Home KRYESORE Ndërtimet pa leje/ Policia bllokon 64 objekte

Ndërtimet pa leje/ Policia bllokon 64 objekte

Aksioni i Policisë në mbrojtje të territorit, ashtu siç u paralajmërua disa ditë më parë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, duket se po merr përmasat të mëdha.

Në 5 ditë, nga momenti kur Çako paralajmëroi masa të ashpra për punonjësit e Policisë që neglizhojnë përballë këtij fenomeni, Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori 64 raste ndërtimesh pa leje.

Deri tani numërohen dhjetëra qytetarë të arrestuar e në hetim për punime e ndërtime pa leje, por edhe punonjësit e rendit nuk i kanë shpëtuar masave të paralajmëruara nga Çako.

Raportohet qe dy sy shefa policie janë shkarkuar nga detyra, bashkë me disa vartës të tyre, e disa të tjerë janë në hetim disiplinor, por edhe penal nga SHÇBA.

Në një takim me të gjithë drejtuesit dhe shefat e Policisë, pak ditë më parë, Haki Çako paralajmëroi masa të ashpra, jo vetëm disiplinore, por deri në ndjekje penale, në rast se konstatohet neglizhencë apo mosveprim për ndërtimet pa leje.

Ai ka kërkuar të njëjtin angazhim për paligjshmërinë në territor, si në planin kombëtar për luftën antikanabis. Drejtori Çako theksoi se, krahas punës së bërë për goditjen e paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit, ende ka disa mangësi, shqetësime, të qytetarëve në të gjithë vendin.

Shqetësime dhe porosi, të cilat vijnë direkt nga Kryeministri, nëpërmjet përcjelljes së mesazheve dhe ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin.

AKSIONI

Policia e Tiranës njoftoi të premten për aksionin që ka nisur, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Në nisje të këtij aksioni, në vetëm 24 orë, Policia e kryeqytetit arriti të evidentonte 20 ndërtime pa lejen përkatëse në juridiksionin e Tiranës, duke arrestuar 4 persona, proceduar në gjendje të lirë 17 të tjerë, si dhe dy i shpalli në kërkim.

Në ditët në vazhdim, aksioni mori përmasa edhe më të mëdha, pasi numri i objekteve pa leje që konstatoheshin nga Policia sa vinte e rritej, e në këtë mënyrë, edhe numri i referimeve në Prokurori, për veprën penale që i referohet Nenin 199/a të Kodit Penal.

Ndonëse Policia është hallka e fundit që duhet të mbajë përgjegjësi për ndërtimet pa leje, duket se tonet e ashpra të kreut të Policisë, kanë bërë që efektivët e rendit të jenë të parët në “frontin” e luftës kundër informalitetit.

“Krahas punës së mirë që është bërë, përsëri vihet re se në drejtim të goditjes së fenomeneve të paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit ka mangësi dhe për këtë qëllim jemi mbledhur sot, për të përcjellë disa mesazhe, porosi dhe shqetësime, të cilat kanë të bëjnë me këtë fenomen. Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës, të tilla si ndërtimet e paligjshme, pushtimet e tokës, pronës si publike dhe private, ambienteve publike etj. Rasti i fundit i ditës së hënë në Tirane te Parku i Liqenit”, u tha Çako vartësve të tij, pak ditë më parë.

Kjo ka qenë e mjaftueshme për të gjithë drejtuesit e Policisë, që të vënë në lëvizje të gjitha shërbimet për evidentimin e të gjitha rasteve të ndërtimeve pa leje. /panorama

Share: