Home KRYESORE E vërteta mbi femrat që paguhen për të bartur mbulesa

E vërteta mbi femrat që paguhen për të bartur mbulesa

Deklarata e kreut të diplomacisë austriake Sebastian Kurz se femrat në Kosovë dhe Bosnjë paguhen për të bartur shami, ka shkaktuar jo pak reagime ndër komunitetet islamike përkatëse.

Në një intervistë për gazetën gjermane Handelsblatt, teksa ka tërhequr vërejtjen për rritjen e ndikimit turk dhe saudit në Evropë, ai kishte deklaruar se femrat paguhen për të dalë të mbuluara në rrugë.

“Në Sarajevë dhe Prishtinë, për shembull, gratë paguhen për të mbajtur mbulesë të plotë në publik”, ka thënë Kurz.

Ministri i Sigurisë në Bosnjë, Dragan Mektiç, ka thënë se nuk është në dijeni për raste të tilla.

“Unë nuk kam informacion të tillë. Kam folur me shërbimet tona të sigurisë, dhe as ato nuk kanë informata të tilla”, ka thënë ai.

Bashkësia Islame e Bosnjës, gjatë një konference për media, ka mohuar se ka raste të tilla në këtë vend.

“Ne pranojmë këshillën e Kurcit që institucionet e BE-së të kenë më shumë vëmendje për Ballkanin Perëndimor dhe e kuptojmë shqetësimin e tij për gjendjen e tashme, por besojmë se ai nuk ka gjetur shembullin e duhur për ta ilustruar atë”, është thënë në reagimin e këtij institucioni.

Por sa ka të drejtë ministri i Jashtëm austriak?

Institucionet e Kosovës vetëm në vitin 2014 kanë drejtuar projektorët drejt mënyrës së dyshimtë të financimit të një varg organizatash humanitare, disa prej të cilave janë mbyllur.

Derisa në opinion përflitet gjërësisht se për raste kur femrat pranojnë pagesa në këmbim të bartjes së shamisë në publik, edhe gazetarë të huaj janë në dijeni të kësaj dukurie.

Portali Konica.al është në dijeni të plotë të gjendjes në Marinë të Skënderajt, fshat ky i cili në vitin 2010 u bë skenë e një nga përplasjeve më të mëdha mes institucioneve lokale dhe shoqatave vahabiste.

Imami nga Shqipëria, Kastriot Duka kishte udhëhequr një shoqatë humanitare ‘Rahma Mercy’, e cila i furnizonte me ndihma ushqimore banorët e varfër të fshatit.

Ai në të njëjtën kohë drejtonte edhe xhaminë e fshatit, e cila nuk ishte në juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Por, autoritetet komunale bashkë me Policinë e Kosovës e kishin dëbuar nga vendi imamin e vetëshpallur, gjë që pati shkaktuar protesta nga një numër ithtarësh të tij në këtë fshat.

Banorë të fshatit sot thonë se prej vitit 2010, kur dhe është dëbuar Duka, xhamia e fshatit nuk frekuentohet si dikur, madje edhe femrat nuk bartin më shami./Konica.al

Share: