Home KRYESORE Parlamenti i ri i mbushur me juristë, ja kush janë deputetët që...

Parlamenti i ri i mbushur me juristë, ja kush janë deputetët që vazhdojnë ende shkollën

Parlamenti i legjislaturës së re do të ketë në pjesën më të madhe të tij deputetë me formim juridik. Nga një verifikim i profesioneve të deputetëve të rinj, rezultojnë se rreth 40 prej tyre kanë përfunduar studimet për Drejtësi, ndërkohë që një pjesë mbajnë dhe titullin e avokatit.

Partia Socialiste ka në radhët e saj, 15 deputetë që kanë përfunduar fakultetin e Drejtësisë. Po aq rezulton të jetë dhe numri i ligjvënësve të Partisë Demokratike, të cilët udhëhiqen kësaj radhë nga Lulzim Basha që me profesion është jurist.

I lartë është dhe numri i deputetëve të rinj me profesion ekonomist. Në total rezultojnë se në karriget e deputetëve do të ulen 20 ekonomistë nga Partia Socialiste. Ndërkohë që nga Partia Demokratike janë vetëm 7 ekonomistë.

LSI-ja ka në radhët e saj një ekonomist të mirëfilltë që është deputeti i Dibrës, Përparim Spahiu. Në legjislaturën e re bie në sy një ulje e deputetëve mjekë. Në Partinë Socialiste janë vetëm 5 deputetë që kanë përfunduar për mjekësi. Ndërsa në Partinë Demokratike janë 5 mjekë, më në krye kardiologun, Sali Berisha dhe gjinekologun, Halim Kosova.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka në radhët e saj 3 mjekë, duke numëruar dhe veterinerin, Edmond Panariti. Edi Rama, në Kuvendin e ri, nuk do të jetë i vetmi artist, në radhët e socialistëve është dhe deputeti i ri i Vlorës, Fatmir Velaj, i cili ka qenë këshilltar i Kryeministrit. Partia Socialiste ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm deputetësh që kanë përfunduar Inxhinierinë.

Numërohen 12 deputetë me profesion inxhinier në radhët e PS-së, ndërsa Partia Demokratike ka vetëm 6 deputetë që kanë përfunduar Inxhinierinë. /panorama

Share: