Home KRYESORE Zbardhen detajet për çfarë do të diskutojë Thaçi e Vuçiç ne Bruksel

Zbardhen detajet për çfarë do të diskutojë Thaçi e Vuçiç ne Bruksel

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, të enjten në mëngjes do t’i takojë në Bruksel presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç.

Maja Kociançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë, Mogherini, ka deklaruar se takimet në Bruksel do të zhvillohen në kontekstin e diskutimit për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Diskutimet do të ndodhin pas takimit të disa javëve më parë, ku janë marrë vesh se do të nisin të punojnë për fillimin e fazës së re të dialogut”, ka thënë Kociançiç.

“Në këtë kuptim, puna tashmë është në zhvillim e sipër dhe ata nesër do t’i vazhdojnë bisedimet”, ka theksuar ajo.

Takimi i radhës në Bruksel, sipas Kociançiçit do të jetë joformal.

“Do të bisedojnë edhe për zbatimin e marrëveshjeve të cilat tashmë janë arritur në dialog dhe zbatimi i të cilave është në vazhdim e sipër”, ka thënë Kociançiç.

Thaçi e Vuçiç, patën theksuar pas takimit të 3 korrikut të zhvilluar po në Bruksel, se nevojitet një fazë e re e procesit të bisedimeve, që sipas lehtësuesit të këtij procesi, Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në mars të vitit 2011, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.

Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./rel/

Share: