tyre është më e vogël, se sa beteja për të shpëtuar Shqipërinë nga krimi dhe mafia. Palët “në konflikt”, janë lëshuar me turrin e “shkatërrimit” me dhe pa dëshirë të PD. Të analizosh dhe kritikosh është njëra anë, të bësh lojën e padjallëzuar të kundërshtarit, se si gajaset me vetëshkatërrimin, është ana më tragjikomike e momentit në të cilin po kalon PD.

Thënia e Abraham Lincoln: Të drejtën e kritikës e ka vetëm ai që është i gatshëm të ndihmojë”, merr vlerë për secilin demokrat, pavarësisht aspiratës se ku do që të mbërrijë në piramidën e partisë. Zëra që u lëshuan në shkurt të këtij viti, se PD është një parti që e kreu misionin e vetë me shembjen e komunizmit dhe, tani paska ardhur momenti që të shuhet, të largohet nga skena politike, tani po fërkojnë duart nga gëzimi, se si vetë liderët dhe aspirantët për tu bërë lidera, por rrëmojnë në shembjen e kësaj partie.

Megjithatë, kjo skizëm e pastër politike, është paradoks më vete, së paku në rrethanat shqiptare, nëse i ka mbaruar “kandilja” PD, si parti e dhjetorit ’90, që mëtoi të ishte e djathtë, por si mentalitet mbeti skaji i djathtë i të majtës. Pra duke qenë brenda “gjullurdisë” së majtë, po PS dhe LSI, si parti thelbësisht të majta, kryesisht po të nisesh nga programi, si dhe me një shtrat organizativ të hedhur në vitin e largët 1941, a duhet të mbeten në skenën politike?! Teza e hedhur me kohë, në vitet e demokracisë së brishtë shqiptarçe, por që tani sa vjen dhe gjen hapësirë në kokat e “nxehta” të fitimtarëve, se jemi popull i majtë, se shqiptarët përgjithësisht votojnë majtas, në variantin më të mirë, është e diskutueshme.

Në demokraci, si sistem vlerash dhe të drejtash njerëzore, nuk ka popull të djathtë dhe të majtë, por ka qytetar që kanë të drejta të barabarta në një shtet ligjor, ku secili është i barabartë përpara ligjit. Qytetarët, kur ka votime, ndahen te vota, por nuk ka arsye për të vënë mure të pakapërcyeshme, në mes tyre, sepse bindjet ndajnë në ditën e votimit, e në ditët e vitit, janë problemet e përbashkëta, të natyrës ekonomike dhe sociale. Nga ana tjetër, “alarmi” i vënë nga OSBE, mbi shkeljet e shumta në zgjedhje, mbi vjedhjen e kryer duke blerë me shumicë votat, duhet të na mpreh arsyen që të mos e lëmë jashtë vëmendjes betejën e madhe për votën e lirë.

Po ashtu, pjesëmarrja në votime dhe votimi i Ramës si timonier vetëm nga 22 % e votuesve shqiptarë, është tregues që duhet të analizohet në të gjithë elementët e vetë, për të kuptuar anomalitë e votimit. Palët “në konflikt”, humbës apo fitimtarë, pas humbjes tronditëse në 25 qershor, janë vënë në garën kush të shkëlqejë më tepër në shkatërrimin e PD, partisë që solli pluralizmin! Nuk e di, këta që zihen dhe grihen, apo që më tepër fshihen pas statutit, që në gjithë historinë e pluralizmit shqiptar, nga të gjitha partitë, statuti është parë si një leckë që përdoret nga kryetari dhe kryesia e radhës. Shikoni rokadën e LSI, ku kreytarët ndërrohen me anë të “shkarkimit”, që nuk di të ketë lidhje me demokracinë.

Shikoni se çfarë ngjau me Arben Malajn, Ben Blushin, brenda PS! Pra, demokracia në Shqipëri është e deformuar, sidomos prej deformimit që kanë partitë, prej mungesës së theksuar të demokracisë së brendshme. Për shumë kohë, nën drejtimin e Berishës, nuk besoj se ka patur demokraci të brendshme, e prandaj ky shpërthimi “demokratik”, ku njëri i bie thumbit, e tjetri patkoit, është pasojë edhe e heshtjes së gjatë, nëpër këto vite. Të gjithë kundër PD!

Të majtët fërkojnë duart, nuk ka ëndërr më të bukur për ta, se sa shkatërrimi i PD. PD kundër PD. Merrni frymë, fati i kryetarit të PD, varet nga votuesit e kësaj partie, në të gjitha ngjyrat dhe format që ka marrë përdorimi dhe shpërdorimi i votës së lirë në Shqipëri! PD është pjesë e sistemit politik, ku bëjnë pjesë PS, LSI dhe pjesa dërrmuese e partive shqiptare, që ka vërtetur në këto 27 vite se ka alergji ndaj votës së lirë. Pra goditja e një pjese, në këtë rast e PD, dhe ruatja e sistemit nuk e zgjidh probelmin e demokracisë së brishtë shqiptare.

Share: