Home KRYESORE Spartak Ngjela: Rama nuk ka më alibi për të marrë Bashën në...

Spartak Ngjela: Rama nuk ka më alibi për të marrë Bashën në qeverisje. Ja çpo ndodh në PD…

Nga Spartak Ngjela

Edhe qeveria e re, edhe opozita e re sot janë nën një trysni të barabartë. Por politika shqiptare dhe… sidomos, Shqipëria është në prag të ndryshimit të saj të madh.

l.

Në një shtet ku e gjithë administrata është e korruptuar, dhe gjyqtarët shesin drejtësinë, asnjë qytetar nuk është i sigurt për jetën e tij.

Por, a mund ta kuptojë këtë gjykim trupa e korruptuar e ministrave, e gjyqtarëve, e të gjithë administratës së lartë shtetërore dhe e kryetarëve të bashkive?

Askush nuk e kupton, dhe askush nga këta nuk e ka dashur fare që ta kuptojë, sepse kanë qenë në armiqësi me shoqërinë e vet

Ka një aksiomë për këtë rast: Për të qenë i prirë që ta grabisësh një popull me të gjitha format e mundshme, me anë të qeverisjes që ai të ka besuar, më përpara duhet ta urresh ose ta përbuzësh atë.

Këto kanë qenë të gjitha qeveritë e shtetit shqiptar në 100 vjet: ato ose i kanë urryer, ose i kanë përbuzur shqiptarët.

Blejini! kështu kanë thënë për krerët e Shqipërisë gjithmonë fqinjët genocidialë kundër shqiptarëve…

Por sot erdhi fundi. Gjithkush do përgjigjet për atë që ka bërë: çdo gjë e marrë pa ligj, duhet të kthehet me forcën e ligjit aty ku është marrë.

ll.

Kjo gjendje korruptive përballë reformës ndëshkuese të drejtësisë, është sot në një lëvizje kaotike të brendshme të politikës: askush nuk është i sigurt.

Por të dy polet e politikës janë të shqetësuar: fituesit dhe të humburit e zgjedhjeve të fundit. Por, jo në lidhje me qeverinë e re, ata janë të shqetësuar në lidhje me Reformën.

Fitimtarët duket se nuk e kishin pritur një fitore aq të madhe dhe mbi 71 vota. Dhe po kuptohet se nuk dinë si të veprojmë: por Rama nuk ka më alibi se përse duhet ta marrë edhe Bashën në qeverisje!!! E goditi populli, prandaj është i mërzitur.

Aleanca e Ramës me Bashën, domethënë me Saliun, tani shkatërron ose Ramën ose Partinë Socialiste.

Kurse humbësi është përballë zgjedhjes së kryetarit me votim të të gjithë antarësisë.

Këtu flitet: kush do të fitojë- Selami apo Basha?

Po ta shohësh në një sens historik, duhet të fitojë Selami, se ai ka qënë edhe themelues i partisë Demokratike, edhe kryetar i saj. Por ka edhe diçka, për specifikën e politikës aktuale: Partisë Demokratike i duhet një lider i cili duhet ta rreshtojë edhe këtë parti në aleancën politike Uashington – Tiranë.

Basha nuk e bën dot këtë, sepse pati deviacione të mëdha, sidomos me Çadrën kur kërkoi ndihmë nga kundërshtarët politikë të Uashingtonit dhe Brukselit.

Kjo është arsyeja që Basha duhet të tërhiqet nga gara. Dhe shenjat janë se do të tërhiqet: ai e ka humbur qetësinë e gjykimit politik, dhe sigurisht prej fakteve që përmendëm.

Pas tërheqjes së Bashës dhe fitores së Selamit, patjetër që do të vijë një klimë e re politike në të djathtën shqiptare. Dhe çështja e zgjedhjeve të qershorit që rezultuan me problemet e shitjes së votës, nga politika perëndimore, mund të cerifikohen me kusht.

Vetëm ardhja e Eduard Selamit e hap këtë hulli të re, edhe për të djathtën shqiptare, por edhe për kushtet që mund t’i vihen certifikimit të zgjedhjeve të qershorit nga Uashingtoni dhe Brukseli. Basha e ka të pamundur këtë rrjedhojë, se politikisht, ai dhe Berisha, sidomos për atë që bënë me Çadrën, sigurisht që quhen një e keqe e madhe për Perëndimin.

Shenjat janë që me Eduard Selamin, pas njëzet vjetësh, e djathta shqiptare do të kthehet te burimi: te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Share: