Home KRYESORE Zheji: Përfundoi qepallimi Rama-Basha, apo “loja” vazhdon?

Zheji: Përfundoi qepallimi Rama-Basha, apo “loja” vazhdon?

Nga Artur Zheji

Qepallimi Rama-Basha, me sa duket e përfundoi ciklin e vet. Rama është përsëri kryeministër, ndërsa Basha kryetar i një Partie Demokratike më të vogël. Nuk mund të hymë në mënyrë spekullative e të themi se përse u bë kjo, sa u kushtoi palëve dhe sa do tu kushtojë shqiptarëve.

Nuk mund të themi me siguri se çfarë faturash u paguan dhe nëse u paguan, por sidoqoftë, pjesa e mbetur e Partisë Demokratike është sot më e vërtetë dhe shumë më pak hipokrite. Në partinë e re Demokratike të Bashës, flitet pro dhe kundra kryetarit, ndërsa vetë kryetari nuk është një “mit” si Berisha dikur. Ai sulmohet, preket, mbrohet dhe mbështetet, nga palët që e mendojnë ndryshe apo që kanë interesa të ndryshme. Në një lloj kuptimi, përpos kostos shumë të madhe zgjedhore, PD është sot një parti më e vogël, më pak ambicioze dhe më pak retorike, por më normale.

Dukshëm Rama e ka shprehur mirënjohjen e tij tringëlluese dhe pozicionale, bollshëm dhe qartë. Dhe me sa duket me të gjitha palët në fushën e lojës politike.

Prandaj dhe fusha e politikës është gjithmonë e më pak interesante, kryeministri filloi të zotërojë mjeshtërinë e të bërit kompromise të njëpasnjëshme, si rruga më e lehtë për të qëndruar në pushtet, aq sa të ketë takat dhe ymër.

Ndoshta tepër vonë, palët e kanë kuptuar se ajo që kanë marrë nga Rama, është krejt e vogël, në këmbim të asaj që Rama, ka marrë prej tyre dhe ndoshta do të fillojnë sherret e reja, të politikës së vjetër. Të cilave ay, kryeministri i gjatë dhe jetëgjatë, do ti përgjigjet me shprehjet popullore të tipit: “karvani ecën përpara, qentë le të lehin…”

Madje nëse fati do ta ndihë, ay, Rama, do të thyejë edhe rekordin e Doktorit në pushtetmbajtje, në mos e ka thyer që tani. Basha, nëse do vërtet të rritet, politikisht dhe si autoritet real, duhet ta fusë në një nga xhepat më të thellë të kujtesës së pakëndshme, marrëveshjen e begatë të 22 Majit, por që solli një rrokullimë zgjedhore, vështirsisht të rikuperueshme për PD.

Dhe duhet të fillojë një Kohë të re politike, një të vetën dhe nga një pikë “0”, të cilën ai, nëse do të mbijetojë politikisht, duhet ta vetëpërcaktojë. Përndryshe rrezikon të mbetet një shtojcë karizmatike e lojës politike shqiptare, por vetëm kaq.

Tanimë gara e tij dhe e PD, është zhvendosur nga PS, te LSI, e cila pas tërmeteve të para që po pëson ose do të mund të pësojë, nga largimet e gjëndrave dhjamore nga trupi i saj, do të jetë një konkurente agresive në betejën opozitare.

Nëse loja e qepallimit do të vazhdojë, sipas parimit se jeta është e shkurtër dhe është më mirë ta gëzojmë jetën se sa të luftojmë, për një ecje krenare përpara, Piktori do të vazhdojë të pikturojë, ashtu si endëte Penelopa, 3000 vite më parë, edhe për 20 vite të tjera, pëlhurën e tij politike, në pritje edhe ay, Piktori, të Uliksit të vet.

Kush është Uliksi, që pret Rama, që të kthehet në Itakën e tij?

Lexoni dhe do ta zbuloni, në mos njëherë, njëherë tjetër.

Ti urojmë Piktorit një afresk të mbarë dhe sa më pak të kushtueshëm për vendin, kjo na mbetet, me çfarë po na shohin sytë… /360grade.al/

Share: